Limaj e Krasniqi në udhëkryq, Thaçi në “gojë të ujkut”!

17:02 / 26.01.2013

Mbajtja e Kongresit Zgjedhor të PDK-së do të sjellë ndryshime në funksionimin e kësaj parti. Duke pas parasysh se si janë zhvilluar gjërat deri më tash, shihet qartazi se nuk ekziston më uniteti i dikurshëm mes figurave kryesore të PDK-së.

Bojkotimi i kongresit nga Jakup Krasniqi, nënkupton edhe largimin e tij nga partia. Por, a do të qëndroj ai ende në krye të Kuvendit të Kosovës, kjo është diskutabile.

Takimi i fundit i Isa Mustafës me Albin Kurtin, është bërë për t’u dakorduar për fatin e Jakup Krasniqit si kryeparlamentar. Sipas informacioneve që vijnë nga të dyja partitë opozitare, thuhet se liderët e këtyre subjekteve politike kanë arritur marrëveshje për ta përkrahur qëndrimin e Krasniqit në krye të Kuvendit të Kosovës. Votat e tyre janë vendimtare, pasi që dihet se për shkarkimin e Krasniqit duhen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Situatë më e ndërlikuar paraqet ajo e Fatmir Limajt, i cili është duke u mbajtur në paraburgim për krime lufte. Koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, i cili po luan rolin e sekretarit të partisë, ka paralajmëruar se Limaj do të jetë kandidat për anëtar të Kryesisë. Mirëpo, shtrohet pyetja se a e kanë pyetur Limajn se a dëshiron të jetë anëtar i Kryesisë? Po e shtrojë këtë pyetje, për shkak se në media është raportuar se Jakup Krasniqi e ka paralajmëruar Thaçin se nëse Kongresi mbahet pa u liruar Limaj nga paraburgimi, ata të dy do të largohen nga partia. Nuk besoj që Jakup Kransiqi e ka thënë këtë pa pasur informacion apo këshillë nga Limaj. Siç po shihet, kjo kërkesë e Krasniqit nuk “dhezi” dhe zgjedhjet do të mbahen ashtu siç është paralajmëruar.

Çka tash? Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj gjenden në udhëkryq! T’i bashkohen ndonjë subjekti tjetër politik apo të krijojnë parti të re. Rrugë tjetër s’ka. Bashkëngjitja e tyre ndonjërit nga subjektet politike aktuale, është vështirë e besueshme. Me LDK-në i ka ndarë shumë e kaluara edhe nuk është alternativ e së ardhmes për ta. VV-ja ka kritikuar shumë ministrinë që udhëhiqte Limaj, sidomos kontratën për autostradën. Por, edhe qëndrimet politike të VV-së nuk janë të përafërta me këto dy personalitete. Bashkimi me AAK-në? Ramushi po synon kryeministrinë, sepse është në qejf me punu për venin. Bërja eventuale e Ramushit kryeministër nuk do t’i lente hapësirë politike Limajt e Krasniqit. Por, as fuqia politike e AAK-së nuk është e mjaftueshme që këta t’i bashkëngjiten, pa harruar të përmendim edhe shumë disave të AAK-së që po duan të rehatohen nëpër poste qeveritare. E sa i përket AKR-së, këtu s’ka gjasa, duke e pasur parasysh se Limaj dhe Krasniqi kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të zgjedhjes së tij president i Republikës së Kosovës.

Tash vjen në shprehje opsioni tjetër, krijimi i një partie të tyre. Krijimi i një partie të re nga ta, mund të sjellë një frymë te re, po nga njerëz të vjetër. E them këtë, sepse të dytë, Limaj e Krasniqi, do të duhej të dilnin përtej qëndrimeve të tyre të deritanishme. Mirëpo, largimi i tyre nga PDK-ja mund të sjellë edhe largime tjera nga ky subjekt politik, të cilët do t’i bashkëngjiteshin Limajt e Krasniqit. Si persona të mundshëm, veçanërisht deputetë të mundshëm shihen: Hydajet Hyseni, Flora Brovina, Nait Hasani (nëse nuk arrin të bëhet kryetar i degës në Prizren) dhe Justina Pula.

Dalja e Limajt dhe Krasniqit nga PDK-ja, si dhe acarimi i raporteve me AKR-në do ta dërgonte Thaçin në “gojë të ujkut”. Pasi që më nuk do t’i kishte numrat për të qeverisur dhe si duket këto lëvizje mirë i ka llogaritur Ramush Haradinaj. Pra, Thaçi doemos do të duhet të bënte koalicion me AAK-në ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Jam i sigurt se muaji shkurt dhe mars do të jenë shumë atraktiv për ata që i përcjellin zhvillimet politike.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.