Rreth korrupsionit të përbashkuar

13:45 / 29.01.2013

Fjala korrupsion është fjala që përmendet pothuajse çdo ditë nga të gjithë shtresat e shoqërisë, që nga mediat qe bëjnë monitorimin e punës së institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare, institucionet tona e deri nga qytetarët e zakonshëm.

Fjala korrupsion, në aspektin gjuhësor e ka rrënjën nga gjuha latine Corruptio, që do të thotë prishje, ryshfet, mitë, prishje nga ana morale.

Në vendin tonë dukuria e korrupsionit është futur thellë në të gjitha segmentet e pushtetit, duke u bërë kështu kërcenim për perspektiven e qytetarëve, prandaj po flitet aq shumë për ketë dukuri të shëmtuar.

Për prezencën e korrupsionit në institucionet e shtetit tani po flitet edhe nga deputetët e Parlamentit të Kosovës. Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi se “ Korrupsioni gjen shtrirje nëpër të gjitha institucionet dhe jo vetëm në mënyrë vertikale, por edhe horizontale”.

Këto komente nga Kryetari i Parlamentit u bënë gjatë diskutimit për Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit 2013-2017.

Diskutimi mbi dokumentin për strategjinë i inkurajoi deputetët qe të bëhen kritikë dhe të pranojnë publikisht se është e pamundur të luftohet korrupsioni duke miratuar letra, nëse nuk zbatohen ligjet dhe nuk vihet drejtësia.

Me qëllim të preventivit dhe luftimit të korrupsionit si dhe krimit të organizuar në vendin tonë, janë krijuar super mekanizma, sikurse Agjencia Kundër Korrupsion, Task Forca dhe së fundmi Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, të cilat më shumë janë krijuar dhe veprojnë për paraqitje mediale e politike, sesa për të luftuar njëmend korrupsionin.

Rezultati i këtyre mekanizmave matet me angazhimin dhe punën e tyre, që deri më tash pothuajse ishte minimal, edhe pse Kosova ka një infrastrukture moderne ligjore.

Infrastruktura ligjore është në harmoni të plotë me kriteret e Bashkimit Evropian dhe ligjet e shumta të cilat janë hartuar dhe miratuar do të duhej qe të kontribuonin në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh.

Kohëve të fundit edhe organizata ndërkombëtare Transparency International e ka renditur Kosovën në mesin e shteteve me shkallën më të lartë të korrupsionit, që është lajm i keq për të ardhmen e vendit tonë.

Shpërthimi i skandaleve të fundit, të cilat kanë ndodhur përbrenda institucioneve të Kosovës, sikurse rasti në MPB, rasti i Hotel Grandit dhe raste tjera lidhur me tenderomaninë, kanë bërë qe të njolloset imazhi i vendit dhe largohen investitorët e mundshëm nga vendi ynë.

Nëse nuk ndërmerret asgjë për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, atëherë korrupsioni do të na kapërdijë neve si individë dhe si shoqëri, duke mposhtur dhe shndërruar shtetin nga sundimi i së drejtës në sundim të kleptokracisë.

Andaj, të mos lejojmë që korrupsioni të bëhet një epidemi shtetërore kriminale, me rrezik për shoqërinë dhe shtetin tonë, sepse ky fenomen nuk njeh limite politike dhe gjeografike.

Institucionet e republikës do të duhej që të fillonin reformat në sistemin e drejtësisë, duke forcuar dhe pavarësuar ketë segment të pushtetit. Me forcimin dhe pavarësimin e organeve të drejtësisë, menjëherë duhet të fillojë aplikimi i masave ligjore kundër korrupsionit dhe kjo luftë duhet të fillojë përbrenda institucioneve shtetërore, sepse mu aty është origjina e përhapjes së epidemisë kriminale me emrin “korrupsion”.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.