Shqipëria të kërkoj falje dhe të ndriçohet vrasja e ministrit Ahmet Krasniqi

17:00 / 26.01.2013

Po hyjmë në vitin e 15-të që nga vrasja më e madhe politike e Kosovës në gjysmë-shekullin e kaluar. Derisa disa nga vrasjet politike tashmë janë ndriçuar, shumica janë duke u hetuar nga EULEX-i, njëra nga ato, ndoshta më e thjeshta për t’u hetuar, ajo më e madhja, as që po hetohet.

Në kohën kur retorika për bashkimin Kosovë-Shqipëri është në kulminacion është e rrugës që Tirana zyrtare të çlirohet nga njëra prej hipotekave më të mëdha në raport me Prishtinën.

Sigurisht që hipoteka më e madhe është Masakra e Tivarit, ku Shqipëria dhe Mali i Zi do të duhet t’i kërkojnë ndjesë zyrtare Kosovës. Natyrisht, këtë duhet ta bëjë në radhë të parë Serbia në momentin që do t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, por edhe rroli i Malit të Zi si vend ku u masakruan 4500 shqiptarë të Kosovës, dhe Shqipëria si shtet që asistoi në këtë masakër duhet të kërkojë ndjesë zyrtare.

Vrasja në qendër të Tiranës e kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi më 21.09.1998 është një ngjarje e freskët që përveç ndjesës nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në emër të Republikës (jo në emër personal kuptohet), kërkon edhe ndriçimin e vrasjes së tij. Ina Ramës duhet kërkuar llogari për mosvënie para drejtësisë së përgjegjësve të kësaj vrasjeje.

Në vijim po jap shkrimin që pata botuar dy ditë pas vrasjes së ministrit Krasniqi në shtator të vitit 1998 në gazetat "Albania", Tiranë, “Koha Ditore", Prishtinë, “Fakti", Shkup dhe "Flaka", Shkup.

Vrasësit e Ministrit Ahmet Krasniqi

"Kosova, nuk e meriton ta ketë pavarësinë sepse nuk ka kuadro të zotë që do ta realizonin atë, dhe ato kuadro që i shpëtojnë dorës serbe i vrisni ju vetë". Këtë gjë kam dëgjuar shpesh gjatë bisedave me diplomatë, analistë politikë e gazetarë të huaj në momentet kur biseda bëhej më e sinqertë.
Përderisa, vrasja e Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, ka ndodhur në Tiranë, në aspektin gjyqësor juridik ajo tani nuk do të mund ndriçohet, sepse nuk ekziston parakushti themelor për këtë gjë; mungon shteti. Kjo nuk do të thotë se vrasësit e tij nuk dihen.

Vrasja e ministrit Krasniqi është politike dhe për këtë analistët politikë, nëse nuk mund t'i dinë dorasit, nuk e kanë të vështirë t'i gjejnë autorët e vërtetë.

Vrasësit e vërtetë, në instancën e fundit, janë shërbimet serbe, por këtu është fjala për ata që e kryen këtë shërbim e që me kombësi janë sigurisht shqiptarë, ngase në kushtet aktuale në Tiranë nuk mund të jenë serbë.

Gjëja e parë që bien në sy është se jo gjithë subjektet politike shqiptare shprehin ngushëllime për këtë ngjarje tragjike.

Nëse disa prej atyre subjekteve nuk e njohin Qeverinë e Republikës së Kosovës, kjo është e drejtë e tyre. Nëse disa nga këto subjekte shqiptare nuk e njohin as Republikën e Kosovës, kjo prapë është e drejtë e tyre. Por, edhe nëse Kolonel Krasniqi nuk njihet si ministër (nga ata që nuk e njohin Qeverinë apo nga ata që nuk e njohin as Republikën e Kosovës) ai nuk mund të mos njihet si shqiptar dhe si kuadër i lartë ushtarak, të cilët Kosova i ka të rrallë e pa të cilët nuk ka se çfarë i duhet pavarësia.

Këtu nuk po i përmend me emër subjektet politike të cilat akoma nuk kanë denjuar ta dënojnë të paktën me fjalë vrasjen e kolonel Krasniqit nga droja se mos më ka shpëtuar ndonjë prononcim, por është shumë evidente se një numër jo i vogël partish, shoqatash, lëvizjesh dhe institucionesh në Kosovë dhe Shqipëri nuk e kanë bërë këtë. Konkluzioni është i qartë: këto subjekte ose kanë marrë pjesë në vrasjen e kolonel Krasniqit, ose e kanë dëshiruar vdekjen e tij ose të paktën nuk u intereson çështja e Kosovës.

Atentateve politike zakonisht u paraprijnë vrasjet morale. Një atentat të tillë moral ndaj ministrit Krasniqi, e ka bërë gazeta "Zëri i Kosovës" që del në Zvicër e që është organ i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në një nga numrat e verës së këtij viti.

Me shpifjet më të ndyra që u shkojnë për shtati vetëm leninistëve më primitivë (enveristëve) gazeta "Zëri i Kosovës" nxinte faqet e saj kundër personalitetit të kolonel Krasniqit, "faji" i të cilit ishte se po i komandonte oficerët shqiptarë të ish Ushtrisë Jugosllave në luftë kundër Serbisë.

Në artikull nuk thuhej se cilat ishin funksionet e tij, por thuhej se "ka shitë molla në pazar". Ironia qëndron në faktin se kjo Lëvizja Popullore e Kosovës e mban emrin "popullore" që do të thotë organizatë e majtë, dhe e majtë do të thotë që ia di hallin fukarasë.

Natyrisht, vrasja fizike është krim shumë më i shëmtuar se vrasja morale, por nëse Lëvizja Popullore e Kosovës nuk e ka organizuar vrasjen e kolonel Krasniqit ka obligim moral që të paktën ta dënojë me fjalë këtë krim.

Vrasja ka ndodhë në Tiranë. Kushdo që ta këtë bërë vrasjen, Qeveria Shqiptare nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë së saj. Nëse ajo vërtetë nuk ka dorë në vrasje atëherë të paktën një kurorë te varri mund t'ia çojë.

Dhe së fundit, Qeveria Bukoshi. Në Mars të këtij viti, bashkë me Mero Bazen ishim të ftuar nga Xhafer Shatri e Mustafë Xhemaili në tribuna politike me bashkatdhetarët në Cyrih, Lozanë e Gjenevë. Edhe pse jo të rakorduar paraprakisht, edhe unë edhe Mero rrahëm në po të njëjtat pika: Lufta në Kosovë ka filluar, Drenica nuk bën të lihet vetëm, Lufta duhet të bëhet në mënyrë të organizuar institucionale se vetëm kështu mund ta gëzojmë ndihmën e Fuqive të Mëdha dhe që urgjentisht kryeministri Bukoshi duhet ta emërojë Ministrin e Mbrojtjes.

Disa ditë më mbrapa, në një tubim të bashkatdhetarëve në Gjermani, kryeministri Bukoshi deklaroi se Republika e Kosovës e ka Ministrin e vet të Mbrojtjes, por nuk e publikoi emrin e tij.

Dy muaj më pas mora vesh se Ministri na qenkësh në Tiranë. I intriguar nga artikulli i sipërpërmendur i "Zërit të Kosovës" dhe nga analiza politike e ngjarjeve, e mora me mend se Ministër i Mbrojtjes duhej të ishte pikërisht ky Ahmet Krasniqi, për të cilin nuk kisha dëgjuar ndonjëherë, por që shpifjet ashiqare të "Zërit të Kosovës", më bënin kurioz për ta njohur.

Kureshtja e një analisti politik nuk ka se si mos të zgjohet për të njohur një person nga aftësia e të cilit varen shumë rrjedha politike. U nisa drejt Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë që t'i kërkoja takim përmes Iliaz Ramajlit. Rrugës takova një mik timin, i cili sapo kthehej nga zyra e z.Ramajli. Ishte tepër i zhgënjyer. I kishte përmendur diçka z.Ramajli lidhur me Ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi (të cilin miku im e kishte njohur dikur, por që unë për herë të parë u sigurova se kush qenka vërtetë ministri) dhe, habia e tij (dhe e imja) z.Ramajli i kishte thënë se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë emër dhe se nuk dinte se kush është Ministër i Mbrojtjes. Ky, miku im, po ikte jashtë Shqipërisë i brengosur për fatin e Ministrit emrin e të cilit Qeveria po e mbajtka sekret. Më tha takoje patjetër se është burrë i mirë, pyete ndonjërin nga këta njerëzit e Bukoshit që i njeh ti se e gjen.

Pas kësaj nuk e pashë të arsyeshme të takohem me Ramajlin, pasi që ai zyrtarisht nuk e ditka se kush është Ministër i Mbrojtjes në qeverinë të cilën ai është një prej përfaqësuesve. Takova një njeri të Bukoshit në Tiranë, Skender Zogajn dhe i shpreha kërkesën time që t'më mundësojë një takim me Ministrin. Më premtoi, por takimin nuk ma organizoi kurrë. Atëherë vërtetë u shqetësova për fatin e këtij njeriu të rrethuar me bashkëpunëtorë të këtillë dhe i ndodhur në një situatë të tillë të padefinuar. Përse Ministri i Mbrojtjes të mos ndodhej aty ku ndodhen ministrat tjerë të Kosovës?

Bëra një shkrim i cili u botua tek "Java Shqiptare" që del në Zvicër ku ndër të tjera vija në pah absurditetin e pozicionit të Ministrit Krasniqi dhe në mënyrë indirekte rrezikun që i kanoset jetës së tij dhe institucionit që e udhëheqë. Jo shumë kohë më pas, fatkeqësisht, shqetësimi doli me vend.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.