Katër reflektime... për Kumanovën

23:02 / 3.02.2013

Maqedonia po thellon hendekun e saj politik. Në pellgjet e saj po lundrojnë anije të djathta e të majta të dirigjuara nga Lumi i Vdekur. Njerëzit të hutuar po presin ndryshimin e ardhmërisë së tyre, ndërsa politika po përdor kurthet e saj të fundit.

Kampanja parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni veçse filloi. Mos të hutohemi, pushteti është edhe opozita e pushtetit. Disa mendojnë se opozita luan rrolin konstruktiv në përmirësimin e pushtetit dhe gjendjes politike në vend, po harrojnë se kjo opozitë nuk po ndryshon asgjë për të mirën e përgjithshme të popullatës dhe të demokracisë.

Herë në mediume televizive e herë në mediumet e shkruara, politikanët tanë po betonojnë lojën e tyre për mos lëshimin e karrigeve. Ndoshta edhe me të drejtë do të thoshin se po të ishim ne në vendin e tyre, as ne nuk do t`i lëshonim të njëjtat.

Pushteti është sikur puna e drogës. Po e kërkove njëherë, gjithmonë do të vraposh pas tij, madje edhe nëse ky vrapim është në dëm tëndin, të familjes tënde, të rrethit ku jeton po edhe të shoqërisë në tërësi.

Pushteti autoritativ i detyron masat që të merren me ide globale dhe të harrojnë problemet reale e lokale. Kështu për shembull, kohët e fundit janë shtuar shumë aksione për ndihmë në vende të ndryshme të botës që normal duhet ndihmuar nga pikëpamja humanitare, po nuk duhet harruar idealet e zgjidhjes së problemeve të brendshme.

Do të ishte shumë më e dobishme po qe se shoqëria civile do të detyronte masat politike që të ndryshonin qasjen e tyre ndaj Burmali Xhamisë, ndaj xhamive të shumta të përdhosura në qytetet maqedonase, ndaj përdhosjes së nderit të shqiptareve, ndaj ruajtjes së dinjitetit të riut shqiptar, ndaj zvogëlimit të ndikimit të “Republikës së EVN” që po thith djersën dhe gjakun e shqiptarëve, sesa gjithë energjinë ta derdhte në aksione humanitare për vendet e ndryshme nëpër botë. Të mos keqkuptohemi, nuk jam kundër aksioneve të këtilla, po jam dhe do të jam kundër që gjithë kjo energji të fokusohet në këto aksione dhe të bëhet kinse nuk po i vëren problemet e brendshme dhe aktuale që janë po aq të rëndësishme sa drama njerëzore që po përjetohet në ato shtete ku po dërgohet ndihmë.

Në lidhje me zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni, në emisionin “Në qendër” të Vasko Eftovit u përmenden disa variante për qytetin e Kumanovës.

Katër reflektimet e mundshme ose skenarët që mund të ndodhnin në Kumanovë janë:

1. Opozita maqedonase të vazhdoj bojkotimin e zgjedhjeve dhe të marr pjesë me kandidatin e saj si të pavarur. Ky skenar i parë do të ishte në dëm të VMRO-DPMNE-së dhe në dobi të opozitës. Po qe se do të veprohej në këtë variant, LSDM do të shpëtonte nga kurthi në të cilin ka rënë pa vetëdije ose me vetëdije. Bagazhi i udhëheqjes me pushtetin lokal në Kumanovë nga LSDM-ja i jep asaj luksin që edhe me kandidat të pavarur ta fitoj këtë komunë. Shqiptarëve të Komunës së Kumanovës më shumë do t`i përshtatej një kryetar nga radhët e LSDM-së sesa një kryetar komune nga VMRO-DPMNE që për të parën herë do të mund ta merrte Komunën e Kumanovës dhe do të tentonte që të bënte gërdi në Kumanovë. Si rezultat i larjes së hesapeve midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, si kurban do të ishin shqiptarët që do të dëmtoheshin shumë më shumë sesa që janë të dëmtuar tani.

Mendoj që loja e LSDM-së nuk do të dihet deri në momentin e fundit. Ajo mund të vendos që të dalë në zgjedhje lokale në Kumanovë me një kandidat të pavarur dhe deri në afatin e fundit ta mbajë të fshehur këtë variant. Ky variant qëllimisht mbahet i fshehur që të hipet çmimi i kandidatit të tyre dhe që me lehtësi prapë ta marrin pushtetin në Kumanovë.

2. Opozita maqedonase të mos marr pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbaheshin këtë vit as si parti e as me kandidat të pavarur. Ky opsion do të nxirrte prej lloçit VMRO-DPMNE-së jo vetëm për zgjedhjet lokale, po do t`i jepte edhe një fitore të sigurt për zgjedhjet parlamentare kurdoherë që do të mbaheshin. Katër vite janë një kohë e mjaftueshme që të humben gjurmët e LSDM-së në Kumanovë dhe e njëjta të shndërrohej në histori. Mendoj se bastioni i fundit i LSDM-së është Kumanova. Po u humb ky qytet nga kjo parti, ekzistenca e saj edhe në nivel republikan do të vihej në pikëpyetje. Ndërsa shqiptarët pushtetin e VMRO-DPMNE-së po e shijojnë në nivel republikan në kurrizin e tyre. Mendoj se në asnjë periudhë historike shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë qenë më të nënçmuar dhe përbuzur sesa në periudhën e pushtetit të sotëm nga VMRO-DPMNE.

Po u instalua pushteti i VRMO-DPMNE-së edhe në Kumanovë, atëherë prite edhe zbrazjen e qytetit të Kumanovës nga shqiptarët dhe shpërnguljen e tyre me “buzëqeshje” për në Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Austri, Suedi etj. Modele të shpërnguljes së dhunshme kemi në Kumanovë me fshatrat që e lidhin Komunën e Kumanovës me Shkupin dhe me Komunën e Likovës. Fshatra tërësisht shqiptarësh që nuk kanë asnjë gjurmë shqiptarësh përveç toponimeve të sllavizuara.

Mos pjesëmarrja e opozitës maqedonase në këto zgjedhje lokale as me kandidat të pavarur as si parti, do të krijonte shumë fraksione brenda tyre. Këto fraksione do të luftonin njëra kundër tjetrës dhe detyrimisht do të ndikonin edhe në nivel republikan. Masat e pakënaqura nga kjo parti do të bënin çmos që të ruanin vendin e tyre të punës dhe mllefi i tyre me shumë lehtësi dhe mençuri mund të përdoret nga VMRO-DPMNE-ja fillimisht kundër vet LSDM-së po pastaj edhe kundër shqiptarëve të Komunës së Kumanovës.

3. Në këto zgjedhje lokale VMRO-DPMNE të bënte një koalicion me ndonjë parti shqiptare. Ky version do t`i jepte fitore të sigurt VMRO-DPMNE-së edhe po qe se LSDM-ja do të merrte pjesë në zgjedhjet lokale. Po qe se arriti që të bind një parti politike shqiptare të marr pjesë në koalicion me të, romët pastaj binden shumë lehtë në këtë karvan zgjedhjesh. Nuk është hera e parë e përdorimit të matematikave të ndryshme kundër shqiptarëve të Komunës së Kumanovës.

Tri lagjet më të mëdha shqiptare, lagja rome dhe një pjesë e simpatizantëve të VMRO-DPMNE-së do ta betononin fitoren e tyre në Kumanovë. LSDM do të ishte e pafuqishme karshi tyre kur është e konsoliduar e të mos flasim kur është e pa konsoliduar si tani.

Nëse do të ndodhte një skenar i këtillë, shqiptarët do të duhej që ta përdornin maksimum me garancinë dhe kushte. Ata duhej që të ishin të përgatitur për çdo version dhe garancionet e tyre t`i mbështetnin jo në fjalët e VMRO-DPMNE-së, po në ndërhyrjen e ndonjë fuqie të huaj ndërkombëtare që do të nënshkruante ndonjë dokument të caktuar garancioni. Përndryshe, pa kushte, pa garancion nga ndonjë fuqi e madhe politike dhe ekonomike, çdo kalkulim në këtë sferë do të ishte i dëmshëm.

4. Krijimi i një fronti të përbashkët të gjitha subjekteve politike shqiptare në Kumanovë. Fronti i këtillë pa prezencën e LSDM-së në zgjedhjet lokale do ta mundte pa problem partinë e Nikolla Gruevskit. Dhe për herë të parë pas shumë viteve drejtësia do të vinte në vend. Kumanovën ashtu siç e kanë udhëheq me shekuj shqiptarët prapë do t`i afrohej mundësia e njëjtë.

Një front i këtillë, edhe pse i dëshirueshëm nga të gjithë, në terren është i pamundshëm për shumë arsye të njohura dhe të panjohura. Pakënaqësitë më të mëdha në aspektin politik të shqiptarëve gjithmonë kanë lindur në Kumanovë. Shkaku dhe arsyeja janë të njohura. Mospërfillja totale e partive politike shqiptare ndaj shqiptarëve të Kumanovës i ka bërë kumanovarët që të janë të pakënaqur nga to.

Shqiptarët e Kumanovës nuk kanë zgjidhje tjetër përveç renditjes në një front të përbashkët politik pa marrë parasysh çmimit për këtë gjë.

Dhe një gjë është e sigurt: po u rregullua Kumanova në aspektin kombëtar shqiptar, në aspektin ekonomik, politik, kulturor etj., u rregullua e gjithë çështja shqiptare në Maqedoni. Pozita e saj gjeografike determinon ndikimin e saj edhe jashtë Kumanovës në nivel republikan.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.