Angullima e ujkut si shkas dhe si mundësi!

21:28 / 21.01.2013

Meqë bota ishte në gjumë dhe gjoja nuk e paska parë dramën tragjike me rastin e heqjes së lapidarit, tani shqiptarët përmes protestës së harlisur, do t’i tregojnë botës dhe gjithë atyre me ndërgjegje të fjetur, se në oborrin tonë kanibalët na kanë grabitur epitafin e ngjeshur me emra të ndritur.

Meqë dorëheqja e kryetarit qenka kundërfrytdhënëse, atëherë në vend të kësaj duhej krakëllitur për veprimet e tyre zuzare përmes protestës. Kjo do të jetë një hiç gjë! Ndonëse mund të jetë një pandehje për ta arsyetuar gëlltitjen e fjalëve të para disa ditëve, se lapidarin nuk e heqim dhe nuk guxon të hiqet prej askujt.

Protesta kishte edhe në vitin 2003 kur u arrestuan disa ish ushtarë shqiptarë të lirisë dhe si rrjedhojë e kësaj kishte sërish në vitin 2005 burgosje dhe sërish protesta dhe fjalime të nxehta patriotike, duke e përvijuar çështjen e burgosjes në vitin 2008 dhe nënvetëdijshëm - kuptohet sërish - mugulluan protestat dhe ja tani lapidari hiqet para “hundës” së kreckatorëve dhe prapë thirrën qytetarët në protesta, edhe atë në protesta gjithëpopullore.

Prologun e këtyre protestave tanimë të gjithë e kemi të qartë, porse cili do të jetë epilogu pas fashitjes së kësaj gurre të njerëzve, ende jehon si e paqartë prej dikujt? Asgjë, përpos që edhe njëherë për të satën me radhë do të mbingarkohet timpani i veshit me fraza të zjarrta për ndarje të shapit prej sheqerit dhe me gjasë e gjithë kjo amalgamë sfilitjesh do të merrte fund me ikjen e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

Shqiptarët më nuk kanë nevojë për protesta dhe fashitje të kërkesave të tyre me shuarjen e turmës së protestuesve. Ata kanë nevojë për kërkesa të qartë, ngase praktikisht Beogradi zyrtar është duke kërkuar prej të gjorëve një gjë të tillë. Të kërkojnë bashkimin me Kosovën, me këtë, bashkimin e saj me një gjymtyrë të Shqipërisë, duke ia hapur pastaj një dritare edhe atyre që ende gjenden këndej gardhit për të tilla kërkesa. Ndjekja e shembullit për një dukuri të caktuar është normale, ashtu siç ishte e natyrshme për mendësinë e mediave maqedonase kërkesave e kryetarit të partisë maqedonase “Dinjiteti”, Stojançe Angelo, që edhe Gruevski të veprojë sikurse Ivica Daçiç. Pra t’i heqë gjitha përmendoret e UÇK-ës në Maqedoni! Nëse ende këta të drobitur e të syrgjynosur kërkojnë të drejta në kuadër të Serbisë, ata vetëm sa nuk janë duke thënë drejtpërdrejtë se kërkojmë që në vazhdimësi të gjymtohemi, të rrihemi, të burgosemi e të vritemi, njëkohësisht me shoqërim të emërtimeve si kriminel e si terroristë.

Shumë gjëra në shikim të parë duken të pamundura, por për hir të një mirëqenie të dinjitetshme, përmes përpjekjeve njerëzore të njëjtat gjëra mund të trajtësohen si të lehta në jetësim, ndaj në këtë pluhur të ngritur gjithandej, le të kërkojmë oaza me ujë të shëndetshëm dhe të përthekuara me gardhe të gjelbra, ose përndryshe të bëhemi gati të vdesim prej ndotjes së mushkërive, edhe atë si rrjedhojë e mjedisit të tejndotur.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.