Islamofobia

17:28 / 2.01.2013

Duke qenë se parimisht është e udhës të kuptohet etimologjia e termave dhe fjalëve, edhe ne do të veprojmë njësoj, me shpresë se do ta qartësojmë kënaqshëm analizën mbi një çështje mjaft aktuale dhe problematike në shoqërinë në çdo vend në botë, edhe tek ne.

Islami është një nga tri fetë monoteiste dhe një nga dy fetë e ashtuquajtura Abrahamike. I është rishpallur të Dërguarit Muhammed a.s. dhe bazohet në Kuranin, fjalën e Allahut xh.sh. Fjala islam rrej nga gjuha arabe që, në kuptimin etimologjik, do të thotë paqe. Ndërsa, në kuptimin terminologjik nënkupton nënshtrimin dhe dorëzimin e vullnetit tënd te Zoti Fuqiplotë.

Fobia, nga greqisht phobos, do të thotë frikë ose frikë morbide, një frikë të fortë dhe joreale nga sendet, ndodhitë apo edhe ndjenjat. Ekzistojnë me qindra fobi të njohura: fobitë në objekte apo situata, insekte apo kafshë, fluturime etj., pastaj fobitë shoqërore që karakterizohen me turp publik apo reagime të pakontrolluara.

Fobia është një frikë e vazhdueshme të cilën personi e sheh gjithmonë aktuale, shpeshherë duke qenë krejt e paarsyeshme.

Islamofobia pra nënkupton një paragjykim apo urrejtje nga frika irracionale kundër Islamit, myslimanëve.

Më 1997, britaniku Runnymede Trust ka përcaktuar islamofobinë si frikë apo urrejtje të Islamit, përkatësisht, frikë dhe mosdashje të të gjithë myslimanëve, duke deklaruar gjithashtu se kjo i referohet praktikës së diskriminimit kundër myslimanëve duke i përjashtuar ata nga jeta ekonomike, shoqërore, publike e vendit.

Islamofobia pra referohet si frikë e pabazë dhe armiqësi ndaj islamit. Kjo frikë dhe armiqësi çon në diskriminim kundër myslimanëve duke i përjashtuar ata nga procesi i zakonshëm politik ose shoqëror, stereotipeve, prezumim të fajësisë nga ana e shoqatave, dhe në fund krime të urrejtjes.

Nga Stockholm International Forum on Combating Intolerance, islamofobia është njohur si një formë e intolerancës, sikur ksenofobia dhe antisemitizmi. Islamofobët kanë arsyetimet e tyre: Islami nuk ndan vlera të përbashkëta me fetë e tjera të mëdha; islami si fe është inferior ndaj Perëndimit dhe kulturave tjera. Është arkaik, barbar dhe irracional; është monolit dhe nuk mund të përshtatet me realitetet e reja; islami është fe e dhunës dhe mbështetet në terrorizëm; islami është një ideologji e politikës së dhunshme

Përgjithësisht, çdo arsyetim i islamofobëve është sipërfaqësor, dhe, siç pati thënë edhe Montogomery Watt për Muhammedin a.s., se në Perëndim asnjë personalitiet i madh historik nuk ishte ndriçuar më zbehtë se ai, përkatësisht, edhe islamofobët mund t’i konsiderojmë si mos njohës të islamit dhe paragjykues të mëdhenj.

Një tendencë e perceptuar e islamofobisë në rritje, gjatë viteve 2000 është dhënë nga komentatorët e sulmeve të 11 shtatorit, ndërsa të tjerët e lidhin atë me praninë në rritje të myslimanëve në botën perëndimore.

Në çdo cep të botës islamofobët kanë të njëjtat arsyetime. Edhe tek ne në Kosovë. Duke u parë me dyshim çdo mysliman, qoftë edhe fëmijë, si dhe me një shumëllojshmëri justifikueshmërie, komuniteti mysliman në botë dhe vend është vënë përpara një mos angazhimi total. Në këtë plan renditen edhe kritikat e myslimanëve drejtuar politikës ndërkombëtare e vendore, kritika këto që shpërfillen, dhe si të tilla konsiderohen “reaksionare”, “anti-semite” dhe “irracionale”.

Në planin global apo atë etnik, islamofobia mohon një nga fuqitë më të mëdha të botës dhe vendit, myslimanët si shoqëri multikulturore.

Prandaj, prania e islamit dhe myslimanëve në botë dhe vend duhet të shihet si një burim e forcë që mund të ndihmojë shumë në përmirësimin e imazhit të vendit në botë dhe gjendjes së katandisur etike në botë e vend. Duke mos hyrë fare në komentimin e ngjarjeve që ndodhën në botë dhe vend si rezultat i islamofobisë, përfshirë këtu edhe deklarimet e një pjese të politikanëve të vendit pas protestës se “plisave” kundër “Sex Partyt” dhe “Kosova 2.0-s” në Prishtinë, them se kultivimi i kësaj sjelljejeje është pa dyshim një virus shumë i dëmshëm për shoqërinë kudo qoftë, në botë e vend.

Pra, politikat e padrejta ndërkombëtare e vendore ndaj islamit dhe myslimanëve shkaktojnë vetëm nxitje dhune e reagimi, ndërsa dhuna e reagimi vazhdimisht po nxitë islamofobinë.

Prandaj, është e udhës dhe e një rëndësie të veçantë angazhimi i çdo njeriu në paraqitjen sa më reale të islamit, sepse, duke vepruar kësisoj do të ndihmonte në mirëqenien shoqërore dhe zbardhjen sa më të madhe të së vërtetës, pastaj, po veproi ndryshe do të gënjente.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.