Shqipëria ishte realisht e pavarur vetëm në kohën e Enver Hoxhës

14:44 / 5.01.2013

Figurat e pakontestuara dhe figurat e kontestuara historike të shtetëndërtimit të Shqipërisë duhet të definohen saktësisht, në bazë të fakteve konkrete juridike, politike e historike, e jo në bazë deklaratave të vetë akterëve apo në bazë intrigave të kundërshtarëve të tyre! Është krim ndaj kombit tonë t’i hyhet në hakë të vërtetës të historisë së tij reale!

Qëllimisht prita të kalojë disa kohë pas shënimit të përvjetorit të 100 të shpalljes së pavarësisë tonë kombëtare që të bien, edhe te unë personalisht, pak euforia e natyrshme emocionale që nxiti ky përvjetor te të gjithë ne; për të marr pak kohë për të menduar dhe që në mënyre sa ma reale të bëj një vlerësim të kësaj ngjarje të shekullit për ne shqiptarët.

E di se disave ky shkrim do t’ju vjen si një fllad i beharit i pranverës së ardhshme e disa të tjerëve të vërtetat do t’ju shkaktojnë dhembje, se do tua çjerrë maskat e vjetra dhe të reja të vasalëve të sundimit të huaj nga e kaluara dhe nga e tanishmja aktuale. Sidomos ata që ngjyrën kuqezi e kanë zëvendësuar me ngjyrën e kaltër. E kam fjalën për ata të “kombit” evropian, për ata të “kombit” jugosllav dhe për ata të “kombit” kosovar që po do kombin shqiptar me e shua në emër te krijimit të një shteti të ri të rrejshëm!

Por, nëse atyre nuk ju vjen turp me e falsifikua historinë tonë kombëtare, as mua nuk do të me vjen turp ta mbroj prej tyre të vërtetën historike, edhe pse dikush mundet ta vlerësojë këtë si guxim të marrë! Mendoj se guximi për të thënë të vërtetën për të kaluarën në çdo kohë është nder për secilin. E kaluara as nuk mund të fshihet as të ndryshohet.

Prandaj, edhe pse po jetojmë në kohën e diktaturës fundamentaliste të neofashizmit të ri botëror të gërbaqit e të karotës, e vërteta për të kaluarën tonë duhet të thuhet hapur ashtu si ka qenë në origjinal. Edhe për komunizmin duhet të flitet hapur, duke përfshirë të gjitha të metat si dhe të gjitha avantazhet që e kanë përcjellë. Askush nuk mundet ta mohojë se komunistët shqiptarë të Tiranës ishin ata që u rreshtuan në aleancën antifashiste kundër nazifashizmit dhe se komunistët shqiptarë të Prishtinës ishin ata që ju kundërvunë fashizmit titist jugosllav edhe me protesta e demonstrata, edhe me luftë tëԯ armatosur, deri në shkatërrimin e RSFJ-së. Ata ishin ata që u përballuan me burgosjet, me syrgjynosjet deri me luftën e armatosur si dhe me krimet sllave duke u bërë mburojë e parë e popullit shqiptar nën sundimin e republikave jugosllave.

Personalitetet e kthesave të mëdha historike

Për arsye se historia jonë kombëtare, që nga periudha e Skënderbeut e deri te periudha e LPK-së, është përmbushur me plot luftëra dhe ka aq shumë njerëz të mëdhenj, është e pamundur që të numërohen emrat e secilit prej tyre në një shkrim të vetëm. Andaj do të kufizohem vetëm në emrat e më të mëdhenjve ndër më të mëdhenjtë e kombit tonë. Ata janë: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Ismail Qemaili, Fan Noli (për periudhën osmane), Ali Kelmendi, Myslim Peza, Enver Hoxha (për periudhën socialiste), Adem Demaçi, Joseph J. DioGuardi , Adem Jashari, Osman Dumoshi për periudhën e Jugosllavisë titiste dhe ideologët e liderët e vërtetë të demonstratave të vitit 1968 e 1981 me kërkesën për Republikën e Kosovës, që ishin autorë të kthesave të mëdha historike dhe që u bënë shkaktarë të shkatërrimit të ish Jugosllavisë. Këto personalitete i dhanë vulën personale historisë sonë kombëtare, andaj ata nuk mundet t´i anashkalojë askush!

Është e pakuptueshme që edhe me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nga strukturat aktuale u provua që disa nga këta emra të anashkalohen dhe të tjerët me paturpësi i morën meritat e tyre. Ata provuan t´i falsifikojnë datat historike dhe akterët. Mashtrues e dilinxhij profesional të maskuar pas patriotizmit te rrejshëm të tyre që gjithmonë jetuan si parazitë e profiterë të fatkeqësive tona kombëtare. Ata që në emër të gjakut që derdhën të tjerët u munduan të krijojnë autoritet të rrejshëm për veti. Këtyre nuk kam nevojë me ua përmend emrat se ata e dinë vet se kush janë.

Në Shqipëri autorët e shkatërrimit te Shqipërisë të viteve të ´90, autorët e piramidave të mashtrimit, autorët e 1997-s, autorët e Gërdecit e të dhurimit të ujërave tona detare te grekët, si dhe autorët e thyerjes se embargos së naftës me Bullatoviqin e Millosheviqin, akuzojnë Enver Hoxhën për krime - edhe pse vetëm në vitin 1997 ndodhën më shumë krime se sa për kohën 50 vjeçare të Enver Hoxhës. Ata që e katandisën Shqipërinë në shkopin varfërisë e të mjerimit social e moral, sa nuk ka ku shkon më poshtë, e akuzonin Enver Hoxhën edhe për tradhti.

Për Enver Hoxhën dhanë edhe kualifikime denigruese ata që kurrë nuk arritën ta bëjnë Shqipërinë të pavarur e sovran si në kohen e Enver Hoxhës. Për periudhën e Enver Hoxhës mundet të debatohet me tone kritike për shumëçka në lidhje me mënyrat veprimit, por se në këtë periudhë Shqipëria ishte me e pavarur se kurdoherë tjetër, kjo nuk mund të kontestohet nga askush! Megjithatë, mu këto strukturat aktuale që Shqipërinë e përplasën me faqe për dhe, e akuzojnë Enver Hoxhën për atë që e bënë vet pas tij.

Ky falsifikim i historisë kombëtare nga pozitat e institucioneve aktuale u bë nga ata që në 20 vitet e fundit më së shumti i kanë dëmtuar proceset drejt çlirimit e bashkimit kombëtar, duke qenë marioneta të një sundimi të huaj kolonial në vendin tonë. Në mesin e tyre ka edhe shumë asi që në histori hyrën si patriot dhe që nga historia dolën si tradhtar, sepse në momente kyçe, për interesat e tyre egocentrike, ia kthyen shpinën kauzës kombëtare.

Këto përpjekje të tyre për të anashkaluar, heshtur e denigruar personalitet që ishin autorë të ndërtimit të proceseve të çlirimit e bashkimit kombëtar, nuk e ulin vlerën e vërtetë të veprave e këtyre personaliteteve, por vetëm momentalisht e mjegullojnë të vërtetën e cila herët a vonë do të del në dritën e diellit.

Ka dallim mes figurave kombëtare dhe figurave shtetërore

Të them se me rastin e këtij 100 vjetorit shqiptarët në tërësi dhanë një provim historik të pjekurisë si komb! Harta aktuale kombëtare e mavijosur me goditjet me ngjyrën e kaltër të ekstremit ultra të djathtë globalist, edhe një herë në tërësi mori ngjyrën e vet nacionale kuqezi! Kjo ishte prova e tretë në historinë tonë kombëtare e disfatave të ngjyrave përçarëse krahinore, fetare e ideologjike të ekstremeve ultra të majta dhe ultra të djathta të imponuara nga ana e armiqve tanë dhe të veglave të tyre vendore!

Kjo fuqimisht dhe botërisht ka ripërsëritur qëndrimin unik të kombit tonë se nuk ka fe as s´ka parti që përçan këtë shqiptari. Pra, kjo dëshmon se përçarjet e nxitura përmes agjenturave të huaja partiake, as tani nuk arritën përmasa kombëtare, por ato përçarje kanë mbetur në suaza të fraksioneve partiake.

Nëse e kemi parasysh numrin e vogël të anëtarësisë së partive politike në krahasim me numrin e popullatës, mund të themi se edhe sot pjesa dërmuese e kombit tonë ka unitet të padiskutueshëm rreth flamurit kuqezi. Kjo u pa edhe në këtë përvjetor! Edhe pse vegjetojnë mbi 100 parti politike, i tërë numri i anëtarësisë i të gjitha partive politike nuk e kalon 10 përqindëshin të numrit të përgjithshëm të popullsisë në vendin tonë - edhe pse partitë vazhdimisht e mbajnë top-sekret numrin e saktë te anëtarësisë së tyre. Ka "parti" që nuk e mbushin as një autobus me anëtarë, por megjithatë ato e zhvatin buxhetin e vendit si ushejzat gjakun e viktimës, duke jetuar si parazitë në kurrizin e popullit të vet.

Aktualisht kombi ynë është në kërkim dhe ka nevojë për një figurë të re unifikuese e cila do t’i prijë drejtë bashkimit kombëtar të të gjitha viseve brenda një shteti unik shqiptar. Kjo nuk është fare e lehtë, kur e kemi para syve zhurmën shurdhuese hipokrite të partive politike parazite.

Tani, pa hyrë në kundërthëniet e mundshëm të qeverisjes së brendshme të kohës se Skënderbeut, të kohës së Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës, mundet të vlerësohet se këto janë tri figurat kryesore të shtetndërtimit të kombit shqiptar që qëndruan në krye të pushteti një kohë më të gjatë, edhe pse shtetet e tyre kurrë nuk arritën të përfshijnë tërë viset tona etnike brenda shtetit shqiptar.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Historia e Skënderbeut është e njohur për të gjithë dhe se atë kurrë nuk e ka mohuar as kontestuar asnjë shqiptar me mendje të kthjellët. Edhe pse në atë kohë nuk ka pas shtete të mirëfillta nacionale, mundet të thuhet lirisht se në kohen e Skënderbeut fillon krijimi i shtetit shqiptar. Prandaj, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është Isus Krishti apo Muhameti i shqiptarëve. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është baba i shqiptarëve! Prandaj, shqiptarët e njohin vetëm Zotin në qiell dhe veten zot në tokat shqiptare. S’ka agresor që i shkeli tokat tona dhe që herët a vonë nuk iku me bisht nën shalë si bishat e plagosura që ikin nga viktimat e veta që nuk arritën kurrë t’i mposhtin plotësisht .

Ajo që e karakterizon kohën e Gjergj Kastriotit është ndarja e botës në të krishterë, që si emblemë identifikuese e kishin kryqin dhe në myslimanë që si emblemë identifikuese e kishin gjysmë-hënën e yllin në flamujt e tyre. Ndërsa, Gjergj Kastrioti mori shqiponjën si emblemë identifikuese të shtetësisë shqiptare, duke bërë të qartë mëvetësinë e pavarësinë e popullit shqiptar dhe të trojeve të tij nga sundimet perandorake të krishterimit e islamizmit botëror.

Natyrisht se edhe Gjergj Kastrioti nuk e ka pas lehtë me veglat vendore të këtyre dy taborëve, duke pas parasysh ndikimin e madh të Kishës dhe të Xhamisë. S´ka dilemë se edhe vet Skënderbeu ka pas elementë opozitarë e tradhtarë, të burgosur e kundërshtarë.

Kundërshtarët e çdo pushteti e kalojnë keq në atë pushtet dhe ata nuk kanë fjalë të mirë për të. Sikur që ata që e mbështesin pushtetin kalojnë më mirë dhe kanë fjalë të mira për atë pushtet. Ky raport individual me pushtetet është karakteristik për të gjitha periudhat e mëvonshme.

Ahmet Zogu

Koha e Ahmet Zogut nuk mund të shpallet inekzistente. Nga shpallja e pavarësisë e deri te ardhja në pushtet e Ahmet Zogut, nga rilindësit tanë u bënë përpjekje të shumta që të ndërtohet një shtet liberal demokratik, por të cilin nuk e lanë kurrë të konsolidohet bajraktarët reaksionarë e anarkistë të asaj kohe, duke luftuaar mes veti për pushtet të përjetshëm. Ata e detyruan edhe vet Ismail Qemalin të braktisë atdheun dhe të kthehet e të vdes në mërgim në rrethana shumë të dyshimta. Kështu, nga 1912 e deri në ardhjen në pushte të Zogut kemi ndryshime shumë të shpeshta të qeverive në Tiranë.

Kjo anarki vazhdoi deri te grushteti i Ahmet Zogut. Roli i Ahmet Zogut në shtetësinë e shqiptare është real. Sepse, ai sundoi në Shqipëri deri më 1939. Kushdo që aso kohe donte të vinte në pushtet kundër tij, përgatiteshin atentate nga rivalët e anës tjetër. Zogu e dinte se lidhjet e tij me Beogradin nuk kishin mbetur pa u vërejtur dhe ai e dinte se ose duhej t’i vriste patriotët kundërshtarë ose ai vet do të vritej nga ata. Zogu qëndron pas gati tëra vrasjeve të patriotëve tanë më të mëdhenj.
Ahmet Zogu e kuptoi më së miri nga bashkëkohësit e vet se shteti është aparat dhune në duar të klasës sunduese dhe se Shqipëria nuk bëhet shtet kurrë duke ndërruar qeveritë orë e çast. Andaj, ai vendosi ta përdorë dhunën për krijimin e shtetit. Dihet se ai ishte i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve të vet. Kështu, me ardhjen e tij ndërpriten tërë proceset e ndërtimit të demokracisë liberale në Shqipëri.

Faktet historike flasin se në kohën e tij filloi ndërtimi i administratës shtetërore të kohës duke përfshirë edhe nxjerrjen e monedhës nacionale e vendosjen e bazave të arsimimit shqip etj. Por, Ahmet Zogu, si kusar që ishte, e tradhtoi Shqipërinë dhe e vodhi thesarin e shtetit, e ia ktheu Shqipërisë shpinën kur Mbreti e kishte për detyrë të dilte në mbrojtjen vendit nga agresioni fashist italian të vitit 1939. Për këto arsye ai nuk mund të konsiderohet si personalitet pozitiv i historisë kombëtare. Në kohën e Ahmet Zogut, Shqipëria londineze formalisht ka pas pavarësi, por kurrë nuk ka qenë e pavarur realisht nga Beogradi e nga qendrat tjera reaksionare.

Mbreti Zog ishte marionetë e Beogradit dhe kjo lidhje tradhtie me Beogradin nisë me dajën e tij Esat Toptanin dhe përfundon me djalin e tij Leka Zogun, i cili ka bërë përpjekje që përmes Titos të marr pushtetin në Shqipëri sërish. Me këto kërkesa Leka Zogu ju ka drejtuar Beogradit me shkrim kah fundi i viteve të 1970-ta.

Periudha e sundimit të Ahmet Zogut ka nevojë për një gjykim të mirëfilltë juridik, politik dhe historik, sepse deri me tani ka pas paragjykime politike ekstreme pozitive e negative, por jo edhe një gjykim të mirëfilltë e real.

Kështu duhet vepruar edhe me figurat tjera historike të këtij profili në të dy anët e kufirit. Sepse, pozicione të ngjashme kanë pas edhe liderët tjerë politikë gjatë regjimit të ish Jugosllavisë në raport me pushtet në Beograd, sikur që qëndrime identike kanë sot liderët aktual politik në raport me Brukselin.

Enver Hoxha

Nuk ka dilemë se pas luftës së dytë botërore, deri me mbledhjen e Infobyros të vitit 1948, kur erdhi te konflikti me Titon, dhe nga kjo kohë e deri te konflikti me Hrushqovin, politika Enver Hoxhës ishte shumë e varur nga Titoja e Stalini. Shqipëria pastaj ishte në marrëdhënie të mira me Kinën, por ato marrëdhënie nuk ishin të raportit të varësisë si me Titon e me Stalinin më parë.

Komunistëve shqiptarë, ideologjia internacionaliste ua kishte turbulluar vetëdijen kombëtare, përafërsisht si tani politika globaliste që ua ka turbulluar mendjen disa politikanëve nihilistë aktualë.

Gjatë luftës së Dytë Botërore Tempoja, Mugosha e Milladini me instruksionet e Titos eliminuan krerët e grupeve komuniste shqiptare me përvojën që ata e kishin krijuar nga Ali Kelmendi, të cilët Titoja nuk do të mundte t’i mashtronte si e mashtroi grupin e ri te komunistëve shqiptarë pa përvojë, në ballë me Enver Hoxhën. Enver Hoxha pat nevojë për disa vite rresht që të bëhet politikan dhe burrështetas i kalibrit të mirëfilltë. Por, simbolikisht thënë, Enver Hoxha posa e kaloi “pubertetin” politik ju kthye tërësisht kombit e atdheut të vet.

Pra, ka vend për kritika edhe të kësaj periudhe dhe është e udhës që edhe për kohën e pushtetit të Enver Hoxhës të mbahet një gjykim juridik, politik e historik për të bëmat e asaj kohe në bazë të fakteve e dëshmive konkrete me të cilat arrihet vlerësimi real i kësaj periudhe historike, që të dihet konkretisht përgjegjësia dhe meritat e secilit akter dhe që të mos ndodhë që tradhtarët të shpallen heronj e heronjtë të shpallen tradhtar, si ishte rastisi fundit me Ahmet Zogun. Edhe viktimave të keqpërdorimeve të pushtetit të kohës së Enver Hoxhës duhet t’ju jepet rasti të thonë fjalën e vet. Dhe, ata të dëmshpërblehen nëse nuk kanë qenë fajtorë. Ndërsa, kriminelët të ballafaqohen me drejtësinë për veprat e veta, e jo të fajësohen edhe ata që nuk kanë faje për krimet e njerëzve të pushteti të kohës së Enver Hoxhës.

Si ka mundësi që Ahmet Zogu të krahasohet me Hasan Prishtinën apo Fadil Hoxha të krahasohet me Shaban Polluzhën. Kur Zogu e Hoxha kanë bashkëpunuar me Beogradin kundër shqiptarëve patriotë, ndërsa Hasan Prishtina e Shaban Polluzha kanë qenë viktima të tyre. Pra, kjo përzierjeje e helmit me mjaltë është një specialitet i politikanëve të moderuar Made in Bruksel. Ja edhe tani ata që shkelën betimin e UÇK-së që nga Rambujea e deri në Bruksel, marrin guxim të thirren në emrin e Adem Jasharit e të heronjve tjerë, edhe pse vet e dinë mirë se Adem Jashari, po të ishte gjallë sot, do t’i ekzekutonte si tradhtarë për shkeljen e betimit, për ndryshimin e flamurit e himnit dhe të identitetit kombëtar shqiptar në kosovar.

Nga ajo kohë e deri pas vdekjes së Enver Hoxhës, Shqipëria në kufijtë londinez ishte plotësisht e pavarur si në aspektin ideologjik-politik, si në aspektin ekonomik e ushtarak, sa as fqinjët shovinistë dhe as fuqitë e mëdha nuk vendosnin dot për ndërmarrjen e ndonjë agresioni ndaj Shqipërisë së Enver Hoxhës, sepse e dinin se i tërë populli është i rreshtuar pas tij dhe se pa u derdhë lumenj gjaku të ushtrive të tyre Shqipëria nuk do të mund të pushtohej nga askush. Prandaj, Shqipëria në 100 vitet e kaluara ishte plotësisht e pavarur vetëm në këtë periudhe të pushtetit të Enver Hoxhës.

Se çfarë ndodhi pas pushtetit të PPSH-së nuk kemi nevojë ta përshkruajmë fare, sepse jemi vet dëshmitarë se si Shqipëria e humbi sovranitetin politik, ekonomik e ushtarak të vendit dhe se ajo sot ka vetëm një pavarësi formale deklarative.

Mbi liderët e periudhës... pas Enver Hoxhës

Për liderët pas Enver Hoxhës është tepër herët të bëhet bilanci i karrierës së tyre politike. Tani për tani mundet të thuhet se ata në raport me Brukselin po i përsërisin gabimet e Ahmet Zogut dhe Fadil Hoxhës që ata kishin në raport me Beogradin. Por, ata ende munden të bëjnë edhe kthesa pozitive, andaj nuk është e udhës që të flitet me paragjykime se si liderët e sotëm do ta përmbyllin karrierën e vet politike. Shembull për këtë është edhe kthesa pozitive e Sali Berishës me rastin e shënimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Andaj, duhet vëzhguar me kujdese nëse këto kthesa janë reale apo vetëm farsë parazgjedhore. Në vlerësimin e personaliteteve gjithmonë duhet përmbajtur parimit kryesor që të bardhës t´i thuhet e bardhë dhe të zezës duhet thënë e zezë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.