Bisedimet Beograd- Prishtinë, aty ku mbetën në Rambuje

15:17 / 2.02.2013

Paraqitja e djalit të Ukshin Hotit në Konventën e PDK-së, fillimisht më befasoi këndshëm. Mendova se është duke prezantuar ndonjë dokumentar për Ukshin Hotin. Paraqitja e një dokumentari të tillë në Konventë do të thoshte respekt për një figurë që ka formësuar filozofinë politike të asaj partie. Kjo do të thoshte që PDK po futet në fazën e pjekurisë së saj. Po respekton figurat e së kaluarës si garanci e kontinuitetit për të ardhmen.

Doli që PDK nuk po krijon një faqe të re historie për Kosovën, duke e futur atë në gjirin e kombeve evropiano-perëndimore, por po përsëritë historinë e shokut Enver Hoxha.

Në filmin “Nëntori i dytë”, ai që luante rrolin e plakut të Vlorës që do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, mbante në prehër një djalë të vogël “që do ta gëzonte Shqipërinë”. Edhe pse vogëlushin në film nuk e quanin Enver Hoxha, aluzioni ishte i qartë: artisti që luante Ismail-Qemal beun thoshte se ky vogëlush është më “i rëndësishmi nga të gjithë ne, sepse ky do ta gëzojë Shqipërinë”.

Tani, meqë kinematografia kosovare nuk është aq produktive sa ajo e kohës së Enver Hoxhës, dhe nuk u bë një film ku artisti që do të luante Ukshin Hotin do ta mbante në prehër një vogëlush aluzion për Hashim Thaçin, e të thoshte se ky do ta gëzojë Kosovën, u gjet djali i Ukshin Hotit të prezantonte dokumentarin për Hashim Thaçin.

Kjo na jep të kuptojmë që përkundër faktit që gjithë bota po përpiqet me na shty përpara, kemi ngecur aty ku kemi qenë edhe para 15 viteve. Dhe Hashim Thaçi ka ngelur po ai që ka qenë në Rambuje.

Në fakt, i njëjtë ka ngelë edhe problemi shqiptaro-serb dhe përmendja e Ukshin Hotit më përkujtoi shkrimin e botuar më "Flaka", Shkup, 12.02.1999, "Fakti", Shkup, 13.03.1999 dhe "Bota Sot", Cyrih më 14.03.1999 të cilin po e jap në vijim.

Turri drejt Parisit

Shtatëmbëdhjetë shqiptarë nisen drejt Parisit me qëllim të një marrëveshjeje me serbët të parapërgatitur nga Fuqitë Perëndimore. Në planin e propozuar për marrëveshje gjërat janë të thëna jo deri në fund dhe detajet e vogla që janë lënë për diskutim janë ato më të rëndësishmet. Thuhet se diplomacia ecën nëpër teh të shpatës.

Diplomatët perëndimorë kanë propozuar një plan në "teh", ku detajet janë ato që e bëjnë planin të jetë në favor të njërit apo tjetrit sa u përket shqiptarëve apo serbëve. Ndërsa Perëndimit në çdo rast do t'i bie hisja e luanit e garantuar me vetë planin apo dështimin e tij.

Të tria palët në debat: Perëndimi, serbët dhe shqiptarët shkojnë me argumente të ndryshme. Argumenti shqiptar është argumenti moral: e drejta për të jetuar. Argumenti serb është se janë ushtarakisht fitues të luftës kundër shqiptarëve, kurse argumenti i Perëndimit: kërcënimi ushtarak ndaj serbëve. Sipas teorisë së lojërave në politikë, më i ligu bëhet aleat me më të fortin kundër të mesmit. Dallimi është edhe në vetë përfaqësimin.

Perëndimi përfaqësohet me qeveritë e tyre legjitime, Serbia me regjimin e vet, kurse shqiptarët me përfaqësues që nuk dinë as vet se çka përfaqësojnë. Nga përbërja e delegacionit shqiptar shihet që përfaqësuesi më radikal do të jetë Veton Surroi, ai i cili është konsideruar më i moderuari deri tani.

Shumica e delegacionit janë ftuar thjesht ta shohin Parisin. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet fakti që asnjëra palë nuk u kujtua ta përfshinte në delegacion Ukshin Hotin, që të paktën të bënin presion për nxjerrjen e tij nga burgu. As nuk u përfshi në delegacionin e LBD, ku bën pjesë partia e tij, e as në atë të UÇK-së të uzurpuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilët deri dje e mbanin për flamurtar të tyre dhe me librat e tij fitonin para duke i shitur si dokument të Lëvizjes së tyre. Çfarë perversiteti! Këtu shihet se sa ata janë të gatshëm t'i mbrojnë interesat e Kosovës kur etja për pushtet i bëjnë të harrojnë "shokët e idealit".

Është e vështirë të ngjajë që 17 shqiptarët e turrur drejt Parisit të merren vesh atje. Përderisa nuk janë marrë vesh deri tani në Kosovë, duke e ditur se një ditë e tillë do të vijë, si do të merren vesh në Rambuje. Po t'ishin marrë vesh me kohë, në Paris do të shkonin si Qeveri e Kosovës, kurse tani atje shkojnë pothuajse si përfaqësues fisesh.

Bisedimet në France nuk është dashur të refuzohen, por atje duhet shkuar me një përfaqësues dhe ekipin e tij e jo me 17 përfaqësues. Duke bërë kompromise mes gjithë këtyre forcave, interesi real i Kosovës nuk përfaqësohet nga askush. Kosova kështu rrezikohet nga copëtimi. Kjo sepse Perëndimit mund të lëshojë pe në rast se serbët ngulmojnë në këtë më shumë se sa shqiptarët në të kundërtën e kësaj.

As serbët as perëndimorët nuk do ta përmendin fjalën "copëtim i Kosovës". Fjala copëtim mbetet për spekulim gazetash. Ideja e copëtimit përbirohet përmes planit për të "drejtat e veçanta komuniteteve" në Kosovë, në fazë të mëvonshme diskutohet për status të diferencuar të pjesëve të Kosovës. Pas kësaj vazhdon spastrimi etnik i atyre pjesëve, me pretekstin se shqiptarët po i përzënë serbët nga viset ku ata kanë më shumë pushtet, sepse serbëve, ta zëmë në Gjakovë, nuk mund t'u thuash se nuk bënë ta lëshoni Gjakovën po që se ata nuk duan të rrinë aty.

Në anën tjetër, aty ku kanë më shumë pushtet, serbet i dëbojnë shqiptarët dhe kjo konsiderohet si "ndërrim human i popullsisë" dhe nuk mërzitet kush se për një familje serbe që e lëshon Gjakovën, dëbohen me dhunë 10 familje shqiptare nga Mitrovica.

Diplomatëve perëndimorë nuk u intereson të shqetësohen me probleme të tilla sepse duan që marrëveshja që ata kanë nënshkruar të mos bie në ujë. Në anën tjetër, shqiptaret marrin pak fryme prej lodhjes 10 vjeçare e nuk shohin çfarë po ndodhë në periferi. Kur kjo të bëhet akt i kryer atëherë copëtimi është i gatshëm. Me pas, kush do të flasë për Kosovën e pandashme, do të duket anakronik, nacionalist, radikalist, kosovamadh etj.

Copëtimi i Kosovës mund të realizohet edhe pa u përmendur fare fjala copëtim. Problemi është që nuk i duhet futur fare kësaj rruge që në start. Çfarëdo kalkulimi ne drejtim statusi te diferencuar te pjesëve te Kosovës, shpie drejt spastrimit të mëvonshëm etnik te legjitimuar te atyre pjesëve.

Duhet ta dinë 17 turrësit shqiptarë drejt Parisit se ndonjë detaj i vogël që atyre mund t'u duket i parëndësishëm apo që u shpëton për shkak të rivalitetit mes tyre, ajo që nënshkruajnë apo nuk nënshkruajnë mund të jetë çështje jete a vdekje për qindra-mijëra kosovarë dhe fatale për Kosovën.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.