Shteti i partisë!

15:41 / 30.01.2013

Ka përparuar demokracia! Dikur nuk ka pasur kaq transparencë! Loja luhej kinse me kundër-kandidat! Lyheshin sytë me akull! Manipulime me vota! Telashe! Demokracia dikur ishte një telashe e madhe ndër ne! Tash gjërat dihen! Kundër-kandidatët nxirren prej loje, ende pa filluar loja. Mjetet nuk zgjidhen! Edhe populli e ka kuptuar se duhet të votohet ai që ka mbetur në lojë! Edhe miqtë ndërkombëtarë e kanë kuptuar krejt këtë vetëm si një lojë gladiatorësh: e përkrahin atë që mbijeton! Atë që është më i egër! Të tjerat janë çështje teknike! Se kush e propozon udhëheqësin, se kush ia numëron meritat para masës për shembull, kjo është krejt veç një çështje teknike! Ai që serviloset më së shumti, ai deri në mandatin e ardhshëm është ylberi i partisë dhe i pushtetit familjar - i pushtetit të dostave! Është i paprekshëm! Si vet shefi!

Këndej, parti e qeveri, sikur mishi e thoni! Nuk është me rëndësi në cilën parti je! E ndërron partinë e prapë mbetesh ministër! E ndërron orientimin ideologjik, e nuk ndryshon asgjë! Deri në mbrëmje jemi të majtë, pas mesnate bëhemi të djathtë! Punë e madhe! Send nuk ndryshon! Kjo nuk është veç mafi, si po pretendon opozita! Kjo është lëvizje dostash! Këndojnë edhe zemrat tona: “Prej partie në parti, grusht çeliku jemi një”! Një janë!

Mos të ishte fjala Konventë, krejt dukej si në ditët më të mira të demokracisë proletare! Por, qeveria më e mirë në botë nuk ka faj! Atë nuk e kontrollon kurrkush! Nuk ka kush! Parlamenti është një lëmsh i madh. Deputetët janë të partisë vetëm derisa të kryhen zgjedhjet! Pastaj janë në shitje! Parlamenti nuk ka kurrfarë ndikimi në ekzekutiv. Nga përgjimet tashmë e kuptuam se ka kush e rehaton parlamentin! E populli nuk po përzihet në politikë! As në votime s’po del! Pse me u përzi!
Po thotë se politika është kurvë, e politikanët jo! Politikanët janë të virgjër! Melaqe!

Kështu, edhe perandorët e lashtësisë, sikur udhëheqësi ynë, e kishin të njëjtin problem. Ata konsideroheshin si gjysmëperëndi dhe bisedonin drejtpërdrejtë me perënditë. Pa ndërmjetësues, e pa kontrollues. Nuk e përcillnin lartë vullnetin e qytetarëve! Po çfarë qytetarësh!

Ata te qytetarët e sillnin veç vullnetin e perëndive. E në emër të perëndive bënin çka donin vet! Kështu funksiononte sistemi! Kuptojeni këtë vetëm si metaforë e jo blasfemi! Edhe atëherë perandorët e sillnin poshtë verdiktin e perëndive, të cilin qytetarëve ua përcillnin përmes televizionit publik! Drejtpërdrejt, d.m.th.! Demokraci e drejtpërdrejtë !

Nejse, ju do të thoni se atëherë nuk kishte televizione! Nuk kishte, pajtohem! Por kishte sheshe! Perandori i drejtohej masës, drejtpërdrejt! Bënte publik vullnetin e perëndive dhe vullnetin e vet! Edhe ne, sheshet i kemi rehatuar, gati! Prej ndërtesës së projektuar mbrapsht, udhëheqësi mundet me dalë në dritare e me fol me popullin drejtpërdrejt! Me u kënaqë! E tundë dorën dhe përkëdhelë masën me sy! Masa blegërin!

E skandalet? Qy skandalet! Opozita po plasë që s’po mundet me ardhë te arka e shtetit! Rren janë! Pastaj, s’ka faj kurrkush për skandalet. Sidomos jo shefi! Ministrat nuk i ka zgjedhë ai! Ata janë mbledhur vet aty! I kanë uzurpuar postet! Janë deleguar nga familjet e forta! E dihet tashmë nga deklaratat se shteti ynë kujdeset për familjet! Familjet e forta. Më e forta e jep kryeministrin!

E kur jemi te kryeministri, nuk e di a ka ndonjë lidhje në mes vizitës së tij në kryeqytetin e neoperandorisë dhe shtyrjes së privatizimit të kompanisë më të madhe publike. Vendi mik i cili me një urë gjigante lidhë brigjet e Bosforit dhe të dy kontinenteve, po na lidhë sërish në një përqafim plot nostalgji - kësaj radhe jo me shpatë, por me xhirollogari. Me pare! Miti për Ali Pashën tingëllon ende frikshëm, si simbol i një dashurie të pafat politike: “Kokën në Stamboll, trupin në Janinë”!

Por, mbase nuk ka kurrfarë lidhje mes këtyre dy ngjarjeve. Mbase mund të jetë vetëm një koincidencë, një (mos)përputhje e rastit në mes të krizës politike dhe krizës me procesin e privatizimit i cili i ka hipur breshkës! Në fakt, ka shumë mjegull, e tym! Djegin sytë nga tymi, ndërkohë që pak kush e sheh qartë rrjedhën e milionave të shmangur nëpër llogaritë, rruga e të cilave ndërpritet vetëm te njerëzit e afërt të qeverisjes dhe te avokatët që kanë fituar famë dhe pasuri duke mbrojtur qeverisjen.

Ndërkohë, sistemi, sado primitiv që duket, është treguar funksional! Vetëm nga ana e jashtme duket se mungon imagjinata. Por, ata janë praktikë. Nuk u duhet imagjinata!

“Paratë e ryshfetit u dhanë në thes të bërllokut!”; “Paratë derdhën në tri konto”! Tituj gazetash, fjalë kafesh dhe deklarata të cilat i dëgjojmë të gjithë dhe të cilat i kanë kuptuar edhe fëmijët. Qy, në thasë llastiku! Por, jo sistemi i drejtësisë. Jo! Nuk e ka kuptuar ende! Ende vazhdojnë të heshtin në përqafimin paralizues të politikës.

E negociatat korruptive vazhdojnë para syve tanë! Populli po brengoset mos po mbesim fare pa pasaporta. Po mbesim kësajde, në këtë mrekulli ekonomike... Ruana zot! Përflitet se krejt kjo tollovi është bërë se paratë nuk kanë mbërritur te vendi! Nuk janë brengosë njerëzit se janë grabitur paret e tyre, por se nuk kanë mbërritur te vendi! Po mbesim pa pasaporta! Ah, paratë, paratë, paratë...!

E ministri i fjalëve, fjalëve të brendshme, po bënë shëtitje dhe fotografohet nga paparacët tanë amatorë nëpër qytetet e mëdha evropiane, ndërkohë që zjarri i aferave në vend nuk shuhet. Ik pak, shëtitu, i paskan thanë, derisa të qetësohet puna!

E populli, në mungesë të pushtetit, po e merr përgjegjësinë në dorë! Me buldozerë e me protesta! Edhe një dorë tinëzare, e parë tashmë në këto anë që nga koha e “ndodhjes së popullit”, po përzien përsëri nëpër varreza dhe po provon me ia ndërrua kombësinë Kontit Drakulla! Por, është film i parë tashmë! Edhe ndërkombëtarët kanë filluar turneun e diferencimit në përkrahje të bisedave me çdo kusht! Më shumë po brengosen për gurë varresh se për të gjallët! Edhe ashtu s’po dinë çka me ba me këta të gjallë, as mish as peshk! Konfuzion në zemrat dhe kokat e përfaqësuesve ndërkombëtarë!

Shteti, shteti i partisë, në vigjilje të Kongresit, i përfshirë në kriza, e ka kuptuar se s’ka përpara kujt të japë llogari. S’ka pse! Pjesa dërmuese e punonjësve civilë, në tri levat e ndara të pushtetit, janë pjesa më vitale e partisë. Partia i ka shti në punë! Edhe kompanitë publike tashmë janë familjare!

Edhe partia-shtet zyrtarisht e ndërroi ideologjinë! Sa ishin të varfër, ishin të majtë! Tash që kanë bërë pasuri, shumë pasuri, tash u bënë të djathtë. Qendra e djathtë! Kur të kryhen privatizimet do të bëhen tamam të djathtë! Ndërkohë, në Kongres, kryetari nënqeshet derisa askush nuk ka kurajë të dalë kundër-kandidat. Ai vet e propozon edhe listën për organin më të lartë të partisë. Pse me u lodhë Kongresi me propozime! Ai do t’i caktojë edhe kryetarët e mbetur të degëve. Ai është partia. Ai është vetë shteti!

Po thuhet se tani për tani, kështu po e do, “Olimpi”!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.