Rishkrim i historisë apo rikthim i nostalgjisë!

16:22 / 29.12.2012

Kur dhunimi shndërrohet në dashuri, pa alkimi: Jemi popull që çdo zhvillim politik a personal përpiqemi ta shesim si ngjarje historike. Qoftë edhe një dështim të zakonshëm. Sigurisht, për t’u paraqitur më bindës para atyre që duam t’ua shesim paçavurat tona personale dhe politike si të arritura të përjetshme - të amshueshme.

E tillë ka qenë dhe duket se po mbetet historia jonë të cilën nuk e kemi shkruar vet, por na e kanë shkruar dhe rishkruar të tjerët. Madje edhe robëruesit apo dhunuesit tanë. Tash, kur i kemi dy shtete shqiptare e që vërtet nuk na duhen fare kur është më se normale të jetë vetëm një shtet shqiptar për të cilin jam angazhuar gjithmonë dhe do të angazhohem edhe në të ardhmen, duket se edhe historia e ndanë fatin e dy shteteve.

Në Shqipëri është një histori, ndërsa në Kosovën e Ahtisarit një histori tjetër. Kuptohet, me bartës të ndarë të proceseve historike dhe personalitete që po e vulosin historinë më të re. E shkruar sipas interesave dhe “ fakteve” të atyre që janë në pushtet dhe nga të cilët edhe fillon historia e re. Histori të vjetër nuk kemi dhe as që na duhet ndryshe nuk do të ishim “ Young Europeans “. Paramendojeni Hashim Thaçin, Ismet Beqirin, Arben Gashin, Burim Ramadanin, Glauk Konjufcën, Petrit Selimin apo Enver Hoxhajn si “ Old Europeans “! Thjesht, e paimagjinueshme!

Po të ishte ndryshe dhe po të kishim mundësi ta shkruajmë vërtetë një histori objektive kombëtare pa ndërhyrje politike, nuk do të vinim në situatë që Doktori i Tropojës që doli nga shinjelli i Enver Hoxhës të bëhet aq demokrat dhe aq djathtist (duke bërë përpjekje titanike për mohimin e së kaluarës së tij staliniste apo majtizmit bizantin) që të rehabilitojë figurat kontroverse që dëmtuan shumë çështjen kombëtare dhe shtetërore, duke e shpallur personalitet me merita të mëdha për kombin dhe shtetin një cub që pasi e dhunoi shtetin e shpalli veten mbret pa pasur as një fije të vetme lidhjeje me mbretërinë! Madje, mbreti cub vrau Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin dhe shumë personalitete tjera për të cilët kemi menduar se kanë punuar për kombin dhe shtetin shqiptar.

Tash, cilës histori duhet t’i besojmë ?! Asaj të Sali Berishës apo fakteve të deritashme! A mund të merret si fakt historik që në emër të luftës kundër majtizmit apo opozitës majtiste, përkatësisht Edi Ramës, të rehabilitohen ata që e dëmtuan kombin dhe shtetin duke mbajtur pushtetin me xhandarë të Serbisë dhe bellogardistë të Rusisë dhe duke paguar rrogat për xhandarët e cub-mbretit nga buxheti i Nikolla Pashiqit! Që e lanë kombin dhe shtetin në kohët kur ai duhej të mbrohej dhe ia mbathën, me shpurën dhe pasurinë e plaçkitur për Egjipt dhe Afrikë të Jugut!

Mendja e shëndoshë thotë se nuk mund të jenë kombëtarë edhe mbreti cub Ahmet Zogu dhe Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi , Bajram Curri dhe patriotët e tjerë të vrarë nga mbreti cub. Dhe, nuk mund të vlerësohen njëjtë! Qoftë edhe nga Sali Berisha që pretendon që në moshën e gjyshërisë së shtyrë të bëhet Baba i të gjithë shqiptarëve. Aq më parë që kjo përpjekje e Sali Berishës është çështje marketingu për përfitim politik. Ndryshe, nëse e ka përnjëmend të gjithë shqiptarët botërisht do ta përkrahin dhe rreshtohen pas tij!

Në Kosovë është paraqitur një rishkrues i historisë duke kërkuar ndryshimin apo riformulimin e teksteve të historisë. Në emër të mënjanimit të gjuhës së urrejtjes. Ai është z. Davutogllu, ministri i Jashtëm turk që i dorëzoi një ferman Ramë Bujës që ky rishikim të bëhet me urgjencë! Pa humbur kohë, Rama e mori shumë seriozisht këtë “ kërkesë “ dhe duket se në librat e historisë okupimi 500 vjeçar otoman i Kosovës do të paraqitet si bashkëjetesë miqësore midis dy popujve me probleme të vogla të kohëpaskohshme që nuk kanë ndikuar në prishjen e miqësisë!

Nuk është normale të veprohet ndryshe kur turqve ua kemi shitur - falur pasurinë tokësore, nëntokësore dhe ajrore të Kosovës dhe kur fëmijët tanë i rrisim me ninullat për sulltaneshen Hyreme dhe sulltanët e tjerë të ish perandorisë! Ramë Buja nuk e thotë atë që duhet t’i thuhet Davutogllut se historinë e shqiptarëve e shkruajnë shqiptarët, sikur që historinë e turqve e shkruajnë turqit. Apo, historianët botërorë që mbështeten në fakte dhe jo në përpjekje për ringjallje të perandorisë së dështuar për rikthim përmes gllabërimit ekonomik, kontaminimit kulturor apo mohimit të fakteve.

Nëse mbështetemi në doktrinën e Davutogllut, atëherë me serbë duhet të jemi edhe më miq se me turqit sepse, nëse turqit na kanë mbajtur në robëri 500 vjet , serbët na kanë mbajtur 130 vjet! T’i thuhet se nuk mund ta ndërtojmë ardhmërinë duke e mohuar të kaluarën dhe se miqësia e sodit dhe ajo e së ardhmes nuk mund të kushtëzohet duke mohuar robërinë e së kaluarës! E vërteta është hallall!

Dy A me yje dhe tre B nën hije: Në historinë më të re të Kosovës dhe shqiptarisë në përgjithësi janë dy yje që nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë: Adem Demaçi dhe Adem Jashari! I pari si Komandant Legjendar Shpirtëror, Politik dhe Kombëtar në luftë për liri dhe shtet të shqiptarëve dhe si shembull sakrifice për të gjithë popujt e robëruar që e gjakojnë lirinë, ndërsa i dyti si Komandant Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u sakrifikua fizikisht për t’u shndërruar në shpirt gjithshqiptar e që nënkupton pavdekësinë e tij apo amshimin e përjetshëm!

Me të dy Ademat mburremi kur na bie adrenalina kombëtare dhe kur kemi deficit patriotik. O Hashim Thaçi ta di për nderë që ma mësove shprehjen deficit patriotik dhe tash po e përdori dhe keqpërdori majtas dhe djathtas! Si të kalojë kjo mungesë menjëherë i harrojmë!

Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë kryefjala e rezistencës kombëtare për liri dhe pavarësi të shqiptarëve dhe pa ta liria dhe pavarësia mbeten shprehje pa përmbajtje dhe pa kuptim! Por, edhe në këtë rast “historianët“ davutogllu të vendit po bëjnë përpjekje ta rishkruajnë historinë. Duke bërë përpjekje t’i shfrytëzojnë vetëm kur kanë nevojë apo edhe t’i margjinalizojnë politikisht dhe kombëtarisht gjithashtu kur kanë nevojë!

Adem Demaçin shumë herë e kanë shpallur të krisur, që nuk i prenë sakica në një vend, i shitur te Serbia, Hashimi apo te Brahimi. Për këtë arsye nuk e paskan vrarë serbët gjatë qëndrimit në Kosovë kur zhvillohej një luftë deri në asgjësim të shqiptarëve. Për këtë arsye e paskan lënë të hap Zyrën e UÇK-së në gojën e armikut në Prishtinë duke mos e penguar! Pastaj, horrat thonë se Adem Demaçi nuk ka qenë në burg 28 vjet të plota, por në pushime nën përkujdesjen e UDB-së. E mallkuan që nuk e pranonte Rambujenë dhe për këtë e pushkatuan publikisht shkrimtarë, politikanë, horrat e gazetarisë dhe ata që” ikën” si “ disident” për të fituar Çmimin Nobel në emër të demokracisë!

Adem Jasharin, këta që i kthyen prapanicën Serbisë e akuzonin si simbol të tiranisë. Jo vetëm në Prekaz, kryeqytetin e Pavarësisë së Kosovës ku jetonte, vepronte dhe bëri një sakrificë biblike, por edhe në qytetet tjera të Kosovës ku minjtë e “ demokracisë” gërryenin dhe përqeshnin sakrificën e këtyre figurave reale të shndërruara në mitike! Tash, ku kanë mbetur dy Ademat me yje?!

I pari Adem Demaçi, jeton në Prishtinë thuaja në margjinë. A ju kujtohet nëse edhe në datat apo ditët me rëndësi historike i është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës si tempull i demokracisë popullore t’i drejtohet miletit, në emër të shtetit?! Jo, sepse aty janë rezervuar vendet për tre B nën hije, dy prej të cilëve më parë kanë qenë edhe hafije! Apo lexojini librat e historisë në Shqipëri dhe Kosovë dhe e gjeni tekstin për Demaçin në dy rreshta të shkruara nga historianët pleshta! Prishtina po ndërton sheshe të bukura . Po sheshin nuk e zbukuron as graniti, mermeri dhe ndërtimet e tjera, por vepra e atyre që e krijuan historinë, o koka të mjera! Prishtinës i mungon Adem Jashari, Komandanti Legjendar i cili e bëri historinë më të re të shqiptarisë duke u shndërruar në udhërrëfim të lirisë!

Lëreni historinë që na e shkruan Titoja, Ali Shukriu, Sinani , Fadili dhe x kopili dhe kthehuni asaj të vërtetës e cila do të ligjërohej në Sheshin Adem Jashari në Prishtinë nga Komandanti Shpirtëror i shqiptarëve Adem Demaçi me të gjithë ata që me djersë, mundime, sakrifica dhe gjak vërtet e shkruan historinë!


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.