Teledrejtësia

23:56 / 13.02.2013

E paske ngatërruar me telemjekësinë, më tha një mik me të cilin po e diskutoja titullin e këtij shkrimi. Ai është shumë i përpiktë me nocionet. Teledrejtësia nuk ekziston! E telemjekësia, po më sqaronte ai, është ajo kur mjekët tonë ta bëjnë operacion zemrën, apo veshkën në Prishtinë e përmes videokamerave marrin instruksione profesionale nga mjek eminent nga Turqia , Izraeli apo Brukseli. Ka ecë teknika.

Ka, si nuk ka?! Teledrejtësia , i thash, është kur trupi gjykues mblidhet në Prishtinë ndërkaq i akuzuari lajmërohet nga ndonjë internet kafe në Suedi. Pranë tij dy avokatë të cilët e këshillojnë se çka duhet dhe si duhet të flas. Kjo bëhet për publikun, jo për gjykatën, apo porotën. Kujt i bënë për gjykatën te ne! Krejt bëhet për publikun. Vendorë dhe ndërkombëtarë! Se publiku do argëtim! Publiku po kënaqet me këto serialet tona lokale.

Ata, tashmë e dinë se kur mblidhet gjykata te ne, të gjithë janë aty. Vetëm dy gjëra mungojnë: Dëshmitë ose dëshmitarët. Dëshmitë zhduken, dëshmitarët (vet)vriten! E dënimi ? Dënimi natyrisht shpallet paraprakisht nëpër kafene! U tha: krejt bëhet për me argëtue publikun! E karvani ec!

Mbrëmë, po e shikoja një film plot dramë dhe aksion. Bëhej fjalë për një ish polic të akuzuar pa faj. Ai i dëshpëruar nga sistemi i korruptuar, u ngjit në një ndërtesë të lartë dhe po kërcënohej se do të kërcente nëse nuk rishikohej rasti i tij. Policët, gjykatësit dhe biznesmenët e korruptuar e kishin dënuar pa pikë faji, të ngratin. Të njëjtit tash, po përpiqeshin, që sipas detyrës zyrtare të mos e lenin të kërcej. Po bënin gjithçka! Veç sa nuk po e shtynin!

Polici, prej lartësisë marramendëse po tërhiqte vëmendjen e publikut, para qindra njerëzve të cilët, poshtë nga platoja e qytetit më të madh në botë po e trimëronin të kërcente. “Kërce,kërce, kërce”, po brohoriste turma në ekstazë, krejt indiferente për arsyet përse ishte ngjitur lart! Sikur në koloseumet e perandorisë romake. Kjo natyrisht po ndodhte në Amerikë, ku për dallim nga ne, kamerat të mundësojnë që përveç se të bësh show, njëkohësisht edhe mund të dëshmosh diçka. Te ne nuk të trimërojnë të kërcesh, se te ne publiku ka zemër. Pastaj dihet se jemi inatgji. Nëse u thonë, kërce, ata për inat nuk kërcejnë. Te ne të shtyjnë, të ndihmojnë të kërcesh, të ndihmojnë të pranosh fajin. Të thonë: “na e more ftyrën para faktorit ndërkombëtarë”! Prano, për hir të Kosovës!

Por, të kthehemi te Xhabiri, (ar)miku ynë publik i cili nuk u dorëzua as para drejtësisë vendore dhe as asaj ndërkombëtare. Dorën zemër nuk e kishte të lehtë. Sot je kryetarë komune, e nesër je në burg. Nuk e përballon dot, njeriu! Ai për shembull, nuk e kishte kurajon e Samiut. Madje, siç më tha një mik, Samiu derisa ishte në burg, paska qenë i burgosuri më i disiplinuar. Asgjë nuk bënte pa e pyetur rojën. Ka mbetur përshtypja publike , sidomos për publikun e komunës më të organizuar në botë, se kryetari i tyre po bashkëpunon me drejtësinë. Sidomos me atë ndërkombëtare, se vendorja ka respekt! Sidomos qytetarët! ” Ju njëqind herë mundeni me e dënue kryetarin tonë, e ne njëqind herë prapë e zgjedhim kryetarë “ këmbëngulin ata. Eh, tash, me këto burgje! Kohë , o kohë!

Më kujtohet burgu i Prishtinës i viteve të tetëdhjeta! Atë kohë të burgosurit flinin në tokë, nëpër dyshek të mykur, sikur në konservë të peshqve si shprehej plot kolorit një ish funksionarë i autonomisë i cili në gjendje të dehur kishte folur diçka keq për shtetin. Pastaj mu kujtua qelia famoze numër tre, e cila nga të burgosurit me përplot dashuri dhe respekt, quhej , “Te trapazani” ! Ishte shumë reale! Atëherë nuk ekzistonte bota virtuale. Shkohej në burg përnjëmend !

Ky “Trapazani”, ishte një dhomë e shtruar në çimento, në të cilën mbi katër shtylla të drunjta ishte improvizuar një shtrat prej dërrasash. Kaq! Një batanije dhe një qyp për rast nevoje!

Aty dërgoheshin problematikët dhe të burgosurit e rinj të cilët synohej të tmerroheshin qysh në fillim. Për të burgosurit e sotme të cilët kanë në dhomë çdo gjë përfshi televizor, telefona celularë , madje edhe raki apo “bar”, kjo është një përrallë mesjetare e cila nuk ka ekzistuar kurrë.

Paramendojeni këtë bisedë në facebook, kur ajo e pyet se ku është, e ai i përgjigjet se është në Dubravë!

Kështu, puna është si është më së miri! Por, të kthehemi te tema! Teledrejtësia është edhe një hap përpara! Ajo mundëson që i akuzuari të jetoj si është më së miri në BE, Amerikë, apo në Afganistan, e gjykata të mblidhet në Kosovë. “Si deklarohesh i akuzuar, e pyesin? ” e ai përgjigjet: “Mirë, faleminderit, shumë mirë! Kështu ai, do të luaj pak “poqe “ me sistemin tonë vendorë dhe ndërkombëtarë të drejtësisë. Këtu gjykatësit tonë të urtë do të bëhen pak nervoz. Ata, përndryshe janë zgjedhur me kujdes. Sikur në kohët më të mira. Me përshtatshmëri moralo-politike! Kur ka thënë shefi : “I joni është” ai është përzgjedhur! Madje, disa nga ata, janë ende nga epoka e artë e socializmit vetëqeverisës. Madje njëri është edhe kryetar gjykate, në Republikën e Kosovës.

I njëjti, autorin e këtyre radhëve e kishte dënuar, “në emër të popullit”, me burgim të gjatë, sepse po kërkonte që Kosovës të i njihej statusi i republikës. E kishte shpallur armik! Tash ai është gjykatës i Republikës së Kosovës! Por, çka ka lidhje?! Ai përshtatet lehtë! Unë jo! Megjithatë, personalisht, ndihem i fituar. Edhe gjykatësi!

Pra, këta gjykatës janë të dëgjueshëm. Ndaj cilitdo. Se kanë gajle. Prapë me i kthye në autonomi, ata prapë gjykatës do të jenë. Janë profesionistë. Gjykatës të tillë, marrin vendime politike pa kurrfarë brejtje të ndërgjegjes. E faktori ndërkombëtarë na thërret të respektojmë vendimet e gjykatave. Jepjani tokat e juaja kishës. A keni tapi se ato kanë qenë tuajat tash 2000 vjet? S’keni! E pra, ata e kanë me vulë! Nga presidenti serb, i cili nuk e priti verdiktin e Hagës! Prandaj, pa vendim të plotfuqishëm të gjykatës ndërkombëtare , as nuk guxon të quhet kriminel lufte! Ai ishte veç i dyshuar për krime lufte! Po shihet, edhe ndërkombëtarët po dyshojnë dhe po e kruajnë qimen e ujkut!Nejse, mos e prekni, as kishën politike në hapësirat e universitetit! E kanë me letra! Nuk e di përse gjithë kjo luftë. Ai paska punuar krejt me letra. Me vula! Pastaj kishë ka ndërtue aty, e jo xhami! Ani çka që është politike! Ne paskemi qenë gabim!

Nejse, Xhabiri bëri mirë që u lajmërua. Ai nuk po bënë hajgare. Don drejtësi. Natyrisht, ai iku sepse e dinte që në këtë vend nuk ka drejtësi, përndryshe përse do të ikte?! Ai nuk besonte në drejtësinë e dostave të vet. E din ai, si funksionon.

Gjykata, natyrisht do të mblidhet. Kur të shpallë vendimin, Xhabiri do të ngritet në këmbë dhe do të dëgjojë me respekt, vendimin. Pastaj do të shkojë me pi kafe me avokatët e tij. Pastaj do të ankohet! Kështu deri në gjykatën supreme. Pastaj s’ka ku shkon më tutje. Vjen koha që vendimi të ekzekutohet. Situata veq në dukje të parë duket pa shtegdalje. Ka shtegdalje!

Do të fotografohet një qeli nga burgu i sigurisë së lartë në Dyz, me pamje nga “deti” i Batllavës. Ato do të i dërgohen Xhabirit me e-mail, nën mbikëqyrjen e EULEX-it.

Xhabiri , me vendim gjykate, obligohet që këto foto t’i mbajë për tri vjet rresht në celularin e tij (ose iPad) dhe t’i shikojë ato së paku tri herë në ditë. Para buke!

Ky aktvendim është i formës së prerë dhe në të nuk ka të drejtë ankese.

Eh, shyqyr që iku koha e trapazanave dhe erdhi koha e teledrejtësisë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.