Platforma, një akrobaci diplomatike e Nikolicit

15:23 / 9.01.2013

Platforma e Serbisë për Kosovë e paraqitur nga presidenti Tomislav Nikolic kanë ngjallur shqetësim shumë dimensional nga faktorë të ndryshëm. Me këtë dokument, Serbia, në relacionin me Kosovën, vazhdon të jetë pjesë e një rrëfimi jo të mirë në sytë e investitorëve diplomatikë e politikë perëndimorë, që kanë pikësynim stabilizimin e relacioneve ndërmjet dy vendeve dhe integrimin e tyre në familjen evropiane.

Kjo politikë në vazhdimësi shihet si një lojë zikzake e manovrimit të diplomacisë serbe, me të cilën përpiqet të rikthejë pozicionin e saj në pikën zero. Kjo platformë e shprehur në retorikën e re të politikës së jashtme serbe nuk sinjalizon për ndonjë kthesë në raportet dypalëshe. Për më tepër, me këtë tentohet të arrihen disa rezultate të kontrolluara dhe njëkohësisht të bllokojë hyrjen e Kosovës në organizata multilaterale. Me këtë dokument, që u bë pjesë e debateve jozyrtare në qendrat e vendosjes, shihet se Nikolici nuk ka ndryshuar dioptrinë në syze për të besuar në një kthesë të politikës zyrtare serbe në raport me Kosovën.

Me këtë ai dëshiron të arrijë dy qëllime: njërin në planin e brendshëm dhe tjetrin në atë të jashtëm. Në të parin të eliminojë rivalët e tij, rejtingu medial i të cilëve është në rritje, duke tentuar të zhvendosë të gjitha problemet e tij të brendshme në Kosovë. Megjithatë, ky dokument vetvetiu është një shenjë rezistence ndaj integrimeve evropiane të Serbisë. Nikolici ka imponuar që Kuvendi i Serbisë do të duhet të miratojë apo rrëzojë platformën. Qëllimi është i qartë, që t’i pamundësohet Qeverisë së Serbisë të bisedojë me Qeverinë e Kosovës në kornizat aktuale.

Nikolici thuhet se brenda natës nga hapësira zyrtare ka hequr temën dominante të korrupsionit, ndërsa ka rikthyer çështjen e shtetit, sipas shijes së vet. Se a do të arrijë Nikolici të mbajë këtë rezistencë mbetet për t'u parë. Madje, rregullat e lojës të vendosura nga Nikolici janë vërejtur edhe me deklarimin e hapur të Dacicit se nuk do të vazhdojë bisedimet pa heqjen përmendores së dëshmorëve të UÇMPB-së. Pra, ai ka arritur t’ia diktojë Qeveris ë së Serbisë rregullat e lojës.

Në planin ndërkombëtar kjo rezistencë e Serbisë shihet si një luhatje nga pozicioni pro integrimeve evropiane. Të vetëdijshëm se nuk mund të ketë kthim prapa, Serbia dëshiron të arrijë disa qëllime në Kosovë në planin gjeostrategjik.

E para: nxjerrja e sa më shumë favoreve dhe mbi pakon Ahtisaari për serbët e Kosovës; bllokimin e anëtarësimit të Prishtinës zyrtare në organizatat multilaterale; menaxhimin e një pjese të ekonomisë së Kosovës; mbajtjen nën kontroll të pjesës veriore dhe pamundësimit të ndërtimit të korridoreve rrugore mes Kosovës dhe Sanxhakut, si alternativë e korridorit X dhe diktimin e lidhjeve të Kosovës me korridoret rrugore në rajon. E dyta: bllokimin e zhvillimit dhe forcimit të strukturave të sigurisë së Kosovës.

Pavarësisht këtyre akrobacive të diplomacisë serbe, Prishtina zyrtare është në një pozicion të favorshëm dhe nuk ka arsye për ndonjë koncesion jashtë pakos Ahtisaari. Nëse Kosova vazhdon të jetë e sfiduar në anëtarësimin e saj në disa organizata multilaterale, aty ku Moska ka të drejtë vetoje, hiq më pak do të jetë e sfiduar edhe vetë Serbia, e cila duhet të respektojë rregullat e BE-së, nëse do anëtarësimin. Aleatët e saj nuk do të mund të kenë ndonjë ndikim të madh, duke qenë se nuk janë pjesë e BE.

Pra, pozita e Beogradit në raporte bilaterale me shtetet me ndikim, por edhe organizata multilaterale nuk është aq e favorshme siç pasqyrohet. Njohës të zhvillimeve thonë se hapësira e veprimit diplomatik të Serbisë është duke u ngushtuar në mes përcaktimit të ardhmes së saj. Serbia në platformë pasqyron pozicionin e saj ndërkombëtar, duke vlerësuar mbështetjen e mundshme nga aleatë të saj. Dihet se marrëdhëniet dhe raportet qoftë bilaterale apo multilaterale janë të kushtëzuar nga shumë faktorë dhe në këtë vijimësi të zhvillimeve, Kosova nuk ka obligim të paguajë çfarëdo tagri. Kjo pasi në situatën aktuale Kosova është duke luftuar vetëm për mbushjen e ditarit me njohje të reja dhe anëtarësim në organizata të ndryshme.

Ndërsa, Serbia më tepër është e okupuar në nxjerrjen e përfitimeve sa më të mëdha ekonomike, përmes rrafshit politik. Beogradi, siç thekson, mund të llogaris në mbështetjen e Moskës vetëm sa i përket vazhdimit të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në disa organizata, në të cilat ka të drejtë vetoje. Megjithatë, edhe këtë e ka në masë më të madhe të kushtëzuar. Kjo edhe mund të shihet në dokumentin e Ministrisë së Jashtme Ruse, në maj të vitit 2007, që precizon qartë interesat dhe prioritetet në Ballkan.

Pra, interesi rus në rajon është i qartë. Këto janë në rrafshin bilateral dhe nuk nënkuptojnë kurrfarë kornize të përbashkët politike me vendet e rajonit. Nga ana tjetër, BE, si një mekanizëm multilateral, është i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë bisedime në bazë të rregullave të parapërcaktuara dhe të vendosura sikurse për të gjitha vendet që janë apo aspirojnë të bëhen pjesë e kësaj familje. Pra, me vetë faktin se ky mekanizëm njeh dhe mbështet pakon Ahtisaari, në bazë të së cilës është mbështetur dhe njohur pavarësia e Kosovës, nuk kanë asnjë arsye dhe argument të devijojnë nga qëndrimi i tyre nga ky dokument. E dyta: të gjitha vendet e Ballkanit, veç Serbisë janë ose pritet të bëhen anëtar të BE.

Andaj, politika zyrtare e Kosovës çdo herë e më shumë duhet t'i referohet vetëm pakos Ahtisaari dhe asgjë më shumë. Sepse Kosova është duke zbatuar një dokument me standardet më të larta për pakicat në nivel ndërkombëtar. Ndryshe çdo veprim tjetër mund të përdoret xhokeri i reciprocitetit, që pak do të ishte joshëse për pranim nga ana e palës tjetër marrë parasysh problemet e brendshme edhe me pakicat tjera.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.