Burrat e "pazëvendësueshëm" të vendit

13:58 / 28.12.2012

Për çudi, vetëm dy-tre ditë më parë, tanimë kur afera e bisedave të përgjuara kishte filluar të harrohej, pas sa kohësh argëtimi e shpotitje me atmosferën e krijuar nga to në opinion, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, bëri sikur kërkoj njëfarë si falje publike për skandalin e lartcekur.

Por, në vend se paraqitja e tij të tingëllonte vërtet si pendim, ai dëshmoi edhe një herë se i mbetet besnik parimit të nepotizmit, duke e cilësuar edhe dajën e "dashur" si anëtarë të familjes, për të cilin, si nip i mirë që është z. Grabovci, u dashka të "luftoj për të, sepse sipas tij ai që nuk luftuaka për punësimin edhe të dajallarëve, nuk paska si të jetë i mirë as për popull. Skandaloze , apo jo ?!

Megjithatë, edhe nëse dikush, nisur nga qëllimi më i mirë, ende shpreson se ndoshta ndonjëri që i ka mbetur sadopak ndërgjegje e pa prishur njerëzore, ruan në brendësi dëshirën të cilën nuk guxon ta shpreh hapur, në mënyrë që të mos i "lëndojë" shokët e partisë dhe bashkëpunëtorët e keqpërdorimeve, për zëvendësimin e tij nga dikush paksa më i pa zhveshur moralisht, aferat e cekura e kanë zbehur "funksionin" e këtyre njerëzve tërësisht nga çdo lloj "misioni" normal.

Ndaj, edhe ligjërisht, po të kishte diçka të tillë kundër të fortëve në Kosovë, ata nuk kanë mbetur më as përfaqësues formal të këtij populli të varfër, në pozitë as në Parlament, por ja që nuk ka as nuk guxon kush t`ua përkujtojë atyre këtë gjë.

Mjerisht, edhe në këto kohë të rënda që po kalon Kosova, shumica e deputetëve në Parlamentin e saj, mbeten të "përzgjedhurit" me porosi dhe vota të vjedhura, të cilët shëmtojnë emrin e përfaqësuesit të popullit dhe vejnë në dyshim seriozitetin e Parlamentit të "okupuar" të Kosovës nga njerëz të katapultuar me metoda të tilla të pa ligjshme.

Këta jo vetëm se janë deleguar me "pronto" porosi në Kuvendin e shtetit, por siç treguan edhe shembujt e fundit, kurrë nuk e kanë kuptuar funksionin që e kanë dhe nuk e dinë as vet më, se pse janë aty.

Për aq më keq, dëmi nuk përfundon vetëm me personin që ata përfaqësojnë, pasi që sjelljet e tyre edhe Parlamentit ia kanë qitur faqen e zezë, i cili me këtë përmbajtja është bërë turpi i botës dhe jo vetëm i këtij vendi të izoluar në tërësi si mos më keq.

Parlamentar të tillë me "muhabetet" e tyre denigrues nga goja e të cilëve dalin sharjet më vulgare, ndaj figurave të njohura dhe një popull të tërë, turpërojnë shtetin dhe institucionet e tij, shumë më tepër se ç'mendojnë dainjtë e tillë, para vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

Ata, me sjelljet e ulëta, asgjësuan edhe shpresën më dashamirëse, nëse vërtetë ka pasur ndokush tek ta ndonjëherë, në të cilën tanimë nuk mund të besoj asnjeri.

Në vendet e tilla ku ligjin e bën nepotizmi dhe korrupsioni, sipas stilit dhe qeverisjes së tipit "pronto", me porosi përmes telefonash dhe kafenesh, ku vendimet për fatin e njerëzve merren përmes qitjes fall, nga filxhanët e kthyer përmbys të kafesë në restorantet e njohura të kryeqytetit, bie për toke çdo perspektivë e dëshiruar për këtë vend, si vet fati i përmbysur i këtij populli të mjerë e të izoluar.

Ndaj, pas skandalit të këtyre bisedave, çdo shqiptar dhe banor i Kosovës, duhet t`ia vejë gishtin kokës, të mendojë mirë dhe përfundimisht ta pyes veten se çka mund të pres nga deputetë të tillë, për familjen, fëmijët dhe ardhmërinë e tyre të vrarë pariparueshëm.

Populli i këtij vendi duhet ta studioj thellë dhe sqarojë në tërësi se çka i duhet vendit të tyre një Kuvend i tillë me deputet që qëndrojnë mbi ligjin, ndaj të cilëve nuk mund të veprojë drejtësia as shteti ligjor dhe për pasojë për vite të tëra, kur janë në pyetje veprimet e njerëzve të tillë, nuk gjen zbatim asnjë rregull legjislature e mirëfilltë.

Deputet dhe funksionar si këta me këso sjelljesh, dëshmojnë hapur se gjendja e rëndë, izolimi dhe varfëria e shqiptarëve nuk kanë qenë kurrë brengë e tyre, kurse pozitat shtetërore ata i shfrytëzojnë vetëm për pasurimin personal, punësimin e dajallarëve dhe të afërmeve tjerë, si dhe krijimin e jetës përrallore për vete dhe familjen, derisa Kosova numëron rreth 300 mijë të papunë me kualifikime nga më të ndryshmet, mijëra familje që mezi mbijetojnë me ndihma sociale dhe vuajnë edhe për bukën e pa mjaftueshme, duke mos pasur asnjë anëtar të punësuar.

Ndaj, nga përgjimet përfundimisht u vërtetua se vuajtja e këtij populli nuk ka qenë asnjëherë shqetësim real për këta kuvendarë të majmur në kurrizin e tij, veprimet praktike dhe deklaratat pa censurë të të cilëve dëshmojnë hapur se ata nuk ndjejnë asgjë për atdheun dhe njerëzit e varfër e të pa krahë të këtij vendi.

Patriotizmi i tyre matet me paranë që ata fitojnë, kurse veshja me pushtet shfrytëzohet për zhvatje dhe grumbullim pasurish jo gjithherë të ligjshme.

Kështu me të drejtë lind pyetja: athua vërtetë nuk arritën shqiptarët t’i deshifrojnë bisedat e tilla që dhanë prova se në sallën e Parlamentit të Kosovës dhe jashtë ndodhin ngjarje të cilat janë më tepër se të mjaftueshme për shkarkimin e politik-bërësve të tillë të cilët janë kthyer në funksionarët më të çuditshëm në këto hapësira të Evropës?!

Parlamentarët dhe qeveritarët që bashkëpunojnë në korrupsion, nepotizëm e veprime tjera të nëndheshme, nuk e meritojnë të përfaqësojnë askënd dhe as të mbeten më në Parlament apo funksione shtetërore.

Këta njerëz tanimë njihen nga të gjithë si frymëzues të keqsjelljes, antikulturës, pandershmërisë dhe mbretër të pandëshkueshmërisë, të cilët sundojnë këtë vend të vogël ku çdo gjë vihet në lëvizje përmes nepotizmit, korrupsionit dhe parasë.

Ata nuk qajnë kokën as për vendimet e organizatës “Transparency International”, ani pse ajo me fakte kualifikon Kosovën ndër vendet më të korruptuara në Evropë dhe Botë.

Parlamenti ynë është i mbushur me deputet të katapultuar nga industria e votave të vjedhura me shumicë, manipulimet zgjedhore dhe ndërkëmbëzat, brendapartiake e ndërpartiake që pa të drejtë paguhen nga xhepat e zbrazur të shqiptarëve të cilët njihen si populli më i varfër në rajon.

Deputetët e tillë i shërbejnë vetëm vetvetes, familjarëve të tyre, dajallarëve, farefisit, bashkëpartiakëve dhe të njohurve tjerë, të cilët ditë dhe natë luftojnë me të gjitha mënyrat për ta mbytur të vërtetën e hidhur dhe mbuluar padrejtësitë që ata sot i bëjnë këtij populli në të gjitha lëmit e jetës, si në punësim, kulturë, arsim etj. duke vrarë edhe ato pak shpresa për perspektivën e munguar e cila siç duket po bëhet gjithnjë e më largët për shqiptarët, nga veprimet e këtyre funksionarëve azganë që janë vënë mbi drejtësinë e frikësuar dhe të politizuar.

Madje, sipas shkrimeve në media, udhëheqësit e vendit morën guximin e tepruar, që për mes një "Komisioni për arsim" të bëjnë edhe fshirjen e ngutshme të kujtesës më të ndritshme kombëtare në tekstet shkollore të historisë, gjeografisë, e deri te ato të muzikës dhe letërsisë, sipas porosive turke dhe serbe për heqjen e tërësishme të frymës së trimërisë dhe heroizmave shqiptare nga librat e lartpërmendur shkollor.

Sipas asaj që mësojmë nga shtypi dhe historia e kaluar e popullit tonë, kështu ishte vepruar edhe dikur gjatë kohës nën pushtim përmes Komisionit të atëhershëm të caktuar nga Beogradi, për pastrimin e librave nga fryma kombëtare shqiptare, por ja që kështu veprohet edhe tani.

Në Kosovë, edhe sot paska njerëz të tillë që mbajnë funksione të rëndësishme në ministri e vende kyçe me peshë të lartë shtetërore, të cilët jo vetëm se janë ulur këmbëkryq mbi ligjin dhe drejtësinë, por pa asnjë hezitim dhe me dëshirë, kokë më vete ndryshojnë të kaluarën e bujshme dhe pjesët më të ndritshme të historisë së kombit tonë.

Ndaj, siç shihet, këta "burra" të fort e të paprekshëm, pa zgjedhje të reja dhe ndryshime të mëdha ligjore, nuk ka kush që mund t’i zbres e as shkarkojë nga funksionet e pamerituara edhe pse tanimë dihet hapur se një pjesë e mirë e tyre pa të drejtë vazhdojnë t’i mbajnë ato.

 

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.