Fol shqip!

15:17 / 2.02.2013

Pasi që të lexojnë këtë artikull, ndoshta disa do të më quajnë paksa ekstremist. Mirëpo, nëse do të gjurmonit pak më thellë në kujtesën tuaj e në eksperiencat e juaja nga paralufta dhe lufta, do ta shihni që ky mendim i imi nuk është dhe aq ekstrem. Madje, nëse bridhni pak më gjatë në ato kujtime, nuk do del ekstrem fare, por shumë i drejtë dhe parimor.

Fjala është për një fenomen të cilin më ka rastis ta has shpesh në shoqërinë tonë, e që në fakt më ka irrituar dhe vazhdon të më irritoj pa masë. Fatkeqësisht, shumë shqiptarë posa takojnë një serb në Kosovë, menjëherë fillojnë të flasin serbisht me të, dhe disi mburren me këtë gjë, që unë e vlerësoj si shumë të turpshme.

Nuk kam asgjë kundër komunikimit me serbë. Nuk kam asgjë kundër bashkëpunimit me ta nëse dikush dëshiron të bëj një gjë të tillë, por jam kundër komunikimit në gjuhën serbe me serbët në Kosovë, pasi që me këtë gjë ne e nënçmojmë veten tonë. Nuk tregojmë kulturë, edukatë e as përparim me këtë akt, siç pretendojnë disa, por tregojmë se sa pa vetërespekt, e sa pa dinjitet jemi, duke pas parasysh faktin që shumë shqiptarë - në mesin e tyre bëj pjesë edhe unë e shumë shokë të mi - edhe pse fëmijë, kemi “hangër flakaresh” nga policia serbe vetëm pse s’kemi ditë të flasim serbisht.

Të komunikosh serbisht sot ne Kosovë nuk i bën nder vetes po as serbëve, pasi që me këtë rast i izolon serbët edhe më shumë; bëhesh një shkaktar më shumë për serbët që të mos e mësojnë gjuhën shqipe, gjë që është e domosdoshme për ta nëse dëshirojnë të jetojnë në Kosovë.

Tani po i cek dy raste ku shqiptarët, duke u treguar shumë zemërgjerë me serbët, panevojshëm flasin serbisht.

Një ditë më rastisi të shkoj në stacion të policisë në Viti dhe po e shoh një epror shqiptar duke folur serbisht me dy policë të thjeshtë serbë. Po e vërej që eprori është shqiptar, mirëpo për t’u siguruar po e pyes: “Më fal zotëri, a jeni shqiptar”. “Po”, më tha. “Jam kureshtar të di pse flisni serbisht me këta policë”? “Nuk din me fol shqip këta”, ma ktheu. “Mirë, me sa di unë kur këta kanë aplikuar me punu në polici, gjuhën shqipe e kanë pas të obligueshme me e ditë”, i thash.... I nxënë ngushtë, ma ktheu si në hajgare: “Jam tu i mësua unë, kadaldale”...

Rasti tjetër është në spital në Gjilan, kur një pacient serb vjen për tu kontrolluar dhe mjeku posa vëren që pacienti është serb, menjëherë fillon ti flas serbisht. Meqë isha prezent dhe si gjithmonë kurioz të di arsyet e këtij fenomeni, e pyes mjekun pse po i flet serbisht? Më tha: "Po këta nuk dinë shqip". E para ti as që provove me i fol shqip që ta dish këtë dhe e dyta këta e dinë që shumica e stafit në spital janë shqiptar dhe duhet të llogarisin që shumë prej tyre tani më mjek të rinj nuk e din serbishten. Ish dashtë që ky të kujdeset për veten e tij, pasi që edhe ka nevojë për ju. Nëse nuk e din serbishten, duhet të marr dikë që t’ia përkthejë, ose të fillojë të mësojë gjuhën shqipe pasi që jeton në një vend ku mbi 90 për qind e banorëve e flasin këtë gjuhë.

Nuk më brengos dhe aq shumë fakti që ka shqiptarë që flasin serbisht me serbë sot në Kosovë, ngase ka disa prej tyre që nuk janë të shkolluar dhe të edukuar dhe e bëjnë këtë punë pavetëdijshëm. Mirëpo, më brengos shumë fakti që shumë shqiptarë që punojnë në institucione tona dhe pandehin që kanë dije, kulturë, integritet e dinjitet, e flasin gjuhën serbe pa nevojshëm. Dhe, unë u them atyre që as nuk tregojnë kulturë, as dije, as integritet e as dinjitet nëse flet gjuhën e atyre të cilët ta kanë imponuar me dhunë që ta mësosh, tingujt e së cilës kanë qenë ankth e tmerr për llojin tënd..

Për të gjithë këta shqiptarë që flasin sidomos gjuhën serbe panevojshëm, i kam me i shtuar këta rreshta të Gjergj Fishtes.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis'/ trashigim, që na la i pari/ trashigim s'ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë këtë gjuhë hyjnore/ qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja/ flet e t'veten e lèn mbas dore.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.