Fushatë elektorale me të vdekurit

1:52 / 27.12.2012

"Resurrectionem mortuorum" - që i bie kthimi nga vdekja (ringjallje) - ka filluar të aktualizohet. Kjo është duke ndodhur fal “Babadimrave”, kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ëndrrat e të gjithë atyre që ndienin mungesën e prezencës të të vdekurve dhe që kërkonin së paku që një ditë t`i riktheheshin jetës reale, po bëhet realitet: ata po kthehen pikërisht në një ditë, ama ditë e rëndësishme kjo - dita e zgjedhjeve.

Së paku këtë “rikthimin“e të vdekurve nuk e prisja, jo pa ndodhur ai apokalipsi i parashikuar i majave. Por, siç duket te ne shqiptarët e pamundura bëhet e mundur dhe e mundura është që apokalipsi të ketë ndodhur, pa i vënë re ndryshimet.

Gjyshja ime vdiq para gjashtë viteve, por ajo u “ringjallë” për të vetmen arsye: për të votuar. Besojeni apo jo, është shumë faktike kjo: emri i saj figuronte në listat e të votuarve, ndërkohë që ajo kishte vite që kishte vdekur. Kjo tregon se kur vijnë zgjedhjet edhe të vdekurit “ringjallen” për të përmbushur obligimet e tyre qytetare.

Ky fenomen “ringjalljeje” ka filluar të aktualizohet edhe në Shqipëri, edhe pse në një formë tjetër më praktike: me kthimin e eshtrave të të vdekurve. Besoj që nuk iu kanë ikur deklaratat e njëpasnjëshme tragjikomike nacionaliste të Kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkoi kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut (gjë që e realizoi), por si duket nuk po i mjaftojnë për të bindur elektoratin dhe po vazhdon të kërkojë me ngulm edhe kthimin e eshtrave të Sami Frashërit, të Mit`hat Frashërit, gruas së Ismail Qemajlit dhe së fundmi po kërkon edhe kokën e Ali Pash Tepelenës! Pak rëndësi ka se ku i gjendet trupi Ali Pashës, e rëndësishme është që koka t`i kthehet Shqipërisë, edhe pse trupi i tij i do vazhdoj të jetë i ndarë në dysh.

Kjo fushatë elektorale me të vdekurit të lë përshtypjen që Berisha po pretendon të nxjerrë nga të vdekurit të gjallët, ndërsa dëshiron që ai vet të bëhet më i gjalli ndër të vdekurit. A nuk do të duhej që ai të përkujdesej më shumë për të gjallët “e vdekur” që jetojnë sot në Shqipëri?! Për këta të “vdekur” që edhe jeta që e bëjnë sot s’ka kuptim? A nuk do të duhej që Berisha të preokupohej më shumë për fuqizimin e ekonomisë, kur dihet se në çfarë gjendje është sot Shqipëria: prodhimi i përgjithshëm industrial përfshinë vetëm 8 për qind të ekonomisë dhe e vetmja industri nga e cila përfitojnë është industria e kumarit, ku importohen 113 tonë flori dhe xhevahire në vit. Ndërsa, eksportohen femrat, droga, fëmijët dhe armët kontrabandë. Krimi është në nivele të jashtëzakonshme, e varfëria ka trokitur pothuajse në çdo derë. Gjendja e shërbimeve shoqërore, mjekësore dhe e arsimit është katastrofike, e vendi sundohet nga SMS-ët dhe nga emisionet televizive.

A nuk do të duhej që edhe Kryeministri i Kosovës të përkujdesej po për të njëjtat çështje, sepse pothuajse problemet janë të njëjta në të dyja vendet!

Mund edhe të tingëllojë ashpër, por me glorifikimin e këtyre ngjarjeve ceremoniale protokollare me të vdekurit, në këtë klimë tensionesh politike dhe gjendjes kaotike në të cilën ndodhet shteti shqiptar, nuk është se janë prioritare. E kuptoj impaktin dhe gjurmët ë mëdha që kanë lënë në historinë shqiptare këto personalitete, por veprat që kanë lënë pas do t’i bëjnë përherë të gjallë, jo kthimi i eshtrave, jo votat e vjedhura.

Këto deklarata nuk janë asgjë tjetër veçse një strategji manipulimi për të zëvendësuar vetëdijen kritike të njerëzve për aktualitetin me impulset kolektive të ndjenjës emocionale që populli ka për këta të vdekur. Detyrat që po na imponohen nga këta politikanë janë inkurajimi për të pranuar mediokritetin aktual shoqëror e politik si realitet, përderisa s’ka të bëjë asgjë me realitetin; s’ka të bëjë asgjë me të vërtetën. E vërteta duhet kërkuar diku tjetër, ndoshta tek mësimet e filozofit antik grek Sokratit, i cili thotë: “Nëse kërkoni të vërtetën, atëherë duhet që besimi juaj t`i kaloj të gjitha testet e evidencës, deduksionit dhe logjikës. Vetëm atëherë ajo ide mund të përqafohet si e vërtetë. Në të kundërtën, e njëjta duhet mohuar dhe pastaj duhet të pyesni veten se çfarë ju ka nxitur që deri në atë moment të mendonit ashtu”.

Mirëpo, fatkeqësisht, fenomeni sokratian, mënyra dhe bindjet e të mendurarit drejtë dhe përkrah të së vërtetës, jo që nuk aplikohet te masa popullore, po as në nivele më të larta akademike. Situata është dëshpëruese dhe mungon një reflektim serioz i cili shpresoj të ndodhë sa më shpejt dhe ta përjetoj sa jam gjallë.

Ndërsa, këta politikanë do vazhdojnë të jetojnë në luks si oligarkët rusë dhe do të thërrasin shpirtrat e të vdekurve, zërat e të cilëve do i dëgjoni më vonë.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.