Takimet e pritshme Jahjaga-Nikolic, Thaçi-Dacic dhe Petrovic-Vucic

14:11 / 11.01.2013

Problemi kyç i Kosovës në politikën e jashtme është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Kosovën tashmë e ka njohur gjysma e kombeve të botës, dhe nga gjithë kombet e mbetura, njohja nga ana e Serbisë mbetet më e rëndësishmja. Kosova nuk mund ta injorojë këtë problem.

Metoda më efikase kish me qenë ajo që Kosova t’i nisë avionët e saj dhe mos ta ndalë bombardimin e Beogradit derisa Qeveria e Serbisë ta njohë Kosovën. Metodë tjetër efikase kish me qenë ajo që trupat komando të Kosovës të nisen drejt Beogradit dhe ta rrëzojnë qeverinë në Beograd e ta qesin në pushtet një qeveri që do ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Kur në një konferencë po flisja këto fjalë, gjithë diplomatët e pranishëm - natyrisht, e dinin që po parodizoj - u shqyen së qeshuri. Si do ta pushtojmë Beogradin kur nuk ishim të zotë të çlirohemi vet?! Si do t’i çojmë trupat komando në Beograd kur krye-heroi ynë, Adem Jashari, është vrarë nga policia serbe në shtëpinë e vet.?!

E vetmja rrugë që na mbetët lidhur me këtë çështje është që përmes aleatëve tanë, Washingtonit e Brukselit, t’i bëjmë presion Beogradit që të lëshojë pe pak e nga pak. Në fakt, këtë punë po e bëjnë Washingtoni e Brukseli pa i animuar ne fare.

Për ironi, ne kemi qëlluar aq kokëmushka sa duke mos e kuptuar interesin tonë, aleatët tanë po shpenzojnë më shumë energji për të na bindur ne se sa duke i bërë presion Beogradit.

Madje, liderët kosovarë me paturpësinë më të madhe arsyetohen para publikut se “kemi presion nga Washingtoni e Brukseli”. Ndonjëri shkon edhe më tej duke deklaruar se “ne nuk po i bëjmë presion të mjaftueshëm Brukselit e Washingtonit”.

Çka është tepër - tepër është. Fjala presion duhet hequr fare nga fjalori i politikanëve kosovarë. Askujt në Kosovë nuk duhet t’i shkojë mendja t’i bëjë presion Perëndimit e as të ankohet se Perëndimi po na bënë presion. Fjalët që duhet të përdorën për të shprehur këto relacione duhet të jenë: “Ne po animojmë Brukselin e Washingtonin për këtë çështje”, “ne duhet ta animojmë Brukselin e Washingtonin për filan çështje” etj.

Ndërsa, për relacionin Bruksel apo Washington në drejtim të Prishtinës, duhet të përdoren shprehjet: “Kemi këshillën nga Brukseli dhe/apo Washingtoni”, “na është sugjeruar që të veprojmë kështu apo ashtu lidhur me këtë çështje” etj.

Dhe, përderisa edhe Washingtoni edhe Brukseli na sugjerojnë bisedimet me Beogradin, atëherë të gjitha energjitë tona duhet të fokusohen në këtë drejtim në mënyrë që të kalojmë sa mirë në këtë Pazar, i cili fatkeqësisht po bëhet për vendin tonë. Po bëhet për atë se deri në çmasë Kosova formalisht e pavarur do të jetë e varur nga Beogradi. Ky është çmimi i ngecjes së funksionimit të shtetit të Kosovës në terren. Ky është çmimi i dështimit të turpshëm të aksionit të 25 Korrikut 2011, kur njësitet policisë speciale të Kosovës u thyen keq nga strukturat e shtetit të Serbisë në veri të Kosovës.

Së bashku me aleatët tanë duhet ta gjejmë rrugën më të lehtë për të paguar këtë fature që vetë e shkaktuam me budallallëkun apo paaftësinë tonë.

Në fakt, është turp për pushtuesin e deridjeshëm. Atuja e fundit që pushtuesi i deridjeshëm e ka në dorë është mosnjohja e rezultateve të luftës.

Greqia moderne shpalli pavarësinë e sajë më 1 Janar 1822 e u njoh nga Fuqitë e Mëdha të kohës më 3 Shkurt 1830, iu desh që të paguante 15 milionë franga ari Perandorisë Osmane vetëm që kjo e fundit t’ia njihte pavarësinë më 1835.

Po kështu, kur shtetet ballkanike i pushtuan territoret evropiane të Perandorisë Osmane me anë të Luftës së Parë Ballkanike, haraçi që u desh të paguajnë këto shtete Perandorisë Osmane në këmbim që ajo t’ua njihte territoret e pushtuara ishte që ta njihnin një shtet shqiptar me kufij që do t’ia përcaktonin Fuqitë e Mëdha.

Që Serbisë t’i njihej pushtimi i Kosovës ajo u desh të tërhiqet nga Durrësi, Tirana e Elbasani; që Malit të Zi t’i njihej pushtimi i Pejës e viseve tjera u desh që të tërhiqet nga Shkodra; që Greqisë t’i njihej pushtimi i Janinës e Selanikut ajo u desh të tërhiqet nga Korça e Gjirokastra etj.

Tani njohja e Kosovës nga ana e Serbisë e ka çmimin e vet. Këtë çmim ne po vazhdojmë ta paguajmë që 14 vite. Rruga që detyron Serbinë ta njeh Kosovën është e mundimshme, por nuk është e pamundur. Dikur as me dokumente të UNMIK-ut nuk mund të shkoje në Beograd, sot shkon edhe me letërnjoftim të Kosovës dhe me targa KS. Më 2003, kryeministri i Serbisë me shumë frikë e hezitim më zgjati dorën, pse unë isha përfaqësues i shoqërisë civile kosovare, kurse sot kryeministri i Serbisë ulët për darkë me kryeministrin e Kosovës.

Këto janë ecje të ngadalshme, por kush na ka fajin që nuk ecim më shpejt. Edhe lidershipi edhe qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se vajtimi që ne vazhdojmë të jemi viktimë dëmton interesat tona. Kosovarët nuk duhet t’i luten Beogradit për njohje, por duhet t’ia imponojnë njohjen me çmimin më të vogël të mundshëm.

Takimi mes Thaçit e Dacicit në Bruksel është një hap përpara. Nga aspekti formal, takimi Jahjaga-Nikolic është akoma më i rëndësishëm. Derisa aleatët tanë sugjerojnë që ky takim të jetë në një vend neutral, Presidenca e Kosovës duhet të animojë që takimi të ndodhë në Prishtinë. Presidentja nuk duhet të hezitojë ta bëjë ftesën publike.

Gjithsesi, takimi më i rëndësishëm për Kosovën është ai mes z/kryeministrave Slobodan Petrovic dhe Aleksandar Vucic. Për këtë takim duhet animuar që të ndodhë në Beograd. Edhe nëse Petrovicit nuk i bëhet pritje me flamur të Kosovës dhe nuk i intonohet himni i Kosovës në Beograd, një flamur të vogël të Kosovës do të mund ta mbante në xhaketë.

Ky takim është më i rëndësishëm për Kosovën se Jahjaga-Nikolic e Thaçi-Dacic për vetë faktin se i Petrovici i takon komunitetit etnik serb. Derisa takimet e tjera mund të interpretohen si takime të liderëve shtetëror serbë me përfaqësues të komunitetit shqiptar, takimi i zyrtar Vucicit me Petrovicin është njohje de facto e institucioneve të Kosovës, edhe pse akoma jo njohje e shtetit të Kosovës. E kjo d.m.th. një hap më pran njohjes së Kosovës.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.