Pasiguria në shkollat e Maqedonisë: Viktima gjithnjë shqiptarët!

21:34 / 6.01.2013

Si shumëçka shqiptare në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë edhe arsimi shqiptar është në kaos. Përveç problemeve të shumta nëpër shkollat e IRJM-së - si diskriminimi etnik ndaj nxënësve shqiptar, tekstet fyese ndaj shqiptarëve, zvarritja e vendimeve për të punësuarit shqiptarë, transporti i nxënësve dhe punëtorëve shqiptarë, mungesa e hapësirave për shkollat shqipe, mungesa e teknologjisë së mirëfilltë, shkollat e politizuar, mos ndryshimi i emrave sllavë në shkollat shqipe - problem më vete është edhe pasiguria.

Ajo është e pranishme në çdo hapësirë shkollore, duke filluar nga oborri i shkollës, korridoret e duke mbaruar në klasat dhe zyrat e shkollave. Pas shumë problemeve, është vërejtur se faktori kryesor që e nxitë pasigurinë në shkolla është “bashkëjetesa” ndëretnike, e cila është prodhim i një politike të pamoralshme, e një politike “qorre”.

Burimin e këtyre konflikteve dhe zgjidhjen e tyre shumë lehtë mund ta ilustrojmë me një fragment nga vepra e Migjenit: “E gjithë mosmarrëveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngase të gjithë kemi nëpër shtëpija (shtete), nëpër vatra, ka nji ose ma tepër të këtillë të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh (shqiptar-sllav). Çashtja me ta qëndron si çashtja e nji operacioni: ose ta presish kambën dhe të rrosh, ose mos ta presish kambën dhe të vdesish” (“Studenti në shtëpi”).

Këto ngjarje nuk ndodhin në Evropë (ku duan të integrohen), pasi atje nuk ka shtete të tilla primitive, shtete ku lufta vazhdimisht kërcënon paqen, ku qeveria sulmon diku 40 për qind e rinisë, ku vazhdimisht diskriminohet dhe vritet populli, vetëm pse nuk asimilohet. Thjesht, nxënësit shqiptarë diskriminohen, rrihen e shkelen vetëm se nuk pranojnë të asimilohen, ndërsa politikanët dhe mediat shqiptare nuk diskriminohen, nuk rrihen dhe nuk shkelen pasi pranojnë të asimilohen.

Janë këta politikanët tanë shqiptarë, kjo klasë e “shantazhuar” që e përkrah këtë kurs politik. Kjo politikë e cila jep gjithçka për të mbijetuar ky shtet multietnik, shtet të cilin e duan më shumë se Shqipërinë për të cilën u betuan. Ata japin gjithçka, aman bash gjithçka për zbatimin e kësaj politike. E japin edhe pasurinë kombëtare, historinë e lavdishme (nëpërmjet teksteve shkollore dhe akademike) dhe pasurinë më të madhe kombëtare: rininë. Si rezultat i kësaj politike të dështuar, kemi vazhdimisht viktima; viktima që pasqyrojnë dekadencën në shoqërinë shqiptare të IRJM-së. Po flasim veç për shkolla, e nuk po zgjerohemi më shumë...

Derisa nga një hulumtim i ARM-së është përfunduar se 48 për qind e nxënësve ndjejnë pasiguri në shkollë dhe ky eksperiment (bashkëjetesa ndëretnike) po dështon, ndërkohë OSBE-ja dhe UNICEF-i bashkë me politikanët shqiptarë vazhdojnë të përkrahin politikat e qeveris së IRJM-së, duke bërë projekte për bashkëjetesën ndëretnike me tituj: “Siguria në shkolla dhe toleranca ndëretnike”…

Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të mbijetojë asnjëherë ky shtet multietnik në këtë mënyrë. Ose barazi ose s’mund të ekzistojë! Megjithatë, ekziston edhe një mundësi shumë më e keqe për shqiptarët: ata një herë e përgjithmonë të harrojnë se çka është liria. Atëherë nuk do të reagojmë më kundër robërisë, aq sa çdokush i lirë do të na thotë: “Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç’do të thotë qyteti i lirë, sepse ju po rriteni në robëri. Unë e kam vështirë të të shpjegoj këtë gjë, më beso. Atëherë çdo gjë do të jetë kaq ndryshe, kaq e bukur, saqë në fillim me siguri të gjithë do të hutohemi” (“Kronikë në gur” fq 37-38).

Viktimat e rrahjes së 4 janarit, si shumë viktima në të kaluarën dhe në të ardhmen, janë si pasojë e krijimit, përkrahjes së kësaj politike nga politikanë shqiptarë të shantazhuar të IRJM-së, që asnjëherë nuk morën guximin të lëshojnë qeverinë për interesa kombëtare. Për këtë, nxënësit shqiptarë, si gjithë shqiptarët, njëzëri të brohorasin drejt Kosovës dhe Shqipërisë: Ndihmë!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.