Lapidari në Preshevë - iluzion i rrezikshëm?

21:34 / 6.01.2013

Lapidari (pllaka përkujtimore) me emrat e dëshmorëve të Luftës së fundit çlirimtare në Luginën e Preshevës, u vendos me pompozitet në mes të qendrës së qytetit shqiptar të Preshevës, si shenjim i një historie të re të një përpjekje të armatosur për çlirim kombëtar. Kjo pllakë mermeri me emrat e dëshmorëve të gdhendur mbi të, befasisht u shndërrua në "mollë sherri" mes pushtetit lokal shqiptarë në Preshevë, kryeministrit serb Ivica Dacic dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaqi. Pakkush e priste një komplikim të tillë të situatës e aq më pak një "frikë" të Ministrit të Policisë serbe Dacic për ta larguar. Të gjithë janë habitur me ngurrimin dhe durimin e Dacicit për ta larguar lapidarin e dëshmorëve dhe të gjithë kanë mbetur të habitur me lutjet e tij që shqiptarët vet ta heqin lapidarin nga qendra e qytetit.

Serbia shfrytëzon lapidarin e dëshmorëve për kusuritje me Kosovën në dëm të shqiptarëve në përgjithësi dhe Luginës së Preshevës në veçanti.

"Lutjet" e Dacicit dhe durimi i tij prej diplomati të urtë, për të pritur momentin që me një gjuajtje t’i vras disa zogj, ka filluar t’i jap rezultatet e para. Ani pse shqiptarët me naivitet e shohin si "fitore" të tyre kundra forcave policore të Serbisë, Dacici dhe Qeveria serbe me shumë perfiditet po ekzekutojnë planin qeveritar për bisedime me Kosovën duke neutralizuar Luginën e Preshevës, veçmas temat e “nxehta” që preokupojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Qeveria Serbe e di mjaft mirë se patjetër që në një etapë të caktuar të bisedimeve me Kosovën do të ballafaqohet me kërkesën për një moment bisedimesh mbi problemet e shqiptarëve në Luginë dhe pikërisht ky lapidar i vendosur në kohë të gabuar, vend të gabuar, po i shërben Dacicit për të kanalizuar me lehtësi bisedimet që kanë të bëjnë mbi Luginën vetëm rreth një pllake mermeri dhe legjitimitetin e vendosjes së tij, në vend se këto bisedime të ishin të koncentruara mbi tematikat më jetike që preokupojnë shqiptarët atje.

Vendosja e lapidarit të dëshmorëve në këtë kohë është gabim trashanik, i pamenduar dhe kundërproduktiv për këto arsyeje:

- Ekzistenca e lapidarëve të dëshmorëve në gjendje okupimi e vret forcën liridashëse të një populli, sepse krijon iluzionin e çlirimit tek njerëzit ku gjithçka duket mirë, e në realitet gjithçka është si më parë - kemi gjendje okupimi. Iluzion që bënë njerëzit pasivë duke i shtyrë të mendojnë se "ja u vendos dhe lapidari, Serbia nuk po ndërmerr asgjë, edhe ajo e ka pranuar realitetin dhe është tërhequr dhe s’ia vlen më të mundohemi më shumë". Ky iluzion kolektiv Serbisë ia lehtëson rrugën për pasivizimin e popullatës shqiptare dhe vazhdimin e kolonizimit të saj. Jo rastësisht Dacici e ka faktorizuar aq shumë (rritur para mediave ) problematikën e lapidarit me të vetmin qëllim, që para shqiptarëve ky lapidar të duket si diçka e madhe me shumë vlerë që po i "pengon" aq shumë kryeministrit të urryer serb.

- Ekzistenca e lapidarit, vendosja e tij në kohë të gabuar dhe vend të gabuar, po i ndihmon Serbisë të zhvendoset vëmendja në kah të kundërt me interesat jetike të shqiptarëve të Luginës, në vend se përpara ambasadorëve të huaj, Qeverisë në Prishtinë dhe qeverive mike në botë të promovohen kërkesat për zgjidhjen e problemeve më jetike, sikurse janë :

1. Universitet shqip në Luginë
2. Spital regjional
3. Uzurpimin dhe vjedhjen (blerjen me çmime jo adekuate) të pronave shqiptare rreth Korridorit 10-të, territor strategjikë për të ardhmen
4. Pikëkalimeve kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë
5. Demilitarizimin e Luginës së Preshevës
6. Tendencat e rrezikshme për ndarjen e qytetit të Bujanocit mbi baza etnike
7. Planin Nikolic-Putin që do të konkretizohet brenda 2013-së dhe fillojë realizimin pas 2014-së, të ndërtimit të rrugës lundruese Danub-Deti Egje dhe bisedimet sekrete që po zhvillon presidenti serb me investitorë potencial nga Kina, Rusia dhe Gjermania.
8. Promovimin e kërkesës shqiptare që tek projekti inxhinierik ujor Danub-Deti Egje duhet të kyçen ekskluzivisht investitorët amerikanë mbi paktin e 17 janarit të 1913-së mes SHBA-së dhe Rusisë
9. Dëmet e luftës së vitit 1999 dhe 2001
10. Gjenocidin modern (pa gjak) të shqiptarëve në Medvegjë dhe malësitë e Karadakut të Preshevës dhe Bujanovcit...

Janë shumë e shumë probleme jetike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nesër ose pasnesër do të duheshin të diskutoheshin dhe me to të merreshin ambasadat e huaja, në vend se të diskutohet për një pllakë mermeri që sado që ka peshën e vet emblematike, as për së afërmi nuk mundet të krahasohet me tematika tjera ekzistenciale për etnosin shqiptar në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Nuk guxojmë të pranojmë që të kënaqemi me "tolerancën" serbe nëse Dacici pranon përpara ambasadorëve të huaj që mos ta largoi lapidarin e dëshmorëve, sepse ky "lëshim" i Dacicit ka çmimin e vet në forcimin e kërkesave të tij për serbët në Kosovë dhe pasivizimin e kërkesave të shqiptarëve në Luginë. Për ndërkombëtarët çdo kërkesë tjetër nga Lugina e Preshevës do të ishte e tepruar. pasi që Serbia "pranoi" luftën e tyre çlirimtare dhe "tolerimi" serb nuk duhet të keqkuptohet më shumë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.