(Keq)kuptimi midis politikës dhe (disa) mediave shqiptare!

17:08 / 24.01.2013

"Sikur t’i jepej botës vetëm në saje të pohimeve dhe kërkesave të tyre, disa njerëz do të kërkonin edhe pasurinë dhe gjakun e tjetrit... Por, ai që pohon, duhet të dëshmojë, dhe ai që mohon, duhet të betohet...”

1. Mediat politike në demokraci - një defekt publik

Demokracinë e sotme bashkëkohore e karakterizon padyshim mënyra e komunikimit publik që për bazë dhe fondament duhet gjithnjë të kenë transparencën, përgjegjësinë dhe padyshim llogaridhënien. Në fazën e ndërtimit të demokracisë kosovare (duke mos përjashtuar këtu as atë në Shqipëri) kujtoj që e karakterizojnë një seri problemesh, sfidash dhe dukurish të keqinterpretimit të mundshëm të proceseve në sferën e vendimmarrjes publike - një segment shumë i rëndësishëm që e fisnikëron padyshim këtë sistem të udhëheqjes dhe menaxhimit me situatat dhe zhvillimet transitive që janë duke i hasur shoqëritë e dy shteteve shqiptare.

Nëse analizojmë proceset vendimmarrëse, pastaj procesin e seleksionimit të njerëzve dhe figurave partiake nëpër kuvendet e këtyre subjekteve, kuptojmë më se miri se sa është në funksion dhe sa në fakt përfillen kriteret e asaj që shquhet si demokraci e brendshme partiake, që nënkupton jo vetëm përfilljen e kritereve dhe parimeve substanciale të aktit të vendimmarrjes, por edhe pluralizmin e interesave që i karakterizojnë shoqëritë moderne.

Ideja është që në këto procese të seleksionimit të kuadrove dhe njerëzve të rinj të mos dominojnë vendimet mbi përzgjedhjen e njerëzve (apo thënë me thjesht militantëve të lidershipit) të afërt me lidershipin apo grupet monopole të interesit, por ato mbi projektet, vizionin, programin e cilës do parti në skenën politike.

2. “Kolonizimi mediatik”

Në këtë kontekst do të duhej një kujdes i posaçëm t’i kushtohet edhe një dukurie tjetër që në Kosovë ka filluar të marr përmasa interesante, kur është në pyetje futja në funksion e një lloj “kolonizimit mediatik” nga ana e mediave elektronike dhe ato të shkruara.

Themi kështu ngaqë fitohet përshtypja se disa nga mediat elektronike, por edhe ato të shkruara në ambientet e tilla ku zhvillohen proceset e seleksionimit të elitave të ardhshme partiake nëpër kuvendet e organizuara, shpesh disi po e marrin rolin e të qenurit bajraktarë dhe prokurorë politikë të kampanjave (nëse mund të shprehemi kështu!) në komunikimet e përditshme sociale - në vend që të lozin rolin e një vrojtuesi neutral, apo një transmetuesi profesional të gjithë zhvillimit dhe procesit të adresuar në fjalë, në mënyrë që publikut t’ia bartë sa më besnikërisht gjithë dozën e informatës publikut të gjerë.

Pra, duke u gjendur në këso raportesh, mediat kosovare (jo gjithnjë dhe jo të gjitha), në fakt po marrin rolin e padashur të promotorit, apo atij cilësuesit qendror që bartë mesazhe politike në vend që të informojë publikun në cilësinë e një katalizatori për ato ngjarje apo ndodhi. Në demokracinë globale mediale të sotme, padyshim që fokusimi në karizmat politike është një farë mënyre edhe një mekanizëm i mbijetimit në konkurrencën që p.sh. në rastet e vendeve në transicion mund dhe zakonisht shndërrohen në konkurrence jo luajale, me përplot ndërskamca, shantazhe, kërcënime, etj.

3. Mediat dhe zgjedhjet

Sjellja e tillë - nga përvojat e zgjedhjeve që u organizuan në Kosovë në gjitha këto vite - po krijon një imazh që nënkupton se kampanjat e të gjitha partive politike në fakt ishin jo për programe, jo për vizione adapte me zhvillimet dhe proceset në fjalë, pra për ide te reja programore, por një lloj testi për kondicionin mediatik të liderëve për të grabitur sa më shumë pushtet në të ardhmen?! Kjo sjellje e dëshmuar e disa mediave kosovare në të kaluarën në cilësinë e ofertueseve “publikë” dhe “jopublikë” për “koalicione” të mundshme me politikanët e fuqishëm karizmatik (në vend me publikun gjerë), prodhoi perceptimin se ato në realitet janë duke qeverisur me jetën publike politike të shtetit!?

Tani, nëse flasim për “tiraninë” (opinionin e gjerë) e quajtur publik, studimet e shumta kanë dëshmuar se ai të shumtën e rasteve, si thuhet ne popull “e ka humbur derën ne oborr” me faktin se nëse p.sh. i analizojmë rastet e shumë skandaleve të “promovuara” po nga këto media në mënyrë tejet pompoze, asnjëherë nuk e patëm të qartë si pjesë e këtij publiku, apo edhe si shoqëri civile, apo edhe si intelektualë, se nëse ato lajme për këto skandale të ndodhura ishin apo s’ishin të vërteta?!

4. Qytetaria aktive i zhveshë mediat politike

Tani, problemi i ngritur në fakt është çështje fondamentale për ndërtimin dhe fuqizimin e asaj që e shquajmë demokraci funksionale, edhe për shkak se demokracia kërkon qytetari aktive apo online demokraci, e jo pasivitet dhe iluzion se çdo gjë është në rregull.

Meqenëse lufta kundër kësaj “fjetjeje aktive qytetare” është (kujtoj unë) sa problem politik aq edhe ideologjik e praktik, edhe me faktin se të qëndruarit pasiv, pra indiferent ndajë ngjarjeve, ndodhive dhe problemeve të shfaqura në shoqëri, në një mënyrë qarqeve të ndryshme të biznesit (që tashmë kanë marrë krahë dhe fuqi për kushtet tona marramendëse?!) po u hap derën për të vënë një pushtet absolut që në Evropën e nisur kah integrimet, është absurd i llojit të vetë!

Zgjidhja e mundshme për të “ikur” nga ky ndikim i fortë dhe i padiskutueshëm i mediave që vihen në shërbim të politikave ditore, por edhe atyre politikave të ngushta klanore nëpër partitë politike në Kosovë, është për mendimin tim pikërisht në mediat tjera që akoma s’janë futur në kthetrat e këtyre tipave dhe klaneve mediatike, por edhe tek intelektualët që kanë arritur në një farë mënyre të zhveshën tërësisht nga çfarëdo lloji ndikimi apo interesi material e ideologjik partiak.

5. Depolitizimi i magnatëve të mediave...

Atëherë, nëse i marrim mediat me ndikim global siç janë CNN-ja apo Al Jazeera, kuptojmë dhe dëshmojmë që trendi i depolitizimit të magnatëve medialë është evident dhe se ato këtë primat të qenurit në maje të mediave globale e kanë ndërtuar pikërisht duke informuar saktë dhe me shpejtësi marramendëse. Ndryshe, sikur të mbeteshin nën “mëshirën” (lexo: “lëmoshën” qeveritare), padyshim që do të gjendeshin akoma në situatat përpëlitëse të mbijetesës. Në fakt, një përvojë të tillë të “shkurorëzimit” nuk është herët ta fillojnë edhe mediat shqiptare, në veçanti këto kosovare që janë akoma shumë larg këtij procesi. Kuptohet, në rast se dëshirojnë të mbahen si neutrale dhe tejet profesionale.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.