Fakulteti i Mjekësisë dhe produktet e tij

14:12 / 18.01.2013

Gjatë pesë viteve studimi në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht në departamentin e Farmacisë, s’arrita ta bind veten se kjo degë ia vlen të mbetet e hapur edhe më tutje. Tani që po përfundoj studimet jam edhe më e bindur se e mira e të mirës do të ishte që këtij departament t’i vihej kyçi, derisa të përmbusheshin të paktën disa kritere bazë për ekzistencën e degës në fjalë.

Ky departament funksionon në hapësira tepët të ngushta. Sallat e ligjëratave - që më shumë ngjajnë me ato klasat e shkollave fillore, sesa me amfiteatrot e fakulteteve - nuk sigurojnë ulëse as për gjysmën e studentëve të regjistruar vitin e kaluar dhe para dy vitesh. Rrjedhimisht, studenti para se të vete në leksione, duhet të përgatis psikikën e tij për mundësinë e qëndrimit në këmbë, për dy orë me radhë, dhe të “pajiset” me një vullnet të fortë për të ndjekur ligjëratën qoftë edhe nga këndi më i pa përshtatshëm i vështrimit.

Mungesa e sipërfaqeve të sallave s’mbetet i vetmi problem. Ne fakt farmacia “mbijeton” edhe me një mori makroproblemesh.

Mungesa e laboratorëve funksionalë është një nga krye-makroproblemet e farmacisë, sepse kjo degë si një nga më specifiket e Fakultetit të Mjekësisë, i ka të domosdoshme ushtrimet laboratorike, krahas mësimeve teorike. Ata laboratorë që i takojnë departamentit (laboratorë ju thënçin), të cilat të krijojnë një lloj iluzioni të rrejshëm kinse punohet diçka, i kanë deficitare edhe elementet më esenciale. Edhe gotat laboratorike (gota të thjeshta qelqi), edhe epruvetat, edhe havanët, edhe biretat dhe pipetat dhe çdo lloj mjeti laboratorik është në deficit. E të mos flasim pastaj për substancat kimike që ose mungojnë tërësisht, ose në rastin më të mirë ndodhen në sasi minimale - diku në fundin e ndonjë shishe plastike të harruar në ndonjë qoshe.

Stafi akademik i përzgjedhur në jo pak raste me kritere të pashkruara, të vendosura në baza të nepotizmit, është problem tjetër që farmacisë më së paku i duhet në gjendjen që është sot. Dua të them që disa profesorë e sidomos asistentë të ardhur aty, për hatrin e “të mëdhenjve” dhe “VIP-ave” të Fakultetit të Mjekësisë, apo të pushtetit aktual politik, po i sjellin jo pak dëme studentëve të këtij departamenti, farmacistëve të ardhshëm… Niveli jo i mirë i përgatitjes së tyre akademike, shoqëruar me problemet e thëna më lartë, ndihmojnë formimin e pseudofarmacistëve dhe përgjithësisht ulin kualitetin e sektorit farmaceutik.

Në të tilla rrethana vazhdon punën departamenti i Farmacisë; në të tilla kushte formohen farmacistët tanë. Nga po ky departament dhe të tjerët e Fakultetit të Mjekësisë, që nuk qëndrojnë hiç më mirë, rrjedhin ato gabimet madhore të profesionistëve, pasojat e të cilëve shpesh dinë të jenë vdekjeprurëse për njerëzit.

Nga po ky sistem edukimi i prishur, rrjedhë edhe gjithë ai mosbesim që i ndjek nga pas qytetarët kur duhet të kërkojnë ndihmën e punëtorëve të shëndetësisë. Nga po i njëjti sistem, prodhohen farmacistë me shumicë, që ose mbeten të papunë, ose duhet të ushtrojnë profesionin e tyre si lexues recetash të shkruara me një shkrim vështirë të lexueshëm, dhe shitës produktesh shëndetësore. Sepse kaq mundësi ofron shteti për farmacistët!

Nga ana tjetër mbetet e pakuptueshme arsyeja e akreditimit të degës së Farmacisë. Më e logjikshme do të ishte sikur të mos akreditohej të paktën për disa vite, deri sa të arriheshin kondita më të volitshme për studim. Edhe sikur të mos pranoheshin studentë të rinj edhe pesë vitet e ardhshme, Kosova nuk do të “lëngonte” nga mungesa e farmacistëve, sepse ka mjaft të tillë.

Janë afërsisht 150 farmacistë kosovarë të regjistruar si të papunë, me gradën Mr. Ph., që vuajnë pasojat e shkollimit të tyre. Paradoksale, apo jo?!

Departamenti i Farmacisë jep produkte më shumë nga ç’ka mundësi t’i shfrytëzojë vendi. Prandaj, këto produkte edhe ashtu jo shumë cilësore mbesin pasive, shndërrohen në të padobishme, sepse ky vend s’ka politika të mirëfillta shëndetësore, sepse këtu mungojnë industritë farmaceutike shtetërore, në të cilat do të ushtronin profesionin e tyre Mr. Ph.-të, që me kalimin e kohës po shndërrohen në zanatlinj të zanateve të tjera më profitabile.

Kush përfiton nga e gjithë kjo?! Natyrisht jo studentët e farmacisë, jo taksapaguesit e rregullt, jo farmacistët e diplomuar, jo shteti i Kosovës…! Kush atëherë?!

Një pakicë njerëzish pa prirje futuriste, që jetojnë vetëm në të sotmen, që ushqejnë egon e tyre me pozitën e lartë shtetërore, dhe barkun me ushqimin e servuar nga taksapaguesit e devotshëm.

Një gjë e tillë do të duhej vlerësuar si problematikë e jashtëzakonshme, sepse janë pikërisht këta studentë të dalë nga Fakulteti i Mjekësisë, që pritet të japin kontributin e tyre ne trajtimin e shëndetit të popullatës. Por, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke parë që s’ka evoluim pozitiv në këtë drejtim, them t’i kushtojmë më shumë rëndësi shëndetit tonë, para se ai të na shkatërrohet nga profesionistët e shëndetësisë.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.