Në letër të bardhë

18:23 / 31.12.2012

Viti 2012 përfundoi në tentim të krijimit të atmosferës festive. Kryeqendra e Prishtinës mbulohet nga dritat, njerëzit shëtisin të qeshur, babadimrat bëjnë foto me fëmijët të cilët kënaqen me pamjet e tyre, athua se besojnë në plotësimin e dëshirave?

Kështu thyhet monotonia e zakonshme në Prishtinë dhe ta kujton festën.

E ne, si çdo fundvit, bëjmë llogaritë, bëjmë vlerësime, analizë të jetës që po jetojmë. Kujtojmë sukseset e dështimet e dymbëdhjetë muajve. Jeta në Kosovë ngjanë në ecjen mbi një urë që mund të shembet, plot sfida e përpjekje për të kaluar matanë, në vitin tjetër, ku shpenzimet do të zvogëlohen, rrogat do të rriten, punësimet do të bëhen… Dhe, pastaj prapë, në vitin tjetër….

Nuk është e çuditshme pse nuk i besonim fundit të botës dhe nuk ja kishim frikën. Këtu çdo gjë ecën ngadalë sikur në transmetimet më të ngadalësuara te xhirimeve të kamerës. Ka të ngjarë se edhe po të ndodhte fundi, tek ne do të vinte shumë më ngadalë se në pdo vend tjetër. Ndoshta edhe do të ndalonte fare!

Në këtë prirje për analizë në fund vit, nëse diçka do ta bënte më të lehtë gjykimin e pesimistëve dhe shfajësimin e vetvetes është fakti se në Kosovë fatkeqësisht nuk ekziston dhe nuk shqyrtohet termi ndërvarësi, sepse në këtë vend të vogël luhet në kartën e diferencave, dallimeve klasore, elitës dhe vegjëlisë, familjarëve dhe të huajve…. Në ambientin tonë të vështirë, për shkak të mos ekzistimit të termit ndërvarësi, shumëkush privohet nga mundësia të japë nga vetja dhe të marrë atë që i takon; privohet nga mundësia që çdo gjë të ketë kundërvlerë dhe secili ta kthejë dinjitetin e të qenit i vlefshëm. Nga kjo dukuri vuan punëtori në punë, studenti në fakulteti, të moshuarit , të gjitha gjeneratat…

Gjendja në të cilën të gjithë pa dallim u gjetëm në periudhat e vështira të Kosovës, edhe pse gjenerata të ndryshme, e botëkuptime të ndryshme, flet për nevojën që kemi për njëri-tjetrin dhe se tejkalimi i vështirësive sot kërkon ndërvarësi në baza të shëndosha të vlerave.

Sidoqoftë, 2013-ta qëndron para nesh, si një fletë e bardhë ku fillojmë të shkelim prej momentit kur dhjetë sekondat e fundit i numërojmë njëzëri. Të vetëdijshëm se viti që iku do të ngjasojë me këtë që po vjen. S’ka pse të na vije keq kur dëgjojmë të trumbetohen storiet e “suksesit”. Ndoshta ato do na bëjnë të ruajmë shpresën se të jetosh në Kosovë një ditë do të jetë e lehtë.

Të besojmë se secili aty ku gjendet do ta ndjej veten mirë, fëmijët të rriten të lumtur e të barabartë, të rinjtë të mund të realizojnë ëndrrat e tyre si moshatarët në vende të tjera të Evropës; njerëzit e pjekur të trajtohen sipas meritave dhe vlerave që kanë dhe të kenë mundësi që dijen e tyre ta transferojnë në mesin tonë duke e kthyer në vlerë të veçantë për shoqërinë; të moshuarit të shijojnë pak ditë të lumtura dhe të dinjitetshme… Kjo duhet të ndodhë një ditë.

Prandaj, nëse ka gjëra që nuk janë realizuar, mjafton të besojmë që udhëtimi ynë mbi “urën e lëkundur” është më afër “bregut” për një vit. Ndoshta do të arrijmë vitin tjetër.

Qoftë një vit i lehtë për të gjithë !

Gëzuar 2013!

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.