Ajfonat!

18:02 / 16.01.2013

Fadil Lepaja
Fadil Lepaja

Për sa po mësojmë nga ligjëratat e tyre, armiku më i madh i qeverisë dhe disa mësuesve të fesë nuk është Serbia, as terrorizmi, as krimi i organizuar, as korrupsioni, po... “Ajfoni”! Edhe Facebooku!

Facebooku është bërë armik i përbetuar i kontrollit kolektiv të trurit nga ana e tyre. Me mediat klasike ka qenë më lehtë! Qeveria i kontrollon mediat klasike, i ka futur nën kontroll pushtetet e “ndara”, por popullin nuk e zë dot. Populli kolektivisht ka ikë në Facebook. Aq masive duket kjo sa qeveria po mendon se si me krijua edhe një degë të sajë: një kabinet qeveritar në komunitetin e Facebookut. Përndryshe, komuniteti i Facebookut është i dyti në botë, menjëherë pas Kine.

Kanë lëvizur gjërat, mentaliteti, sjellja! Është prishë rinia! Ti i flet qytetarit për sukseset e qeverisë, por ai nuk dëgjon. As hundën nuk e kruan më si dikur, qysh bënte kur ka qenë bota mbarë e mirë.

E ka lavdëruar dikush diktaturën atëherë, e ky tjetri nuk ka guxuar të kundërshtoj, por veç e ka kruar hundën. Të ka këqyrë në sy dhe e ka kruar hundën! Demek, po rren! Tash jo! Tash një-dy e verr-vërr në “Ajfon”. Ti flet e ata.... ndal pak se më erdhi një mesazh! Po ja kthej një mesazh!

Kështu po ankohej në një video material nga YouTube të plasuar në Facebook, një mësues i fesë, i cili si duket i pari e ka kuptuar se xhemati i ka ikur në Facebook! E ky, pas tyre! Edhe politika!

E kur jemi te “Ajfonat”, barsoleta thotë se kur dolën “Ajfonat” e parë edhe ndër ne, së pari i blenë politikanët! Dihet, ata kanë pare! Janë deklaruar milionerë te antikorrupsioni! Por, antikorrupcioni nuk di të llogarisë me shtatë shifra. Më së shumti me 4-5, kur nuk janë në gjumë dimërorë! Pastaj, kur ndonjë aferë që shpërthen papritmas në lagjen tonë, ata fillojnë e godasin në erë! Kush qëllon afër e han! Kush qëllon pa krah e han! Por, kur jemi te politikanët milionerë, nuk ka lidhje se krejt me rrogë i kanë bërë! Se në këtë vend shteti është biznesmeni gati kryesor. Me dashtë shteti të pasuron brenda nate, të bënë shpi, e me dashtë të fikë! Kush është nën dardhë...!

E, menjëherë pas shtetit, me pasuri vjen zëvendëskryeministri, i cili ka qarkullim vjetor gati sa buxheti i shtetit! Pastaj vijnë të tjerët! Qeveria, politikanët, biznesmenët etj.!

Për kryeministrin nuk e dimë. I thua dikujt se ai mbase është në rregull, e ata reagojnë sipas rastit dhe mendësisë! Dikush të këqyrë në sy dhe e kruan hundën! E dikush... verr- vërr me “Ajfon”! Edhe e kruan hundën!

Nëpër mediat e (pa)kontrolluara po thuhet se në mungesë fondesh shtëpia i ka mbetur gjysmë!

Njerëzisht, kjo nuk na gëzon! Edhe ai ka të drejtë të ketë shtëpi! Është çështje e tij private a e përfundon apo e shet! Atë së paku nuk është i obliguar ta shes me tender! Se, ne na intereson vetëm shitja e pronës publike që bëhet me tender.

Po më thoshte një qytetarë: “Pse, a po e pyet kush qytetarin se çka me ba me pronën publike a?! Kot protestat!”! Duke parë rezultatet është vështirë të mos i japësh të drejtë!

Por, ne si popull jemi të papërvojë në këtë fushë! Kurrë s’na ka pyetur askush dhe të gjithë janë thirr në emrin tonë! Edhe armiqtë e vet, pushtuesit apo shteti i ka dënuar në emrin tonë! Edhe privatizimet bëhen në “interesin” tonë, por kryesisht kanë përfunduar në xhepa të tyre.

Qytetarët natyrisht se e shohin se si po eliminohen konkurrentët seriozë dhe po mbeten ata të preferuarit ! Lojën e luajnë “snajperistët”! Por, qytetarët...! Qy, qytetarët! Qytetarët pyeten një herë në 4-5 vjet! Pastaj vendosin përfaqësuesit! Ky është rregulli formal!

Lufta globale në mes të “iPhone” dhe “Samsung Galaxy” (në tekstin e mëparmë dhe të mëtejmë “Ajfoni” dhe “Galaksia” ) është e ashpër. Ajo filloi të zhvillohej edhe në lagjen tonë politike dhe ekonomike. Se te ne ekonomia dhe politika janë një lagje. Lagje elite! Edhe nëse e shihni dikun tabelën “Zona industriale” apo “Zona ekonomike”, kot e kanë shkruar! Është “Zonë politike”! Se paret i ka politika! Biznesi i vetëm te ne është politika! Biznesin e kontrollon dhe tarifon politika! Shteti shet asetet dhe jep tenderët. Shteti e shet edhe pulën e cila i bënë vezët e arta, për aq ari sa do i bënte pula për dy apo tri vite! Më mirë dy vezë të arta në xhep, sesa dyqind në arkë të shtetit!
As kërkon e as jep kush llogari! E pse me kërkua llogari?! Kujt me i dhënë llogari ej? Neve a? Po çfarti bre!

Pastaj, te ne dihen llogaritë rrjedhëse ! Dihen ku janë hedhur paratë dhe dihen ata që i hodhën paratë! Dihen përgjegjësit, por kërkohen dëshmi dhe dëshmitarë. E shteti është treguar i suksesshëm me dëshmitë dhe dëshmitarët! E kemi pa! Nuk ka dëshmi as dëshmitarë që dëshmon diçka! Krejt është relative, përpos qeverisë!

Por, “Ajfonat” dhe përgjithësisht telefonat e mençur, rrjetet sociale në internet sa u përket disave, kot se janë zbuluar. Këto janë e keqja e njerëzimit. Njerëzit kanë mundur edhe me sinjale tymi të bisedojnë mes vete. Prej kodre në kodër! Ose me e futë gishtin në vesh e me fol prej kodre në kodër! O Hashimo! O hojaaaa! Çka bane ej? Hiq, kot fare! A je lodhë t’u nejtë ejjj... pyet njëri! Ncuk, I përgjigjet tjetri! U kënaqëm!

Natyrisht, për shumëkënd kjo luftë kundër teknologjisë personifikon Don Kishotin modern dhe luftën e tij kundër mullinjve me erë. Për koalicionin jo!

Këto ditë, derisa po vozisja nëpër trafikun tone të stërngarkuar, po e dëgjoja prapa shpinës një sirenë dhe duke kujtuar të jetë ndonjë autoambulancë me ndonjë të sëmurë rëndë, e lëshova rrugën si me sustë. U spostova, si po thuhet në gjuhën “profesionale”. Në vend të Ndihmës së Shpejtë, një xhip policie po hapte rrugë për dy xhipa të zi qeveritarë! Kolona e zezë po mbyllej me një xhip tjetër policie, ku një polic kishte nxjerrë dorën për dritare dhe po e tundte “stopin”! E qytetarët nga veturat, po ua tundnin gishtin e mesit! Natyrisht, pasi xhipat kishin ikur!

Po i shohim në TV, por edhe live, kah parakalojnë rrugës dhe po krenohemi! Politika jonë e azdisur nuk ecë këmbë! Politika jonë flet veç me “Ajfon”!

Ku po nguten kështu, po pyesja vetveten?! Kush po i ndjek, apo kë po e ndjekin?!

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
9:55 / 22.05.2013
Rumer Willis

Rumer Willis me rol të ri televiziv

Karriera si aktore e Rumer Willis ka marrë një shtytje të re pasi ajo ka fituar një rol në dramën televizive për të rin...
Teknologji
0:14 / 22.05.2013
Apple. brendi më i vlefshëm në botë

Apple. brendi më i vlefshëm në botë

Të gjithë e dinë se aksionet e Apple janë duke teposhtëzen gjatë disa muajve të fundit, por a është kjo rënie duke nd...
Ekonomi
9:27 / 22.05.2013

Lufta kundër evazionit fiskal, prioritet emergjent i BE-së

Presidenti i Bashkimit Europian (BE), Herman Van Rompuy deklaroi se lufta kundër evazionit fiskal ishte një prioritet emergje...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.