Platforma e Serbisë dhe kuvendi i hajkobillës !

14:56 / 22.12.2012

Kush në fakt u dorëzua?

Politikanët tanë kanë një mendim fenomenal për veten e tyre. Thuaja se vetëm ata janë në këtë botë dhe se të gjitha enciklopeditë e botës mbajnë autorësinë e tyre. Krenohen me diplomat e tyre dhe titujt shkencorë që, ose i kanë blerë me para, ose i kanë fituar sipas literaturës së “nobelistit” Al Kapone apo Pablo Eskobar e mbase edhe me fuqinë politike kur kemi parasysh injorancën, servilitetin dhe elasticitetit të shtyllës kurrizore (për ata që e kanë) të një pjese, mos ta them shumicës së inteligjencës së korruptuar dhe komprometuar kosovare!

Çfarë inteligjence kemi, politikanët janë të mrekullueshëm! E sidomos Akademinë e Shkencës dhe të Arteve që aq shumë ka kontribuar për lirinë e Kosovës dhe tash, në këtë fazë aq të rëndësishme nëpër të cilën po kal(ër)on Kosova, po kontribuojnë në forcimin e shtetndërtimit të saj. Duke hartuar plane veprimi, strategji dhe platforma. Ama origjinale! Prodhime vendore e jo sikur Serbia që e ka, thënë troç, kopjuar platformën e Katalonisë e cila po kërkon pavarësi nga Spanja e Hulio Iglesiasit!

Ne nuk kopjojmë, prandaj nuk bëjmë platforma. Në deklaratat e atyre që kanë negociuar teknikisht dhe politikisht me Serbinë, është theksuar një triumfalizëm i skajshëm në stilin: “E mundëm Serbinë, ia futëm Stefanoviqit, e deklasuam Daçiqin, do ta shkatërrojmë Nikoliqin, politikisht e pensionuam Tadiqin, ia humbëm farën në Nju Jork Ujk (OKB) Jeremiqit, do t’i mbyllim gojën me bajgë Vuqiqit etj.”!

Besoni lexues të nderuar se ndjeja keqardhje për atë që ia bënin Serbisë dhe politikanëve të saj këta burra dhe burrnesha kosovarë-e! Mendoja me vete se si qenka e mundur që ne, bijtë dhe bijat e së Lumnueshmës Nëna Tereze të bëhemi aq të pashpirt dhe aq mizorë! Të bëhemi aq shkatërrues të paqes dhe komprometues të humanizmit në kohën kur Nëna e Kalkutës ishte laureuar me Çmimin Nobel për Paqe dhe Humanizëm! Kjo është dëshmia më bindëse se “prej beteri del Skenderi e prej Skenderi del beteri!”

Negociuesit tanë, të të gjitha gjinive dhe të të gjitha përcaktimeve tërë kohën janë vetlavdëruar, prandaj kemi fjetur dathë, me këmbë të lara dhe duar të palara! Shqiptarët kanë pasur dy nobelistë: Nënën e Kalkutës dhe Babain e Viagrës! Dhe këtu del se kanë bërë llogari të gabuar. Janë mbështetur kryesisht në doktrinën e Nënës së Kalkutës, ndonëse kanë pasur më shumë nevojë për Ferid Muratin, Babain e Viagrës! Të forcohen më shumë. Të bëhen me çoke! Për zëvendësim kanë kërkuar çoke në Uashington dhe Bruksel! Te ata që me këto rekuizite e kanë furnizuar Serbinë tërë kohën!

Politikanët tanë, me shpurën përcjellëse për bartjen e valixheve, garderobës, qeseve me gjësende të blera në Gucci, Armani, Versace dhe Prada duke kundërmuar me Shanel no.55 (no.5 është tejkaluar për këta tanët moti ) kanë shkërdhyer pamëshirshëm paratë e shtetit më të pasur në Ballkan, Evropë dhe më gjerë duke fjetur në hotelet luksoze dhe duke udhëtuar me klasë biznesi! Tamam si u takon politikanëve biznesmenë!

Serbia e bëri publike platformën e Katalonisë për Kosovën veriore dhe aty ku jeton edhe një serb i vetëm. Dikush mund edhe të bëjë hajgare me këtë, por mos harroni se Katalonia me këtë platformë do të shpall referendum për pavarësi nga Spanja në vitin 2014. Kosova veriore me metastazat në pjesët tjera të saj mund të shpall referendum për pavarësi dhe shkëputje nga Kosova duke iu bashkuar Serbisë më vonë! Kur të qetësohen gjakrat!

Mashtrimet optike dhe ngulitjet praktike

Bashkësia ndërkombëtare ka përdorur standarde të dyfishta me Kosovën dhe qytetarët e saj. E ka përkëdhelur Serbinë duke i bërë lëshime të vazhdueshme dhe duke flirtuar me të në shtrat me pupla. Neve na ka futur në shtrat të Prokrustit duke na mashtruar tërë kohën. Serbisë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, neve Raportin e Progresit! Serbisë liberalizimin e vizave, neve radhët e gjata para ambasadave për viza. Jemi i vetmi popull në Evropë që kurdiset në ora tre të mëngjesit para ambasadave të huaja, si dikur shqiptarët në Shqipërinë e Enverit që kurdiseshin në ora tre të mëngjesit për të blerë një litër qumësht dhe dy kokrra vezë!

Serbisë bisedimet për anëtar të BE-së, Kosovës bisedimet për anëtar të Koza Nostras! Serbisë lirim nga doganat dhe taksat për mallin që hynë në Kosovë, ndërsa neve na doganohen edhe pordhët që i bëjmë për të cilat paguajmë edhe TVSH ose tatimin në vlerë të shtuar! Serbët nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar, ndërsa neve na rrinë KEK (turk bismilah) me dara në duar dhe plus dy punëtorë të sigurimit me tre policë të përbashkuar dhe nuk dimë nëse duan ta këpusin rrymën apo atë senin!

Serbia ndanë pasaporta për serbë, shqiptarë të Kosovës, “serbë” të Fierit dhe Tiranës, Greqia ndanë pasaporta greke për çdo shqiptar të Shqipërisë, kinez të Greqisë, vorioepirot të Libisë, ndërsa tërë bota ngrihet në këmbë kur Shqipëria thotë se do të lëshojë pasaporta për ata që janë shqiptarë, ndërkohë që më së shumti pasaporta në Shqipëri kanë marrë ata që dikur deklaroheshin si jugosllav, ndërsa tani, duke mohuar kombin shqiptar e kanë sajuar një “komb” kosovar!

Vazhdimisht po mashtrohemi! Edhe tash e kemi mbytur Serbinë, sepse nuk po ua pranojmë platformën. Serbia platformën të cilën nëse jo 100 për qind, BE do ta përkrah pjesën më të madhe të saj! Po nëse nga platforma e propozuar e Serbisë realizohen vetëm 10 për qind, atëherë Kosova do të shndërrohet në Kurdistan! Dhe ky ka qenë qëllimi i Serbisë! Sepse Serbia në këtë fazë të proceseve ka qenë shteti i fundit që ka pasur interes ta ndaj pjesën veriore të okupuar të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare ka garantuar se kufijtë e jashtëm të Kosovës nuk do të ndryshojnë, ndonëse aktualisht kontrollohen nga serbët dhe Serbia! Tanët gjithashtu kanë përsëritur psalmet e BE për mos ndryshimin e kufijve të jashtëm. Prej ndryshimit të kufijve të jashtëm më së shumti do të përfitonin shqiptarët, ndërsa humbësit më të mëdhenj do të ishin serbët! Shqiptarët përfundimisht do të zgjidhnin çështjen kombëtare.

Kështu, pas një kohe, nëse do të jenë gjallë Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu, do të formohet një lëmsh leshi me shqiptarë dhe kosovarë! Dy shtete lesh-ko! Edhe tash Serbia po e ofron platformën e Katalonisë për Kosovën veriore, ndërsa këta kursantët tanë politikë po e ofrojnë Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e “presidentit” Ahtisari! Në kohën kur Serbia Kosovën e ka pjesë përbërëse të Kushtetutës së saj, Kushtetuta e Kosovës e ka Pakon e Ahtisarit në zemër të saj!

Pashë Zotin dhe nëse edhe vetëm 10 për qind jeni bijë dhe bija të Nënës së Kalkutës mos na mbroni më me pakon e Ahtisarit në bisedime me Serbinë! Se, do të na ndihmoni, do të na ndihmoni si Bajram Rexhepi atë plakën në Reçak! Edhe ashtu Pakoja e Ahtisarit na i ka luajtur njëqind mijë nëna.

Besoj se mjafton me kaq. Ahtisari ka qenë i huaj. Ai nuk ka punuar për pavarësinë e Kosovës, por për para dhe Çmimin Nobel! I ka fituar të dyja, andaj mos e përmendni më! Në fund të fundit, gjendja në veri të Kosovës dhe krijimi i një populli supermen serb në Kosovë është bërë nga Ahtisari, ndërsa Platforma serbe është rezultat i ngjizjes në bazë të interesit material, politik, strategjik të padronëve të Ahtisarit me Serbinë dhe aleatët e saj!

Përfundimisht, veriu i Kosovës është ndryshe dhe do të jetë edhe më ndryshe në të ardhmen. Pavarësisht retorikës së sforcuar të politikanëve tanë se nuk do të lejohet me asnjë çmim kjo! E sidomos të Blerim Shalës që njihet si njeri i pakompromis kur është në pyetje mbrojtja e interesit kombëtar dhe shtetit të... Kosovës! Ani pse paguhet mirë për këtë sakrificë! Hallall i ka!

Ndërkombëtarët ia kanë vënë çmimin Kosovës duke ia ulur shumë vlerën. Madje, edhe po e falin! Po ia falin Serbisë një pjesë të saj, sikur që i kanë falur që nga viti 1999! Ndërkombëtarët e kanë krijuar veriun dhe e kanë mirëmbajtur në ndërkohë që disa OJQ, përfitues të granteve milionëshe deklaronin se veriu u krijua si rezultat i dhunës së shqiptarëve ndaj serbëve! Tash, të njëjtit kanë radikalizuar qëndrimet duke akuzuar qeverinë me dy kryeministra si UÇK qeveri që po e lejon autonominë apo statusin special për Veriun! Janë ngatërruar leshrat krejt!

Pavarësisht se qysh para tre vjetëve kam shkruar se si do të zhvillohen ngjarjet nuk më vjen aspak mirë nëse parashikimi im do të dali i saktë! Po, megjithatë duket se do të ndodhë kjo. Po duket një dritë në fund të tunelit. Kuvendi i Hajkobillës apo Hani i Jakupit siç do ta quanin shakaxhinjtë e Leshkoqiqit! Ky Kuvend është vija e fundit e mbrojtjes së atdheut! Vija e vdekjes. E cila nuk do të kalohet “për pa mbet Kosova n’çika” ! E Ismet Beqiri dhe Skender Hyseni, çika po ju duken a?

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.