Dushk për gogla!

14:10 / 11.01.2013

Kujtim Sadriu
Kujtim Sadriu

Lapidari i dëshmorëve të ish UÇPMB-së, i ngritur spontanisht në Preshevë, ka vënë në lëvizje faktorin relevant shqiptar, në mbrojte të tij, nga ndonjë rrënim eventual.

Kërcënimet e Beogradit se monumenti duhet ta heqin vetë shqiptarët, me “qejf ose me zor”, ka rreshtuar shqiptarët gardh, të gjithë në mbrojte të lapidarit!

Derisa spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës argëtohet rreth unitetit të shqiptarëve, kudo qofshin ata, Beogradi në mënyrë institucionale e diplomatike po përgatitet ta shkëpus një autonomi për serbët e veriut.

Çfarë paradoksi?! Shqiptarët në Preshevë luftojnë për ta mbrojtur Lapidarin, serbët e Kosovës çështjen e tyre e ngritën në nivel të bisedimeve Prishtinë-Beograd, duke e avancuar statusin e tyre në nivel autonom.

Llogaritni kush po del fitimtar në këtë aferë Lapidari?!

Presheva do ta mbrojë pllakën përkujtimore, duke ngelur me kompetenca të ngushta komunale ashtu siç ka qenë prej kohësh, kurse Mitrovica do të fitoj autonomi politiko-territoriale. Ja ku qëndron loja politike: dushk për gogla!

Beogradi nuk shqetësohet shumë për një Lapidar në Luginë, se të tilla ka mjaft në këto tri komuna, e as për flamujt kombëtar që valojnë nëpër varrezat shqiptare. Mund të ngrihen pllaka e lapidare sa të duan, në rrugët që mbajnë emra të personaliteteve serbe.

Pushtetet lokale, Këshilli “Nacional” e “deputeti” republikan, nuk i kanë ndërruar emrat e shesheve, rrugëve dhe institucioneve, e hahen me iniciativa se si ta ngritin përmendoren e Skënderbeut në Preshevës? Logjikoni: A i ka hije shtatores së Skënderbeut në sheshin Karaxhorgje Petroviç?!

Skena politike në Preshevë, e trimëruar nga mbështetja morale e faktorit shqiptar në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e diasporë, se duhet të ketë “kujdes Beogradi me Luginën”, ka zhvendosur agjendën e zhvillimeve politike nga veriu në lindje të Kosovës.

Kjo politikë folkloriste i shkon për shtati Beogradit, i cili as që e ka pasur në plan ta prish Lapidarin në Preshevë, por qëllimi ka qenë të përfitoj në kohë për ta miratuar rezolutën e platformës për veriun e Kosovës.

Në këtë valle Beogradi e ka përfshirë edhe Bashkimin Evropian, i cili ka udhëzuar shqiptarët ta zhvendosin lapidarin dhe problemet t’i zgjidhin në frymën e ligjit. Jo vetëm lapidari, por edhe Flamuri Kombëtar duhet të ndryshohet në frymën e zakoneve serbe. Qe ku të çon politika e Beogradit dhe Evropës?!

Prishtina zyrtare duhet t’i heq taksat e polisave të sigurimit në kufij për shqiptarë e Luginës; sa më shpejt të krijojë lehtësira jo vetëm për qarkullim njerëzor e vëllazëror, por edhe të liroj studentët nga krahu i saj lindor nga të gjitha taksat e regjistrimit, strehimit e ushqimit nëpër universitete; të krijojë kushte për trajtim shëndetësor të vëllezërve nga Lugina, të nxis materialisht iniciativa dhe projekte me interes qytetar e kombëtar etj.

Me miliona euro sot grumbullohen nga taksat e kalimeve kufitare vetëm për shqiptarët e Luginës, pastaj nga taksat e studentëve dhe turizmi në bregdetet shqiptare. Me këto para, jo të gjitha, por vetëm një përqindje e tyre të ishin derdh në llogari të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, punët do t’i kishin pasur më ndryshe.

Për ta mbuluar këtë marifetllëk vëllazëror; për ta hequr vëmendjen e shqiptarëve nga skamja e migrimet në heshtje, sajohen probleme të mëdha kombëtare deri te bashkimi me fjalë dhe kopalla. Çka i duhet sot bashkimi kombëtar Medvegjës, kur s’po mbetet më shqiptar as për Flamur as për Lapidar!

Edhe një defekt tjetër i skenës politike shqiptare në Luginë, dhunon trurin e qytetarëve. Shqiptarët e Ulqinit nuk e kanë dert të thonë se janë shqiptar nga Mali i Zi; shqiptarët e Shkupit, po ashtu nuk brengosen pse u tonë se janë shqiptarë nga Maqedonia; kurse këta të Luginës nuk dëshirojnë ta shqiptojnë as fjalën Serbi, në të cilën janë integruar përmes zgjedhjeve lokale, parlamentare e nacionale.

Derisa shqiptarët e Luginës të mos lirohen nga komplekset e inferioritetit, ata edhe më tej do të ushqehen me iluzione përrallore, duke u zhytur në probleme, ngërçe ekonomike e politike deri në një lëkundje të bërthamës etnike si në Medvegjë.

Ja paradoksi?! Beogradi ka thirr seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit për të miratuar Platformën për Kosovën, kurse një pjesë e spektrit politik shqiptar në Luginë e kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme të këshilltarëve komunalë për ta mbrojtur Lapidarin, në vend se ta korrigjonin Platformën e 2006-tës, në të cilën e shohin zgjidhjen e vendit sipas Planit të Ahtisarit.

E pa kuptueshme, madje e mjerueshme?!


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
13:28 / 24.05.2013
Beyonce

Beyonce me linjë të saj të modës

Beyonce ka krijuar linjën e saj personale të modës të quajtur “Beyonce Boutique” për ueb-faqen Rent the Runway, ku das...
Teknologji
13:50 / 24.05.2013
Huawei të debutojë me Ascend P6

Huawei të debutojë me Ascend P6

Muajin e ardhshëm, saktësisht më 18 qershor, Huawei do të mbajnë një ngjarje të re mediale, në të cilën thuhet se do ...
Ekonomi
14:49 / 24.05.2013

Kusari – Lila inkurajon Turqit të investojnë në sektorin e prodhimit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, priti delegacion të bizneseve dhe t...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.