PDK: Pse djathtas e jo majtas?

15:41 / 30.01.2013

“Ai që e emërojnë në ndonjë detyrë, le t’i qaset me vetëdije asaj pune, në çështje të vogla e të mëdha. Le t’i përmbahet asaj që i urdhërohet dhe le t’i përmbahet asaj që i ndalohet...”!

1. A po zëvendësohen ideologjitë me pragmatizëm!

Çështja e përkufizimit të asaj se çka në fakt nënkuptojmë apo përkufizohet me termin ideologji partiake të një subjekti politike kosovar, është një çështje goxha delikate, sidomos kur janë në pyetje rrethanat e formimit dhe synimet, apo qëllimet afatgjata - përveç motiveve ekzistuese ekskluzive për ta marrë pushtetin dhe përmes tij të ushtrojnë implementimin e ideve dhe synimeve të tyre programore. Nëse i adresohemi Maks Weberit, një sociologu që akoma ja vlen të konsultohet, atëherë kuptojmë që historia e partive politike është e ndërlidhur ngushtë me lindjen e demokracisë si formë e organizimit shoqëror e politik, ku këto organizata politike kanë përgjegjësi dhe kompetenca të duhura për ta ndërtuar shtetin dhe kapacitetet e tija. Tani, nëse briskun tonë sociologjik e drejtojmë diku edhe më thellë në historik të këtyre krijesave, kuptojmë se ekziston edhe një parahistori më e hershme që natyrisht nuk ka të bëjë edhe gjithaq me organizimin që bashkëlindi me demokracinë...

2. Ku e kanë fillin përcaktimet ideologjike?

Nga vitet e ‘80-ta (me paraqitjen e reganizmit dhe thaçerizmit), e sidomos me rënien e Murit te Berlinit, definitivisht majtizmi si ideologji u fut në krizë dhe fillojë të kontestohet nga të gjitha anët. Të dy këto ide duhet t’i ndërlidhim me revolucionin borgjez francez, në kuptimin që e majta u identifikua me drejtësinë, gjersa e djathta me lirinë. Por sot, në shumicën e vendeve në botë, sidomos ato që gjenden në tranzicion, mbizotëron nostalgjia për konceptin e drejtësisë (barazia sociale etj.) Kritere thelbësore të asaj vijës se demarkacionit që i ndanë këto dy ideologji, padyshim që janë apo të paktën do të duhej të ishin ai i barazisë sociale dhe ai i raportit midis shumicës dhe pakicës etnike. E sot, shumica e sociologëve pajtohen se nuk ekziston ndonjë dallim ekstrem midis këtyre ideologjie, por janë votuesit ai gjeneratori kryesor që i shtynë partitë politike të nuhasin zhgënjimin e të pakënaqurve, që në një mënyrë janë produktë i largimit nga vendet e tyre të punës (që në rastin e Kosovës është absurd të merret ky element, sepse punëtoret kosovar ishin të larguar që nga vitet 90-ta dhe si rezultat i gjithë kësaj “ndjenjën e rrezikut” nga largimi i vendeve të tyre të punës e kanë shpenzuar) në procesin e tranzicionit. Tani, nëse flasim për ideologjinë partiake, si kriter për përcaktim ideologjik të ndonjë subjekti politik në Kosovë, padyshim që ne s’mund ta përjashtojmë një fakt elementar që ne si shoqëri akoma jemi një shoqëri parapolitike?!

3. Pse jemi shoqëri parapolitike?

Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton që një demokraci, siç është kjo e jona me moshën dhe përvojën prej vetëm katër-pesë vitesh të arritjes së një subjektiviteti vendimmarrës (dua të them që koha e UNMIK-ut ishte tërësisht një improvizim i pluralizmit dhe demokracisë), s’mund të bëjë të mundshëm profilizimin e duhur ideologjik! Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, natyrisht pothuajse të gjitha partitë politike në një mënyrë kanë “testuar” elektoratin e vet me gogolë ideologjik: ”majtizëm”, “djathtizëm” etj., duke u munduar kështu në një farë mënyre që përmes një rirreshtimi fals të përfitojnë në terrenin e votave! Por, a do të thotë kjo se partitë politike aktuale në skenën politike kosovare dallohen njëra me tjetrën gjithaq? Natyrisht se po. Ka dallime, por dallimet për mendimin tim s’i adresohen ideologjisë - atij strumbullarit apo atij kriterit fondamental që bënë të dallohen partitë politike në botën perëndimore. Pra, profilizimi duhet shikuar në kontekst të zhvillimeve dhe proceseve nëpër të cilave ka kaluar Kosova dhe shoqëria në përgjithësi.

4. Partitë politike në Kosovë - në konfuzion!?

Konteksti i zhvillimeve politike, por edhe atyre ekonomike, ishte tejet konfuz edhe me faktin që partitë ekzistuese, por edhe ato që u formuan më vonë, në fakt janë munduar vazhdimisht disi t’i kënaqin disa interesa të publikut, por jo edhe të japin vizione programore praktike se si ta transformojnë në drejtim të paramenduar mirë më parë shoqërinë tonë. Partitë politike gjithkund në botë janë ai artikuluesi apo promotori i ndryshimeve në shoqëritë e sotme. Para këtij ndryshimi ne, çka është edhe me absurd, përcaktimin tonë ideologjik partiak e ndërlidhim me statusin social apo mungesën e një stratifikimi të duhur social brenda vetë elitave politike që kanë prejardhje të duhur: majtiste (me një status të benificuar periferik social) dhe djathtiste (me një status të benificuar qendror social). Pra, s’kemi thjeshtë traditë ndërtimi të koncepteve dhe vlerave sociale, ekonomike, politike... dhe mbi të gjitha na mungon trashëgimia kulturore që është shume domethënëse në përcaktimet djathtë apo majtë?!

Këto vlera nuk i prodhojnë partitë politike duke improvizuar përcaktimet ideologjike në stilin pro et contra?! Vlerat për te cilat po flas unë dalin nga një kontekst më i gjerë, pra publiku. Qytetarët e Kosovës janë ata që në bazë të interesave që përcaktohen: nga nevojat dhe procesi i shtresëzimit (që është akoma ngadalshëm duke ndodhur ne rastin tonë!), si rezultat i konkurrencës dhe zhvillimit të një kapitalizmi paramonopolist që kontrollohet (por jo edhe menaxhohet?!) nga shteti i Kosovës..

5. Partitë politike si konstruksione sociale

Nga historia kuptojmë se që nga koha e Aristotelit ekzistonin disa grupe qytetarësh që në fakt e kundërshtonin ashpër rregullimin e Athinës antike. Ata ndaheshin - sipas historianëve - në plebejë (shumica klientelë) dhe patricë (pakica e zgjedhur elite), që nënkupton edhe opinionistë të kundërt lidhur me rregullimin e Athinës. Në Mesjetë gjejmë si shembuj të organizimit parapartiakë edhe gvelfët dhe gibelinët, të cilët bazamentin e kërkesave dhe synimeve të tyre e mbështetnin kryesisht në idetë dhe konceptet religjioze. Në Angli, pas revolucionit të ndodhur të vitit 1688, kemi imponimin e dy krijesave parapartiake të shquara si vigevcë (pasuesit e liberalizmit të mëvonshëm) dhe torevcë (si pasues të mëvonshëm të konservatorizmit).

6. Fillesat e profilizimit ideologjik

Në Revolucionin Borgjez Francez (1789), grupet kryengritëse i shquanin si grupe “partiake”, ngase ishin kundër mbretit, pra kundër absolutizmit. Në Francë, që kishte një ambient më të “pjekur” për nga diferencimi i shtresave sociale, çështja e organizimit pro et contra ishte diçka që në fakt stimulonte gjithnjë e më shumë konceptin e organizimit partiak. Në SHBA p.sh., para se të ndodhte aprovimi i Kushtetutës së vitit 1787, u theksuan kryesisht dy koncepte apo dy botëkuptime të kundërta për rregullimin shtetërorë të këtij kontinenti, ai “federal” dhe ai “demokrat”. Sipas autorëve të shumtë, kjo ndarje apo ky lloj pozicionimi do të shërbejë më vonë edhe për profilizimin e dy partive kryesore, që edhe sot e kësaj dite akoma janë prezente në skenën politike amerikane. Ose, p.sh., nëse kthehemi sërish në Evropë, kuptojmë se në Gjermani organizimi parapartiak kishte nisur me fillimin e profilizimit të tipareve ideologjike: liberale, demokrate, socialiste, konservatore etj. Por, përgjithësisht, mund të themi se çështja e inicimit të bërthamave të para parapartiake në shumicën e vendeve evropiane bëhet kryesisht në fund të shekullit XIX, kurse në disa tjera edhe në fillim të shekullit XX.

7. A janë cool partitë politike kosovare?

Nëse tani kthehemi në kohën tonë të teknologjisë informative, kuptojmë që përveç ideologjisë (që në fakt ka të bëjë edhe me fenomenin e globalizmit ashtu sikurse kapitalizmi, fashizmi, komunizmi e izmat tjerë), rrethanave dhe ambientit social e ekonomik etj. partitë nevojiten - apo të paktën janë të rëndësishme - për sensibilizimin e opinionit që sërish i është nënshtruar ndikimit të komunikimit masiv, pra teknologjisë informative që edhe krijon si të dojë dhe kur të dojë publik për vete (ajo që sot identifikohet si dhunti apo aftësi e lartë e lidershipit për t’i bindur masat e gjëra për nevojën që ajo ndien për të). Në kuadër të këtyre cilësive apo kritereve, padyshim që është e rëndësishme edhe përgjegjësia për të ndërtuar kapacitetet shtetërore përmes imazhit që krijon për veten në sytë e qytetarëve. Një tjetër veçori për kohën në të cilën jetojmë - të këtyre konstruksioneve sociale dhe politike - pa dyshim ka të bëjë edhe me vullnetin dhe këmbënguljen për të materializuar idetë (ideologjinë) dhe synimin (për çlirim p.sh.) për mirëqenien sociale, në mënyrë që i njëjti shtet të mos iu ekspozohet as kritikave e as sharjeve eventuale të qytetarëve të saj, siç po ndodhë me shtetin e Kosovës.

8. Partitë politike kosovare - në proces vetëkërkimit ideologjik

Partitë politike të periudhës së globalizmit, natyrisht janë akoma në fazën e ristrukturimit dhe akomodimit me rrethanat e reja që po formësohen gjithnjë e më shumë si pasojë e faktorëve dhe indikatorëve teknologjikë të njohur si demokraci digjitale (tani atyre u shtohen edhe disa role shtesë, kur janë në pyetje përgjegjësitë ndaj qytetarit). Ato përgjegjësi dhe role kryesisht kanë të bëjnë me reprezentimin, integrimin dhe sidomos ushtrimin e mbikëqyrjes së fuqisë së pushtetit të fituar në mandate të ndryshme.

Partitë politike kosovare - në periudhën e tranzicionit - është e rëndësishme t’i studiojmë dhe analizojmë edhe për shkak se ato në njëfarë mënyre janë fara e parë e demokracisë, apo themelet e organizimit politik pluralist. Pra, janë katalizatorët kryesorë të organizimit politik, social e ekonomik të një vendi. Ato insistojnë të pronësojnë (de facto) këto cilësi edhe për shkak se edhe ashtu me fuqinë e ligjit (de jure) duhet të shërbejnë si ndërmjetësues midis shtetit dhe shoqërisë. Duke u gjendur në pozitën “sandviç”, partitë kosovare - në rast se dëshirojnë të jenë në koherencë me trendin e zhvillimeve aktuale globale dhe me nevojat dhe kërkesat e qytetareve të saj - përveç rolit të seleksionuesit dhe rekrutuesit të elitave të reja politike (pastaj kultivuesit të përkatësisë dhe bindjes ideologjike, pra një artikuluesi të qartë interesash sociale), duhet të lozin edhe rolin e altoparlantit, të zërit të qytetarit, në mënyrë që të arsyetojnë ndërrimin e kursit të tyre ideologjikë, ashtu siç bëri PDK-ja!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.