Facebookpolitika

23:04 / 7.02.2013

“E ardhmja e njerëzimit nuk është evoluimi i teknologjisë, por mënyra e përdorimit të saj”. (Dominique Wolton)

Kur Hermesi, shpikësi i shkrimit, sipas Platonit, i prezantoi krijimin e tij faraonit Thamus, këtij të fundit i ngriu buzëqeshja dhe i tha: “I mençuri Hermes: Memoria është një dhuratë që ne duhet ta mbajmë gjallë. Me shpikjen tënde, njerëzimi do ta humbasë atë. Njerëzit nuk do të jenë më të aftë ta kenë kujtesën si aftësi të brendshme, por si një mjet përtej tyre”. (“The future of book”, Umberto Eco)

Sot ne e kuptojmë se frika e faraonit egjiptian vinte nga padija dhe mosnjohja e rëndësisë së shkrimit si media e re, sikurse kuptojmë skepticizmin që ka ekzistuar në shekuj, se alfabeti do të “vrasë” imazhin, libri do të “vrasë” katedralen, makina-njerëzimin, sepse ecim më pak, televizioni-librin, kompjuteri-TV-në, interneti-gazetën etj…

Historia përsëritet!

Së fundmi, kryeministri Berisha kuptoi se “Shqipëria digjitale” nuk ka të bëjë as me kodin mors, radion, kabinat telefonike, as postën e dikurshme shtetërore, dhe hapi edhe ai faqen e tij në Facebook. Në fakt, bëri mirë.

Megjithatë, për saktësi profesionale, duhet të kujtojmë shakatë “ciu-ciu” të kryeministrit me rivalin e tij politik Edi Rama dhe komunikimin në Twitter: “Rroftë ciu-ciu! Por, Shqipërinë digjitale, ne nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale. Shqipërinë digjitale e nisëm që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre, të kenë shërbimet më të shkëlqyera, të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale janë rrjete sociale dhe nuk duhet t’i deformojmë qëllimet e tyre. Ato janë për të shumuar plazmën e njerëzisë e komunikimit midis njerëzve”. (Mbledhje qeverie, 22 gusht 2011)

Habiteni! Sigurisht, që jo.

Koherenca e mendimit dhe vizioni për të ardhmen nuk kanë qenë ndonjëherë pika të forta të kreut të qeverisë, si…

I pari që nisi të bëjë politikë aktive në mediat sociale, është lideri i opozitës Edi Rama, i cili me komunikimin politik në Twitter pati dhe vazhdon të ketë “tifozë” dhe skeptikë në radhët e qytetarëve, gazetarëve apo komentatorëve politikë.

Rama është, po ashtu, i pari politikan që eksperimentoi konferencën e parë në një media sociale. Pas tij, të njëjtën eksperiencë e ndau edhe ambasadori amerikan Arvizu. Rezultatet ishin befasuese. Një përgjigje se Facebookpolitika funksionon.

Në fakt, skeptikët të kujtojnë të ashtuquajturën lëvizjen ludiste të shekullit XVII në Britaninë e Madhe, të cilët u bashkuan për të shkatërruar makinat, me argumentin se po kufizonte ndjeshëm krahun e punës.

Një ndër faqet më aktive në Facebook është ajo e profesor Artan Fuges. Filozofi i njohur i komunikimit e përdor këtë dritare për të diskutuar disa nga temat më të rëndësishme të politikës së ditës, si: “Jo, dy ekonomi, një për të pasurit dhe një për të varfrit!”; “Integrimin evropian të Shqipërisë duhet ta marrin në dorë qytetarët”; “Ne na drejtojnë sendet”; “Gazetaria e shtuar”; “Info-obeziteti e vret informacionin”; “Për KKRT: Një propozim qytetar!” etj., dhe këtë e bën në mënyrë interaktive me mbi 16 mijë miqtë e tij. Faqja është konceptuar si një media e qytetarit, ku respektohet dhe promovohet mendimi i çdokujt, por ka disa rregulla të rrepta etike, të cilat nuk mund t’i shkelësh.

Pra, profesori e përdor faqen për të komunikuar me studentë, miq e intelektualë. Gjuhëtari Ardian Vehbiu përdor pjesërisht Facebookun e Twitterin por më shumë blogun e njohur “Peisazhe të fjalës”, ku ndan shkrime e opinione me gazetarë, gjuhëtarë, komentues dhe dashamirës të faqes. Gazetari Virgjil Kule, për të diskutuar mbi probleme të gazetarisë, poezinë dhe për të promovuar librat e tij, i fundit “Skënderbeu”; qendra “Abacus Research”, për të shpërndarë të dhënat e matjes së audiencës etj...

Në faqen e kryeministrit Berisha, më 23 janar ishte postuar kjo barsoletë për darkën që Sekretari për Ekonominë dhe Financën i PS-së, Anastas Angjeli, shtroi në hotel Sheraton ditën e emrit të tij: “...Sipas zakonit, Caci, të cilit më shumë hije i ka kuleta se fjala, falënderoi të ftuarit, ngriti dollinë dhe u ul duke pritur me padurim dhe emocion elozhet e kryetarit të tij, z.Rama. Pas pak kohe, z.Rama u ngrit, falënderoi me përzemërsi Cacin për ftesën dhe, ndër të tjera, tha: Të dashur miq! Unë kam fatin e madh të mësoj të këshillohem e të frymëzohem çdo ditë për çështjet madhore të ekonomisë dhe financave, në këtë kohë krize rrënuese, nga një personalitet i shquar, i rrallë, me njohuri të nivelit më të lartë në këto fusha.

Të gjithë sytë e të ftuarve ishin drejtuar si projektor tek Caci!

Vetë atij i vërshoi adrenalina nga rrënjët e flokëve tek gishtërinjtë e këmbëve. Ai po përjetonte një gjendje më shumë se ekstaze që nuk e kishte provuar kurrë më parë. Me gotë në dorë u ngrit i përgjëruar dhe gjysmëndenjur në respekt të shefit të tij. Mirëpo, papritmas gjithçka në qenien e tij ngriu, madje, ngrinë edhe krushqit, kamerierët, sazet dhe darka, përveç gotës së dollisë që, se si ra nga dora dhe u be copa ne momentin kur shefi i tij tha se personi apo gjeniu në fjalë ishte gjysma e tij më e mire, pikërisht zonja Basha.
Ç'pate? - i tha bashkëshortja Cacit. Hiç, hiç, gotën ma morën duartrokitjet, u përgjigj ai, ndonëse i dukej se i kishte rënë jo tavani, por hoteli mbi kokë! – sb”.

Pavarësisht stilit jo dhe aq elegant të të shkruarit dhe ironisë, nuk janë barsoletat ato që presim nga një kryeministër.

Kemi dëgjuar se, veç talentit në mjeklsi, kryeministri ka edhe humor. Por, tani për tani, le të mbetemi të kënaqur me “Al-Pazarin” e Agron Llakajt në Vizion Plus dhe “Portokallinë në “Top-Channel”. Kurse si mjek, meqë është në pushtet, talentin mund ta tregojë te shëndetësia, që është për faqe të zezë.

Çfarë presin qytetarët tjetër nga kryeministri në Facebook?

Në një intervistë dhënë së fundmi në një të përditshme, historiani i njohur Pëllumb Xhufi bën një bilanc 22-vjeçar të udhëheqësve politikë shqiptarë në demokraci: “...filluan me vrasjen e historisë e të Kishës Autoqefale të Fan Nolit në 1992, dhe po e mbyllin me vrasjen e ëndrrës evropiane të shqiptarëve, në 2013. Mes këtyre dy caqeve mbetet një hapësirë e mbushur me fëlliqësira nga më të pamendueshmet në historinë e shtetit shqiptar: aleanca të fshehta e të hapura me makinën vrastare të Millosheviçit gjatë luftës në Bosnjë dhe më tej në Kosovë, mbytje e demokracisë, vrasje e zgjedhjeve, përmbysje vlerash e morali, katastrofa ekonomike, përmbytje sistematike të Veriut të Shqipërisë, degradim i programuar ekonomik e infrastrukturor i Shqipërisë së Jugut, dyndje e kaos demografik në Shqipërinë e Mesme, ‘çmilitarizim’ i territoreve jugore me tërheqjen prej andej të reparteve ushtarake dhe atyre të sigurisë, fshirje nga harta e kufijve jugorë të vendit dhe ‘mbjellje’ e tij me varreza, shkolla, simbole, konsullata, biznese të dyshimta e qendra terrorizmi e spiunazhi grek, sabotimi i Korridorit VIII, sabotimi i agjendës evropiane të Shqipërisë, rrënimi i bujqësisë, zhbërja e pasurive kombëtare e deri te mbjellja e përçarjeve ndërshqiptare veri-jug e Shqipëri-Kosovë”. (Gazeta “Shqip”, 30 janar)

Veç sukseseve me rritje dyshifrore dhe, së fundmi, deklaratat gati primitive nacionaliste, asnjë nga këto çështje nuk e kemi parë në Facebookun e kryeministrit, ndonëse prej kohësh flitet një legjendë për të. Thonë se punon dhe lodhet shumë. Nëse rri tërë ditën duke sharë me gojë e me shkrim Cacin apo duke mbushur Facebookun me “ciu-ciu” e “puc-puc” për Ramën, atëherë le të vazhdojë të lodhet.

Mesa dimë, puna matet me rezultate. Dhe, kjo puna e kryeministrit na kujton shprehjen e mençur popullore: “Drangër-dung këmborë e madhe, qumështi gjysëm okadhe...”!

Thuhet se kryeministri i ka dhënë urdhër gjithë ministrave, që të hapin edhe ata faqet e tyre në Facebook.

Urojmë që Facebookpolitika e ministrave të mos imitojë kreun e qeverisë.

Sentenca e famshme e profesorit të komunikimit Dominique Wolton, se “e ardhmja e njerëzimit nuk është evoluimi i teknologjisë, por mënyra e përdorimit të saj”, më sjell ndërmend albanologun e fundit të gjallë, profesor Shaban Demiraj, i cili në janar mbushi 93-vjeç. Edhe 100-vjeç, profesor!

Disa vite më parë, një ish-student i tij u mrekullua kur profesori gjithë vitalitet i tha: “Vazhdoj të punoj edhe më shumë për shkencën e gjuhësisë. Kam botuar edhe dy libra të tjerë. Tani kam një lehtësim të madh nga kompjuteri. Është një shpikje e mrekullueshme, edhe për ne”.

Ka shkrimtarë që vazhdojnë të shkruajnë “me dorë” dhe janë nobelistë; historianë, kineastë, teoricienë që kanë spikatur edhe në diktaturë, sikundër ka jo pak gazetarë, inxhinierë, matematikanë, ekonomistë, informaticienë që janë dështakë në demokraci, etj...

...Nuk është gjithmonë e lehtë të përcaktosh raportin dhe harmoninë mes formës dhe përmbajtjes.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.