Ideja apo individi?

15:26 / 12.02.2013

Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti kryesor politik në Kosovë që angazhohet për jetësimin e idesë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo ide në Kosovë, sidomos prej mbas Luftës së Dytë Botërore, është propaganduar nga shumë personalitete politike e intelektuale, ku më të shquarit, mes tjerëve, kanë qenë: Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe Ukshin Hoti.

Duke e pasë parasysh që PDK-së i rrezikohet anëtarësia nga Lëvizja Vetëvendosje! - sikur qysh LDK-së i rrezikohet anëtarësia nga AAK-ja - dhe në pamundësi për t’i bërë konkurrencë Lëvizjes Vetëvendosje! në jetësimin e idesë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, PDK-ja i blen personalitetet që lidhen me idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Për shembull, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga PDK-ja, e ka shpallë Adem Demaçin simbol të pavarësisë për kontributin e dhënë gjatë tërë veprimtarisë së tij dhe ka marrë vendim që t’i krijojë kushte për punë dhe jetë dinjitoze, duke i ofruar pension të veçantë në vlerë 1 mijë euro, veturë e vozitës, kurse për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, i ka nda 50 mijë euro për botimin e kompletit të veprave të tij dhe 40 mijë euro honorar.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga PDK-ja, ngjashëm ka vepruar edhe me akademikun Rexhep Qosja, duke i nda rreth 200 mijë euro për botimin e kompletit të veprave të tij, ku vetëm për shtypin ka nda 67 mijë e 500 euro, ndërsa honorar për autorin 136 mijë euro.

Meqenëse Ukshin Hoti, sipas të gjitha gjasave, nuk është në mesin e të gjallëve, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga PDK-ja, e keqpërdorë - siç bëri së fundi në kongresin e partisë - djalin e tij, Andin Hotin, të cilin edhe e ka punësuar në Ministrinë e Integrimit Evropian, e ndoshta edhe i ka bërë ndonjë favor tjetër që ne s’e dimë.

Për më shumë, PDK-ja ka arritë deri-diku ta bëjë për vete, përveç LPK-së që dikur thoshte se angazhohet për njëfarë unioni Kosovë-Shqipëri, edhe subjektin politik Lëvizja për Bashkim (LB), që po ashtu thotë se angazhohet për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Anëtarësia e LB-së është në masë të madhe anëtarësia e LKÇK-së që gjatë viteve 90 angazhohej ilegalisht për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Është mirë të potencohet se për afrimin e LB-së me PDK-në, një pjesë të fajit e mbanë edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje!

Pra, kështu po mbrohet PDK-ja nga rreziku që po ia shkakton Lëvizja Vetëvendosje!, por është e çuditshme se si LDK-ja nuk po ndërmerr asgjë për t’u mbrojtë nga rreziku që po ia shkakton AAK-ja.
Sidoqoftë, për mos me e zgjatë më shumë, përgjigjen se kush është më e rëndësishme: ideja apo individi, e kemi te një intervistë e gjatë e Adem Demaçit e vitit 1990 për gazetarin slloven Matjaž Hanžek, të botuar edhe si libër me titull “Njëzet e tetë vjet - as i gjallë, as i vdekur”: “Mos e vendosni njeriun para idesë sepse kjo është punë e rrezikshme. Njeriu mund të mashtrohet, të burgoset, të vritet, kurse ideja jo. Duhet t’i respektoni dhe t’i dëgjoni njerëzit që janë në shërbim të idesë së demokracisë, të barazisë, lirisë. E nëse këta njerëz ua kthejnë shpinën këtyre ideve, atëherë edhe ju kthejuani shpinën atyre njerëzve. Pra, ideja duhet të jetë pika në të cilën duhet të mbështeteni, sepse individët mund të gabojnë, mund të burgosen, mund të vriten, mund të vdesin”.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.