Zërat nga Presheva: Mjaft, se na çmendët...!

15:20 / 17.01.2013

Drilon Hyseni
Drilon Hyseni

Na u mbush koka lapidar! Çdo shqiptar, në Luginë e rrethinë, zgjohet dhe bie me ankthin për fatin e rrezikuar të Lapidarit të Lirisë.

Beogradi ka bërë be që “o me qejf, o me zor”, me ligjet në fuqi, do ta rrënojë Lapidarin e dëshmorëve të kombit, ndërsa Prishtina, Tirana, Tetova dhe diaspora lëshojnë kushtrimin në mbrojtjen e monumentit me çdo çmim.

Klasa politike shqiptaro-serbe bënë gara me argumente e fakte se kush ka të drejtë më shumë rreth problemit të politizuar në ekstremitet. Pasojat e një politike megalomane, po i heq populli i Luginës, i cili mezi po ia del nga kriza e thellë ekonomike, e cila e ka mbërthyer vendin pamëshirshëm.

Ditët e ftohta të janarit i kanë mbërthyer qytetarët rreth “koftorit” dhe “televizorit”, për të mësuar se a do të hiqet Lapidari, apo jo?! Çka do të ndodh me bisedimet në Bruksel?! Kush do të fitoj më së shumti nga këto lojëra politike?!

Ultimatumi për heqjen e Lapidarit ka skaduar. Nata e ftohtë e janarit sjell misteret e errësirës. Lapidarin nuk e ruan askush. Ai qëndron krenar në Sheshin e Dëshmorëve përballë godinës së Kuvendit Komunal në Preshevë.

Regjimi i Millosheviqit i vrau trimat e lirisë të ish UÇPMB-së gjatë proceseve luftarake në Luginë, e tashti në paqe pushteti aktual i Beogradit po i vret për së dyti herë institucionalisht. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë po të njëjtën dhembje si atëherë kur ranë për të mos vdekur kurrë martirët e kombit, por edhe sot kur po provohet të preket në dinjitet përjetësia e gdhendur në pllakë mermeri.

Shpirti i dëshmorëve të kombit ka vënë në lëvizje parti e institucione, pushtete e qeveri, pa harruar as ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë dialog për të mos rënë në provim të civilizimit. Këtë sprovë po e sfidojnë të gjithë! Lapidari është vepër arti e jo vepër penale!

Vetëm brenda dy jave, janë mbajtur disa seanca të jashtëzakonshme lokale dhe parlamentare si dhe janë nxjerrë dhjetëra konkluzione, deklarata politike, platforma e rezoluta. Po sikur këtyre seancave maratonike tu shtohen takimet, bisedat, protestat, ultimatumet, lëvizjet e policisë e xhandarmërisë, pastaj skamja ekonomike dhe acari dimëror etj., me të gjitha këto, koka e shqiptarit të Luginës, peshon me tonelata.

Zërat nëpër rrugët, sheshet, odat e Luginës, flasin me lutje: “Zot runa mentë!”

Ultimatumet ngado që vijnë e kushdo që fshihet pas tyre, kanë një emër të keq. Njerëzit e këtij mileniumi të ri janë ngopur mjaft me hidhërim, dhunë dhe gjak. Populli i Luginës, si gjithë popujt e botës ka nevojë për paqe, ka nevojë për një jetë më të mirë, ka nevojë për liri qytetare dhe kombëtare. Çdo pëllëmbë toke në Luginë ka një histori, ashtu siç e ka edhe Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së.

Dialogu është një proces i rëndësishëm shoqëror. Shqiptarët dhe serbët, si fqinj shekullor, duhet të mësohen të shikohen jo vetëm përmes grykës së pushkës, por edhe përmes dialogut, për çështjet e pazgjidhura politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore etj.
Kufijtë ndërshtetëror, dikur dhe sot, mes shqiptarëve dhe serbëve kanë shërbyer si mollë sherri, ato duhet ta humbin kuptimin klasik që kishin dikur. Brenda këtyre kufijve politikë, frymojnë vepra arti e jetë njerëzish me përkatësi të ndryshme nacionale. Dallimet kulturore e fetare duhet të respektohen, por assesi nuk duhet të nxiten tensione ndëretnike. Ky mozaik i pasur kulturor duhet të jetë një shembull i mirë për të dy popujt, të cilët gjatë historisë, jo pak kanë pasur përvoja të hidhura jetësore.

Respektimi i të drejtave të njeriut, toleranca, promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, duhet të jenë një nga parimet themelore të këtyre dy shteteve, të cilat kanë fatin politik dhe historik të jetojnë pranë njëri-tjetrit.

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
9:01 / 25.05.2013
Elhaida Dani

Elhaida Dani këndon edhe ilahi (Video)

Këngëtarja nga Shkodra, Elhaida Dani, përpos talentit të saj jashtë-planetar për të interpretuar këngë të muzikës mo...
Teknologji
19:43 / 24.05.2013
Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Windows 8 nuk ka bërë shumë për t’i tërhequr njerëzit të blejnë pajisje elektronike, si laptop apo kompjuterë person...
Ekonomi
16:20 / 24.05.2013

KEK-u nuk menaxhon më asetet e distribucionit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë treguar se nuk menaxhojnë më me Distrubucionit e kësaj korporate dh...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.