Kur e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme

23:01 / 3.02.2013

Shpesh dëgjojmë të thuhet se planeti Tokë po zvogëlohet. Në të vërtetë, perimetri dhe dimensionet e tij nuk janë duke ndryshuar, por kjo thënie më shumë lidhet me atë se për shkak të teknologjisë së zhvilluar edhe vendet më të largëta nuk i kemi më larg se sa një klikim në kompjuterë apo telefonat inteligjentë që ne sot i përdorim. Për shkak të këtij revolucioni tej mase të arrirë teknologjik, në të cilin po jetojmë, jemi në gjendje që të shohim, të dimë dhe të dëgjojmë shumë më tepër informacione se sa që ka qenë e mundur hiç më larg se para disa viteve.

Si shoqëri kemi kaluar vështirësitë më të tmerrshme që mund të kalojë njerëzimi. Kemi përjetuar agresionin e paskrupullt të një regjimi gjenocidal dhe represiv shekullor nën okupimin serb, okupim ky që kulmoi me luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u arrit me shumë mund e sakrifica. Me mbi 12 mijë viktima civile të vrarë dhe të masakruar, 2 mijë ushtarë të vrarë në frontin e luftës, me mbi 1700 persona që ende janë të zhdukur, mbi 10 mijë femra të dhunuara, me dhjetëra mijëra të sëmurë psikikë... E çka konsiderohej atëherë e jashtëzakonshme, që ishte çlirimi nga ky okupim i paskrupull, u arrit dhe u bë realitet që sot të gjithë ne e përjetojmë, e gëzojmë dhe e prekim çdo ditë.

Sot për qytetarët, dhe sidomos për të rinjtë e Kosovës, gjërat më të zakonshme në jetë, siç janë arsimi cilësor, shërbimet shëndetësore, mundësi të barabartë punësimi, liri të fjalës dhe të mendimit, 24 orë ujë, rrymë dhe ngrohje, konsiderohen gjëra të jashtëzakonshme.

Prej të riut të Kosovës kërkohet që të konkurrojë sot në këtë botën që çdo ditë e më shumë po “zvogëlohet”, apo thënë me gjuhën shkencore, një botë e globalizuar, me një të ri tjetër, ta zëmë në Gjermani apo Amerikë, që gjërat që ne sot i konsiderojmë të jashtëzakonshme, për ata janë më tepër se të zakonshme - janë të domosdoshme. Një të riu, kudo në shtetet e zhvilluara, i jepet edukatë që për gjërat që dëshiron t´i arrijë në jetë, duhet të punojë shumë dhe nëse ai/ajo e jep maksimumin e vet dhe punon për këtë qëllim, edhe mund t’i arrijë.

Kurse tek ne një i ri për çdo ditë përballet me të zakonshmen e krijuar që për të arritur një qëllim jetësor apo sukses, puna dhe mundi janë nga më të paktat që merren në konsideratë. Shikohet se çfarë mbiemri ka, se kë e ka mik apo dajë, shok apo shoqe që mund t’i bëjë ndonjë favor, se cilës parti i përket e atëherë arrihen ato qëllime e dëshira. Jemi duke e përjetuar çdo ditë, jemi duke u edukuar në një mënyrë të gabuar ku puna, dija dhe mundi nuk vlerësohen, ku përpjekjet individuale dhe sukseset nuk merren parasysh përderisa nuk vijnë nga njerëzit që ne i njohim, nga njerëzit e ideologjisë që ne i besojmë dhe që si për rrjedhojë krijojnë një rreth vicioz nga i cili e tërë shoqëria në Kosovë është duke vuajtur.

Kemi krijuar shërbime publike ku për bazë nuk merret meritokracia individuale, pa marrë parasysh gjininë, moshën, përkatësinë fetare apo etnike dhe bindjen politike. I kemi ngulfatur këto shërbime me njerëz jo-produktivë, jo-adekuatë për kryerjen e detyrave që ata/ato duhet t’i kryejnë. E kemi krijuar një gjendje ku kërkesa për gjërat më të zakonshme tek ne konsiderohet e jashtëzakonshme.
Shembuj të së jashtëzakonshmes në Kosovë kemi kudo dhe në çdo pore të jetës. Kur profesori i thotë studentit të tij që nuk mund ta marrë notën maksimale, edhe pse nuk ka asnjë gabim dhe i di të gjitha pyetjet që ai i kërkon nga ai/ajo; kur në një intervistë pune të thuhet që je i mbi-kualifikuar për atë vend pune, meqë në atë vend pune veç se është caktuar punëtori dhe kjo intervistë organizohet vetëm formalisht; kur shkon në emergjencë dhe kërkon ndihmën që të duhet e punonjësit shëndetësorë nuk të marrin as në konsideratë apo shkon për ndonjë trajtim në spital dhe del që andej edhe me 2-3 sëmundje të tjera apo infeksione nga papastërtia në të cilën janë zhytur spitalet tona...

Këta dhe shembuj të pafund që qytetari i Kosovës i përjeton çdo ditë konsiderohen kërkesa të jashtëzakonshme, kurse kudo tjetër në botë konsiderohen si kërkesa të zakonshme.

Prandaj, edhe konkurrueshmëria e një të riu të Kosovës me një të ri tjetër nga vendet e zhvilluara është sikur t’i futësh në një ring dy boksierë - njëri i kategorisë së lehtë e tjetri i kategorisë së rëndë. Mirëpo, duke u bazuar në të kaluarën tonë, shqiptarët gjithnjë në momentet më kritike të shoqërisë kanë ditur se kur është koha për ndryshme dhe them se ai moment është tani!

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.