“Po luajmë qeveri, po luajmë koalicion”

22:46 / 13.01.2013

“Oferta jonë për koalicion qeverisës me PDK-në është ofertë për me punu, ofertë që qytetarëve të Kosovës do t’ju sillte një të ardhme më të mirë”... Mbase, kohëve të fundit shumë shpesh dëgjojmë deklarata të tilla nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pothuajse në çdo paraqitje publike të tij, që prej lirimit nga Tribunali i Hagës për herë të dytë.

Ofertë për loalicion me kë z. Haradinaj? Me PDK-në!? Disa vite më herët, madje që prej themelimit të këtyre dy partive të dala nga krahu i luftës, vazhdimisht keni pasur “hasmëri” me kryeministrin aktual. Polarizimet dolën sheshazi madje edhe për gjëra krejt banale nganjëherë. Polemika gjithandej, dhe atë duke filluar në nivel kryetarësh partie.

Te shkojmë radhazi: Zgjedhjet nacionale të vitit 2004 nxorën si fituese LDK-në e Presidentit Rugova, pastaj PDK u radhit e dyta, AAK e treta. Kur Presidenti Rugova arriti marrëveshje me Haradinajn për bashkëqeverisje, partisë së Thaçit jo vetëm qe i mbeti “hatri”, por filluan të akuzojnë edhe për tradhti!

Më pastaj, një sërë ndryshimesh përcollën skenën politike në Kosovë, si: shkuarja e Haradinajt në Hagë, vdekja e Presidentit Rugova, lidershipi i ri i LDK-së e më pas ndarja e kësaj partie në dysh, formimi i partisë së re nga biznesmeni Behgjet Pacolli etj. Ndërkohë që jeta politike po zhvillohej dhe demokracia parlamentare po bënte hapat përpara, na gjejnë zgjedhjet parlamentare të nëntorit 2007.

Tani që PDK fiton zgjedhjet për herë të parë, Thaçi dhe Sejdiu arrijnë marrëveshje për Qeverisje të vendit. Kjo mbase edhe për faktin se kishin përafruar qëndrimet e tyre gjatë kohës sa kaluan bashkë në Ekipin e Unitetit që po negocionte me Serbinë në procesin e Vjenës , në tentim të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Koalicioni nuk i pëlqen AAK-së (tash partisë së pestë parlamentare), sepse për këtë parti është i “panatyrshëm” dhe “joparimor”.

Fillimi i prillit të vitit 2008 solli lajmin për lirimin e Ramush Haradinajt si të pafajshëm për të gjitha akuzat që ishte ngarkuar nga Tribunali i Hagës. Thaçi po përjetonte muajt e tij të parë në udhëheqje të Qeverisë. Megjithatë, nuk i bëri shumë që të organizonte pritje a protokoll shtetëror për Haradinajn, me gjasë po ndihej komod në petkun prej kryeministri.

Pak më shumë se dy vjet (prill 2008- korrik 2010) Haradinaj pati mundësinë të bëjë opozitën kundrejt Qeverisë. E pamë të jetë aktiv, shumë aktiv në akuza e kundërakuza. Si çështje ndër më të rëndësishmen aktualizoi veprimtarinë e mjegullt të SHIK-ut.

Sërish zgjedhje parlamentare (2010), sërish pa Haradinajn në Kosovë. Bile, zgjedhje për mos më keq, me parregullsi enorme të evidentuara nga organizata vendore e ndërkombëtare. Me rezultate skajshmërisht të devijuara, formohet Qeveria Thaçi 2.

Disa prej deklaratave “çimento” të zyrtarëve të AAK-së, përgjatë viteve: 1. Kurrë koalicion me PDK-në; 2. Kurrë koalicion me PDK-në përderisa Thaçi të jetë në krye të partisë; 3. Po koalicion me PDK-në, por me kusht që Ramushi të jetë Kryeministër!...

Kush e di se cila do të jetë deklarata e radhës? Sot pothuajse ndryshoi gjithçka. Jemi dëshmitarë që po zhvillohen negociata për një koalicion mundshëm. Por, a do të ishte ky një koalicioni PDK-AAK i panatyrshëm? A do të ishte një koalicion “për të mirën e vendit”? Cilat janë profilizimet e bujshme të partive në fjalë, që aq shumë u proklamuan? Kush duhet të jetë kryeministër? Apo, është kjo etje për pushtet? Z. Haradinaj, pse nuk provoni koalicion me AKR-në!? Mbase nuk do të kishit telashe për ndarjen e posteve, sepse z. Pacolli synon Presidencën, ju Kryeministrinë! Pak ironi!

Besoj, është e qartë se qeverisja aktuale nuk ka legjitimitet dhe nuk mund të punoj në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Sa më parë që na ndodhin ndryshime në qeverisje, aq më mirë do të ishte për vendin tonë. Por, le të ndodhin ndryshimet si rezultat i vullnetit të qytetarëve në një proces të rregullt zgjedhor, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme, pse jo. Le të mos na ndodhin ndryshime si rezultat i marrëveshjeve xhentëlmene, marrëveshjeve të “zarfit”. Të mos luajmë Qeveri, të mos luajmë Koalicion... Urojmë!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.