“Bijat” e Kuvendit

13:57 / 8.01.2013

Nëse hapim raftet me pluhur nga historia, do të kuptojmë që gruaja gjithmonë ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha fushat. Pasi fituan edhe të drejtat e tyre natyrore dhe dolën nga kuintet maskiliste, ato dita-ditës u pozicionuan në sektorë të ndryshëm, edhe në fushën e politikbërjes. Madje, zunë vende të rëndësishme edhe në instancat më të larta drejtuese (gjë që s’ka asgjë të keqe këtu, përkundër stigmatizimit të femrës si “inferiore”).

Pa shtuar asnjë dozë feminizmi, mendoj që inkuadrimi i femrës në politikë është esencial, madje i argumentuar edhe nga shumë liderë me nam botërorë të cilët pranojnë se pa ndikimin e grave të tyre (bashkshortes, nënës apo motrës) nuk do të arrinin atë sukses. Madje, ato rezultojnë të jenë edhe më të pakorruptuara dhe respektuese të ligjit.

Arsimimi i gruas - sidomos në fushën e politikës - ishte i vonuar. Kuptohet që edhe barazimi politik mes të dy gjinive kërkon kohë që të ekuilibrohet. Jo që do të doja që gruaja të triumfojë mbi burrin, por realisht nuk dua që as burri të vazhdojë të udhëheq. Ajo çka di që dua është barazi mes gruas dhe burrit në kuadrin politik. P.sh. Franca detyron me ligj të gjitha partitë politike në vend, të vendosin një numër të barabartë kandidatësh mes grave dhe burrave; Suedia prin me 45 për qind të deputeteve gra; përqindjen më të lartë të grave anëtare në Parlamenti Evropian e ka Holanda me 52 për qind, ndërsa Estonia me përqindje të barabartë 50 me 50 për qind.

Përkundër barazisë që proklamojnë këto shtete, jam shumë e sigurt që mbi të gjitha, dhe mbi barazinë, këto shtete duan që meritokracia të funksionojë. Meritokracia është një ideologji. Ndoshta është më shumë se një ideologji, e cila nënkupton që individët të cilët aplikojnë në çfarëdo pozicioni duhet “gjykuar” në bazë të meritave që posedojnë, e aty përfshihen elemente të ndryshme nga inteligjenca, morali, karizma, kultura e përgjithshme e deri te zotësitë specifike. “Merita” në vetvete duhet të jetë konsiderata më e rëndësishme gjatë një vlerësimi.

Mirëpo, aplikimi i meritokracisë te ne duket se s`ka gjetur përshtatje, sepse partitë tona politike, duke marrë “hyxhym” të cilësohen cilësu si shumë liberale dhe promovuese të aspektit të barazisë, kanë inkuadruar gra me thes në politikë, gjë që lë vend për të dyshuar në meritokracinë që përfaqësojnë (qofsha e gabuar).

Përkundër kualifikimeve të disa deputeteve gra në Kuvendin e Kosovës, që janë për t`u admiruar, hasa në disa emra që mua personalisht më rezultuan si të pa thirrura ndonjëherë. Po i përmend vetëm disa: Lumnije Morina,Lirije Kajtazin, Myzejene Selmani, Hasime Krasniqi, Vjollca Krasniqi, Xhevahire Izmaku, Kymete Bajraktari, Salihe Mustafa (kërkoj falje nëse kam harruar dikë). U mendova gjatë nëse ndonjëra nga to kishte ngritur ndonjë çështje; nëse kishte dhënë ndonjë deklaratë për media apo nëse kishte bërë ndonjë pyetje - qoftë edhe ndonjë skandal që do të mbahej mend?!

Memoria ime u përballë me një terr informativ, derisa pash raportin e KDI-së (Institutit Demokratik të Kosovës) dhe aty gjeta edhe “aktivizmin” e tyre, e ku shumica nga to jo që nuk kishin ngritur asnjë çështje, por nuk kishin bërë as edhe një pyetje të vetme: as edhe nga kureshtja (siç edhe njihen gratë në përgjithësi) e llre më që të shprehnin interesim për ndonjë çështje që është diskutuar aty.

Prezenca e tyre në Kuvend më ngjante si prezenca e disa “bijave” në dasmat tona tradicionale, ku përveç përshëndetjes që iu dhurojnë në fillim protagonistëve të organizimit, gjejnë karriget e tyre shpejt e shpejt dhe pozicionohen që të shohin spektaklin. Të tjerët vallëzojnë, përderisa ato vazhdojnë të qëndrojnë ulur dhe të shfrytëzojnë rastin, pse jo edhe të hanë gjithë ëmbëlsirat e servuara. Spektakli vazhdon me disa të tjerë që i janë futur valles pa ditur se si të hedhin hapin, por që së paku i sheh tek lëvizin dhe bëjnë përpjekjet e tyre që të mbërrijnë hapat e të tjerëve.

Populli thotë: “Kur hin në valle duhet me kcy”. Kam përshtypjen që të lartpërmendurat jo që nuk dinë se çfarë valle po luhet, por dyshojë nëse dinë se për çfarë janë aty. Të jesh deputete në Kuvend të Kosovës, të kesh misionin e përfaqësimit të interesave të gjithë shoqërisë, duke përfshirë edhe vetveten, dhe të mos kesh asnjë çështje me interes për të diskutuar, të mos kesh asnjë pyetje për të bërë, as edhe ndonjë replikë as edhe ndonjë përgjigje, kjo rezulton në dy gjëra: Mundësia që Kryeparlamentari Jakup Krasniqi të ua ketë ndalur mikrofonin (gjë që rrallë ndodhë) dhe t`i kemi zgjidhur të gjitha çështjet dhe se intervenime të tjera verbale, e sidomos të atyre femërore, të jenë të panevojshme. Këtë të dytën jo që nuk e besoj, por nuk e shoh as afër, përderisa nuk ka barazi politike, jo vetëm në kuantitet por edhe në aktivizim.

Kërkimet nga shumë vende të botës kanë treguar se pabarazitë gjinore kanë tendencë të ulin zhvillimin ekonomik dhe ngritja nga varfëria të jetë edhe më e vështirë, ndërkohë që në kontot e këtyre deputeteve do vazhdojë të deponohet nënshtrimi, manipulimi, korrupsioni, derisa të rikthejnë përsëri në skenë edhe vlerësimin që iu është bërë në kohën antike, si spurdhjake dhe krijesa të parëndësishme. Atëherë do të përballemi me “fukarallëkun” e vërtetë.

Është koha të vijë një brez që do të arrijë t`i neutralizojë të këqijat e papranueshme të mentalitetit tonë, të grave si “nënshtruese ndaj burrave” dhe burrave si “nënshtrues ndaj të huajve”. Është koha t`i hyni valles, ose ta ndalni muzikën.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.