Faleminderit vëllezër shqiptarë të Maqedonisë dhe të shtetit shqiptar

17:28 / 19.02.2013

Këto ditë në institucionet e Kosovës, në shkolla, në shtëpi dhe kudo tjetër ishte e pranishme dhe u përjetua fuqishëm festa e gëzimit për ne shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë kombin tonë - 17 shkurti, 5-vjetori i Pavarësisë së Kosovës! Një ëndërr e parë me shekuj u realizua me shumë mundim, me shumë sakrifica dhe me shumë gjak të brezave, të cilët, njëri pas tjetrit kishin vetëm një porosi: çlirimin e Kosovës dhe të çdo pëllëmbe të tokës shqiptare.

Secili qytetar u mundua të festojë në mënyrën e tij. Dikush duke shëtitur nëpër pjesët e bukura të Kosovës, si malet e Sharrit e Bjeshkët e Rugovës, dikush duke vizituar kryeqytetin historik të Shqipërisë, Prizrenin, ku ishte themeluar Besëlidhja Shqiptare për mbrojtjen e Shqipërisë nga copëtimi që kishte përgatitur Evropa me Traktatin e Shën Stefanit dhe me Kongresin e Berlinit. Copëtimi e ricopëtimi i tokave të Shqipërisë vazhdoi edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, nga e cila mezi doli një shtet shqiptar në një të tretën e Shqipërisë.

Gjatë këtyre ditëve festive populli i Kosovës dhe shqiptarët anembanë botës kujtuan dhe nderuan dëshmorët, atdhetarët dhe të gjithë ata që me punën, mendjen, penën dhe pushkën e tyre u përpoqën dhe ranë në Altarin e lirisë për çlirimin e Kosovës dhe të çdo krahine shqiptare të pushtuar nga shovinistët fqinj. Kudo në Kosovë shqiptarët u përkulën me nderim të thellë para dëshmorëve të kombit. Edhe për këtë Ditë të shënuar për kombin shqiptar nuk e di kush mbeti pa shkuar dhe pa u përulur me nderim, dhembje e krenari te varrezat e Jasharëve në Prekaz, para Komandantit Legjendar, Adem Jasharit. Lufta e këtyre dëshmorëve dhe heronjve të kombit shqiptar dhe lufta e bashkëluftëtarëve të tyre të gjallë, lufta e UÇK-së, që pati përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës demokratike, ia solli lirinë kësaj toke të Shqipërisë, Kosovës.

Populli i Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë nuk harruan në këtë ditë festive as falënderimin dhe mirënjohjen për miqtë tanë: Amerikën, Evropën dhe botën demokratike. Përkrahja e tyre për përpjekjet dhe luftën tonë çlirimtare është dhe do të mbetet në kujtesën e kombit tonë shqiptar.

Manifestimet festive për nder të këtij Pesë vjetori të Pavarësisë sivjet nisën me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Gjatë këtij solemniteti të drejtuar nga Rektori Ibrahim Gashi, u dhanë edhe mirënjohje-dekorata “post mortum” (mbas vdekjes) për ata studentë që kishin dhëne jetën e tyre për çlirimin e Kosovës.

Në mbrëmje pat edhe dy manifestime të tjera: njëri i organizuar nga Kryeministri dhe tjetri, një koncert i artistëve të rinj të Kosovës, në kuadër të 5-ditëshit të aktiviteteve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Organizimin e koncertit e bëri profesori, intelektuali dhe akademiku, Zeqirja Ballata. Karakteristikë dhe kënaqësi e veçantë ishte prezenca e artistëve dhe krijuesve të shquar shqiptarë nga Tirana, Zhani Ciko, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit Kombëtar, si dhe babai i Inva Mulës, Avni Mula, i cili në këtë mbrëmje këngën e tij të njohur “Agimet shqiptare”, kësaj here nuk e dëgjoi nga bija e tij Inva, siç ndodhi ca javë më parë, por e dëgjoi nga një “bijë” tjetër shqiptare e Kosovës, Besa Lluga(iqi), e cila e interpretoi shkëlqyeshëm bashkë me artistët tjerë të mbrëmjes.

Kontributi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë Tiranë-Prishtinë në botën e artit është për t’u veçuar, sepse organizimet e këtij lloji këtyre viteve të pasluftës në Kosovë, kanë bërë të mundur afrimin dhe lidhjen më të ngushtë të artistëve dhe artit, si dhe të dy qendrave shqiptare. Hapësira që i është dhënë artistëve tanë në TOB të Tiranës është për çdo lëvdatë dhe falënderim, sidomos ndaj Zhani Cikos, i cili me përkushtim të veçantë punon me të rinjtë tanë artistë. Ndërsa në mbrëmje solemnitetin e 5-vjetorit të Pavarësisë, të organizuar nën përkujdesjen e Kryetares së vendit, e ka shënuar edhe Koncerti i Filarmonisë së Kosovës, e cila me përkushtim të madh ka bërë përgatitjet e saj, duke u munduar që para mysafirëve të shumtë nga trevat gjithëshqiptare, por edhe ndërkombëtare, t’i qes në pah vlerat e traditës sonë muzikore kombëtare me kompozitor nga Prishtina, Tirana dhe nga kompozitorë të njohur botëror!

Por, ajo që desha të them dhe ta veçoj, është se me rastin e këtij festimi dhe të këtyre manifestimeve me rëndësi kombëtare kaq të madhe, do të duhej më shumë vetorganizim i familjeve shqiptare nga Kosova, të cilat gjatë gjenocidit dhe holokaustit serb e gjetën derën e hapur dhe ngrohtësinë vëllazërore edhe në familjet shqiptare të Maqedonisë. Nuk do të harrohet kurrë bujaria dhe gatishmëria që treguan në atë kohë për të strehuar familjet e dëbuara nga Kosova, duke u munduar që të bëhen pjesë e shpirtit të tyre të lënduar për tre muaj me radhë. Jo vetëm kaq. Shumë bijë dhe bija të tyre po luftonin me arëm në dorë dhe po kontribuonin në forma të ndryshme përkrah vëllezërve të tyre për çlirimin e Kosovës.

Familjet shqiptare në Maqedoni, si kudo në hapësirën shqiptare, po ndanin kafshatën e gojës së bashku në një sofër të përbashkët, duke thyer ndoshta edhe rregullat e tyre kanonike të ruajtura ndër breza, vetëm e vetëm që fëmijët e përlotur nga Kosova të gjenin ngrohtësinë që ofron shtëpia. Duke u munduar për shëndetin e pleqve që lëngonin nga sëmundjet e ndryshme, duke i pranuar gratë dhe nuset tona si motrat dhe bijat e tyre, duke ndarë çdo dhimbje e lëndim së bashku me ne. Andaj, ëmbëlsirat e gatuara nëpër shtëpitë tona, do të ishte shumë e rrugës që t’i ndanim me familjet në të cilat kemi bashkëjetuar për tre muaj me radhë.

Nuk më ka rastisur që të dëgjojë se është bërë ndonjë ftesë e tillë nga ndonjë familje e jona. Do të doja shumë që të isha gabim, sepse mikpritja e tyre, bujaria që treguan ata gjatë asaj kohe, mahniti tërë botën, sepse bota e dinte deri diku se populli shqiptar në Maqedoni, nuk ishte aspak në gjendje politike e ekonomike më të mirë se populli shqiptar në Kosovë. Por, ata respektuan me fanatizëm traditën e lashtë shqiptare, mikpritjen dhe besën shqiptare, duke u dëshmuar se janë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë.

Unë nuk do t’i harroj kurrë lotët e gjyshit të Strugës, i cili kur e përcolli familjen dhjetë anëtarëshe, që kishte mbajtur ata tre muaj, i rridhnin lotët faqeve të vijëzuara nga rrudhat e pleqërisë së tij, të cilën ai në asnjë moment gjatë atyre tre muajve nuk e qiti në pah, vetëm e vetëm që vëllezërit nga Kosova të ndiheshin lirshëm, si në shtëpinë e tyre. Atë lloj përshëndetje familjesh me lotë në sy, e kemi takuar në çdo vendbanim shqiptar të Maqedonisë së atij viti: në Tetovë, Gostivar, Shkup, Strugë, Kërçovë, Kumanovë... kudo që ishin shqiptarët, edhe nëpër katunde të shumta. Lotë ndarjeje, lotë dhimbjeje, lotë gëzimi që më në fund familjet nga Kosova po ktheheshin në shtëpitë e tyre, në vendin e çliruar!

Mirëpo, thonë se “çdo e keqe, ka një të mirë”. E keqja ishte dëbimi nga vatrat e tona, ndërsa e mira ishte njohja dhe miqësia e këtyre familjeve me familjet e shqiptarëve atje, sepse kjo bëri të mundur të lidheshim edhe më shumë me njëri-tjetrin. Pastaj krijimi i një marrëdhënieje të re që lindi gjatë atyre muajve dhe po vazhdon gjatë gjithë këtyre viteve në të gjitha fushat e jetës.

Bashkëpunimi i ndërsjellë, përveç atij ekonomik, ka marrë edhe forma të tjera. Me hapjen e Universitetit Publik të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, po zhvillohet edhe një bashkëpunim tjetër. Të rinjve nga Kosova iu hapën dyert e këtyre tempujve të dijes në zhvillimin e tyre intelektual! Bashkëpunimi i ndërsjellë vazhdon dhe me angazhimin e profesorëve dhe pedagogëve këtu dhe atje nëpër Universitetet tona! Një bashkëpunim i këtillë, një njohje e këtillë e ndërsjellë është tepër e shëndetshme për ndërtimin dhe njësimin e shoqërisë shqiptare për brezat e rinj.

Me shpresë që në të ardhmen, ashtu siç vepruan institucionet kombëtare të Kosovës, duke bërë ftesë të gjitha institucioneve dhe personaliteteve me rëndësi kombëtare, që të jenë pjesëmarrës nëpër të gjitha organizimet festive me rastin e 17 shkurtit - 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit të Kosovës, ashtu duhet të bëjnë edhe familjet shqiptare të Kosovës. Torta festive të ndahet me familjet qe jetuan në Maqedoni dhe Shqipëri, sepse dihet që familjet në Shqipëri kanë po ato merita që ceka më lartë për familjet shqiptare të Maqedonisë. Pra, me shpresë të përmirësimit dhe zhvillimit të çdo fushe që ka të bëjë me bashkimin tonë shpirtëror, ekonomik, kulturor... si shqiptare e Kosovës, në emër të çdo familje shqiptare të Kosovës, me rastin e 17 shkurtit - Ditës së Pavarësisë sonë, u them faleminderit familje shqiptare të Maqedonisë dhe Shqipërisë!

 

 

 


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.