Bashkimi kombëtar si aspiratë dhe realitet

16:21 / 29.12.2012

Xhavit Haliti
Xhavit Haliti

Veçoria jonë kombëtare mendoj se është një arsye e rëndësishme, por kurrsesi jo e vetme për ruajtjen, fuqizimin e manifestimin botërisht të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve. Dihet që për gati një shekull, shqiptarët, shtetas të ish-Federatës së Jugosllavisë, nuk u ndjenë kurrë të barabartë, sepse në vazhdimësi, si nga Beogradi mbretëror ashtu edhe nga ai komunist, u diskriminuan dhe u trajtuan teorikisht dhe realisht si qytetarë të rangut të dytë. Dallimi i dukshëm kombëtar nga sllavët, me të cilët nuk kishim një gjuhë, një kulturë, një fe dhe praktika tradicionale zakonore, i përballur dhe me dhunën shtetërore, shkaktoi te të gjithë shqiptarët efektin e kundërt.

Shqiptarët në Kosovë e fuqizuan ndjenjën kombëtare dhe aspiratën shekullore për bashkim kombëtar në kuadër të një shteti. Bashkimi kombëtar ka qenë frymëzim dhe objektiv i gjithë veprimtarisë time, por edhe i tërë bashkëmoshatarëve të mi, të cilësuar nga Beogradi “irredentistë” dhe “nacionalistë”. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi kombëtar vazhdon të mbetet jo vetëm aspiratë dhe objektiv i ish-luftëtarëve të UÇK-së, por i mbarë shqiptarëve që jetojnë në vazhdimësi territoriale edhe pas ndarjeve të kufijve politike mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Kombëtar ka qenë, është dhe do të mbetet aspiratë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar. Por, realizimin i një aspirate kaq madhore, që frymëzohet e merr forcë nga mbarë një popull i ndarë, kurrsesi nuk duhet të ndikohet nga emocionet dhe, ca më pak, nga interesat politike të momentit. Mendoj se festimet madhështore e mbresëlënëse të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë i shërbyen, para dhe pas 28 Nëntorit, fuqizimit emocional të idesë së bashkimit kombëtar. Dhe, ndikuan fuqishëm, sepse: së pari, 100-vjetori i pavarësisë, natyrshëm, sensibilizoi dhe aktivizoi mbarë shqiptarët për të shfaqur identitetin e përbashkët kombëtar dhe për të manifestuar përkatësinë individuale ndaj tij; së dyti, mbarë shqiptarët, me ndjesinë e të qenurit shqiptar, patën mundësinë dhe rastin për t’u shfaqur dhe për t’u ndjerë krenar e të barabartë për identitetin kombëtar mes bashkësisë së kombeve të botës.

Por, mitingu i Vlorës, i 27-nëntorit, me pjesëmarrjen mbresëlënëse të shqiptarëve nga trojet tona etnike në Ballkan e më gjerë, krijoi në politikë, më tepër se në opinionin publik, një imazh të pasaktë për “forcën” e kombit, që do të bashkojë shqiptarët. Deklarimet e ekzekutivit të Shqipërisë edhe pse përziejnë dëshirën (ndjenjën) me realizimin, krijojnë pështjellim. Ato pëlqehen nga unë, nga shokët e mi të luftës e të politikës në pushtet; pëlqehen jo vetëm nga Vetëvendosja, por edhe nga gjithë partitë shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë trevat etnike shqiptare në Ballkan.

Bashkimi kombëtar i mbarë shqiptarëve, që jetojnë në trojet e tyre etnike, ka qenë, është dhe do të mbetet një aspiratë e ligjshme dhe e pritshme për t’u realizuar kur gjithë Ballkani të bëhet pjesë e BE-së. Realiteti aktual politik, ekonomik dhe gjeopolitik nuk e favorizon, për të mos thënë që është hapur kundër me idenë e “bashkimit kombëtar”. Ismail Kadare, shkrimtari që na ka dhënë shumë emër shqiptarëve në Botë, kur u ndodh në një mëngjes pune me presidentin e Francës, Zh. Shirak, përballë pyetjes së bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, iu përgjigj se nuk do të ndodhte pa u krijuar kushtet (evropiane dhe ballkanase).

Edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Arvizu, kur u përball me këtë çështje u shpreh: “ Më lejoni të jem i qartë si kristali, absolutisht i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve kombëtar në rajonin e Ballkanit. Çdo përpjekje për ta bërë këtë, është kundërproduktive dhe destabilizuese”.

Mendoj se dy referencat e fundit e mbyllin këtë shkrim që është dhe do të mbetet për problematikën i diskutueshëm. Por, jo vetëm besoj, por edhe jam i bindur, që aspiratë e mbështetur dhe e udhëhequr nga arsyeja është pashmangësisht e realizueshme.


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
1:30 / 20.06.2013
Tuna

Shkëlqen zogu... (Video)

Pas pritjeve të gjata, është publikuar kënga e re me videoklip nga dy të dashuruarit më të përfolur të estradës, Tuna...
Teknologji
23:53 / 19.06.2013
Google: “Ne e duam Shqipërinë” (VIDEO)

Google: “Ne e duam Shqipërinë” (VIDEO)

Udhëheqësi i “webspam” team i Google-s, Matt Cutts, ndër pyetjet e shumta që iu janë drejtuar (që bëhen kryesisht ng...
Ekonomi
18:43 / 19.06.2013

Varfëria, kërcënim për trazira sociale

Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qin...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.