Ndryshimi i historisë - tradhti kombëtare!

15:05 / 22.01.2013

Në qoftë se duan ta ndryshojnë historinë , atëherë, së pari do të duhej ta heqin shtatoren e heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nga Prishtina dhe të shpallet tradhtar i “kombit shqiptare”, me të gjithë ata që shekuj me radhë luftuan për çlirimin e trojeve shqiptare. Sepse, këtu ose kanë qenë tradhtarë të gjithë ata që u sakrifikuan dhe derdhen gjak ose janë ata të cilët ua mohojnë këtë histori. Nëse pretendohet ndryshimi (shtrembërimi) i historisë pa e bërë këtë, nuk do të jetë i pranueshëm për aq sa në këto troje do të rrjedh gjak shqiptari.

Formimi i komisionit për ndërhyrje në librat shkollore të shollave fillore dhe të mesme , duke pasur si kriter bazë miratimin e tyre nga ana e shtetit turk, kjo vërtet nuk do shumë koment. Si ka mundësi, fytyrë dhe guxim një njeri që veten e quan shqiptar të dalë e të deklarojë para opinionit se pushtimi otoman asnjëherë nuk ka operuar përmes dhunës dhe vrasjeve. Madje, sipas tyre, pushtimi paska qenë paqësor dhe i dobishëm për kombin shqiptar.

A janë të vetëdijshëm ata anëtarë të atij komisioni famëkeq i cili po behet instrument i tradhtisë kombëtare, se çfarë po bëjnë? A kanë pasur rastin në jetën e tyre të lexojnë ndonjë varg në historinë e lavdishme të popullit shqiptar?

Vet mënyra tinëzare me anë të së cilës pretendojnë të shtrembërojnë historinë shqiptare tregon se këtu ka të bëj vetëm me tradhti kombëtare e asgjë tjetër. Mos të harrojë çdonjëri nga ata pretendues, se kombi shqiptar, nëse diçka ka pas me bollëk, atëherë ata ka qenë tradhtaret. Por, në historinë e lavdishme kombëtare gjithmonë koha ua ka dhënë atyre vendin e merituar.

Disa njerëz këtu, në kohen tonë - e posaçërisht politika zyrtare shqiptare në përgjithësi - po mendojnë se këtu është fillimi dhe fundi i historisë, që historia fillon dhe mbaron me ta, dhe po pretendojnë që ta shkruajnë si ata donë dhe se ashtu edhe do të mbeten, dhe nuk janë të vetëdijshëm se historia e njerëzimit është një proces shekullore dhe se kombi shqiptar ka kaluar kohërat më të errëta të tija. Por, që të gjitha i ka mbijetuar dhe do ta mbijetojë edhe këtë sulm qyqar që po i bëhet përmes institucioneve të veta.

Më befason një fakt se si shumë historianë po e trajtojnë këtë çështje të rëndësishme me një indiferencë të paparë. A e dinë ata që kanë përgjegjësi njerëzore, morale, intelektuale dhe kombëtare që të reagojnë në mënyrë të organizuar ndaj çdo dukurie e cila është në shërbim të tjetërsimit dhe zhbërjes kombëtare? Apo, mos vallë edhe atyre u ka hyrë uji ndër këmbë!?

Është vërtet i dhimbshëm dhe i trishtueshëm fakti se si ne shqiptarët, të cilësuar si popull me një të kaluar të lashtë asnjëherë, madje edhe sot e kësaj dite, nuk arritëm t’i konsolidojmë ndjenjat tona të përbashkëta kombëtare, rreth një ideje dhe një qëllimi të përbashkët për të ardhmen e kombit tonë. Por, gjithmonë dëshmuam, madje edhe kur nuk kemi armiq direkt, atëherë ne e marrim vet, në dorën tonë, rolin e armikut, në mënyrë që ta shkatërrojmë vetveten.

Dua që përmes këtij shkrimi të apeloj tek të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale, në radhë të parë, e pastaj ata që kanë përgjegjësi intelektuale e kombëtare që të reagojnë dhe mos ta tolerojnë një gjë të tillë. Ose, nëse vërtet e kanë bërë mendjen një me heq dorë nga shqiptarizma , atëherë ta bëjnë këtë njëherë e mirë të heqin dorë dhe ta rishkruajnë edhe historinë e 100 vjetorit të fundit të pushtimin serb, sepse edhe ata i kemi fqinj dhe mos po na hidhërohen. Pra, t’i trajtojmë edhe këta si pushtues të butë dhe të dashur për kombin shqiptar.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.