Islami në prag të Portës së Lartë!

14:47 / 15.01.2013

Nuk duhet që duke e lavdëruar një perandori të mundohemi ta mbrojmë islamin. Islami është i pastër nga të tillët! Gabim shumë i madh i myslimanëve të sotshëm është që mundohen ta arsyetojnë vërtetësinë e islamit me veprat myslimane.

Islami mbrohet ashtu si jemi urdhëruar nga Profeti Muhammed (s.a.v.s.), duke u përmbajtur dhe mburrur me Kur'anin dhe sunnetin e tij, e jo me vepra tjera njerëzore! Aq më keq kur disa thonë se janë nipër të atyre. Kështu - duke qenë të pavetëdijshëm se në të njëjtën kohë pranojnë të jenë edhe nipër rusë apo moldavë e sllavë në përgjithësi - dihet se po t`i kemi ne gjysh ata, gjyshet tona do të ishin sllave nga haremet e tyre. Më keq kjo kur edhe do të ishim të gjithë pasardhës jashtë kurore!

Kërkoj ndjesë për ata që duke i ikur realitetit mundohen të bëhen myslimanë pseudofilë, përderisa islami është i pastër nga këto. Qëllimet politike janë jashtë islamit! Lajkat gjithmonë shpijnë në humbje, sepse gjithmonë janë në itinerar të gabuar. Ajo që thuhet zë vendin e vërtetësisë vetëm nëse nga e tashmja vlen si e pastër. Fundja, nëse jemi të dyshimtë mbi këto realitete, dyshimit i duhet larguar, se ajo çon në haram.

Histori e islamit është vetëm ajo që është e shkruar në Kuran dhe sira e profetit (s.a.v.s). Asgjë tjetër pos saj nuk duhet marrë për shqyt në mbrojtje të Islamit. Askujt nuk i duhet përkulur dhe asgjë nuk duhet marrë për ledhe në mbështetje, sepse çdo njeri është i vdekshëm para të qenit i gabueshëm dhe çdo kështjellë mund të rrezohet para të qenit në vend të gabuar e ndërtuar.

Mos lejoni që në zemrat tuaja të ndërtohen kështjella që vendin s’e kanë aty dhe mos lejoni që kështjellat tuaja sosh të tilla të jenë mburojë për të tjerët, se ju jeni të vdekshëm, po aq dhe të gabueshëm. Mos i bëni të tjerët ta pranojnë islamin tuaj, por islami lejoni që të tjerët t`i pranojë të pastër nga shtytja juaj!

Lutjet qofshin çdo ditë që të jemi larg dhe sa më prapa në kohë me islamin tonë, se i vërteti është vetëm ai i pari. Para se ta hidhni një gur në themelin e pallatit tuaj të xhenetit, hidheni një të tillë shejtanit, kjo do të jetë më e thellë. Ju nuk do të rrëzoheni, gjunjëzimin do e keni vetëm para Allahut, përkulja nuk do ju gjejë në vdekje për mëkatin.

Mos shikoni dritën ta gjeni kokëlartë, ajo është diku në tokë, vetëm kur balli t`ju rrëqethet nën zërin e dënesës dhe vetëm kur sytë tuaj ujitin tokën, që të tjerët të mbijnë…

Hapni një kapitull të ri në zemrën tuaj ta ushqeni pastër mendjen që t`ju ndrijë rrugën, se veten do e gjeni vetëm kokulur, sa më ulur, lartësia është vetëm për Atë, ju atje jeni të humbur!

Nuk janë myslimanët të pranuar, por feja e vetme e pranuar tek Ai është islami! Mundohuni që islamin ta keni nga ajo që ju urdhërohet e mos u bëni nga ata që urdhërojnë. Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja!

Për të qenë i pranuar në shoqëri duhet të shtireni si të mirë. Ky është një skenar i pranuar nga vetë ju, por ama i pamohueshëm si një përcaktim .

Autori është student i mjekësisë në Universitetin Hacettepe të Ankarasë dhe student i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.