Kosova në pentagram: një punë e dy rrugë

17:29 / 19.02.2013

Kosova është një fëmijë pesëvjeçar me emër, por një i moshuar një shekullor pa emër. Është ideja këtu për pesë vite përpjekje në shtendërtim dhe njëqind tjera për shtetëzim. Kjo paraqet një sfidë komplekse për studimet rreth shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Por, ka diçka ende më komplekse. Për shembull, të gjithë sot flasin për shtetin, disa duke i dhënë atribute qiellore, e disa për atë se ka ardhur koha që shteti të zëvendësohet me diçka tjetër, deri te më ekstremja që u referohet esencialictëve, sipas të cilëve, shteti nuk është send dhe si i tillë nuk ekziston. Në këtë sens, Kennedy sugjeroi që “shtetasi të mos pyes kurrë se çfarë bënë shteti për të, por çfarë bënë ai për shtetin e tij”. Në anën tjetër, Kissinger po lanson idenë e “eutanazisë” për ndërrimin e shtetit me një tjetër formë të organizimit shoqëror. Megjithatë, shteti mbetet në mendjen dhe gojën e secilit si dhe një dëshmi që çdo qenie njerëzore në planet, sot për sot, jeton diku brenda kufijve të një shteti apo autoriteti respektiv.

Atëherë po themi edhe ne diçka për shtetin tonë Kosovën. Mirëpo, për dallim nga Kennedy, më shumë do ta shtrojmë pyetjen se çfarë ka bërë vetë shteti për veten e tij në këto pesë vite?

Kosova për pesë vite me radhë ka bërë “një punë e dy rrugë”, duke i ndërruar kursin maksimës “një rrugë e dy punë”. Në këtë rrugë gjysmë-dekadëshe që prej deklarimit të pavarësisë së saj, Kosova ka tentuar t’i përmbushë dy rrugë madhore: E para: Kosova ka arritur ta forcoi subjektivitetin e saj ndërkombëtar gradualisht; E dyta: për pesë vite, edhe pse me një lloj “pavarësie të kushtëzuar” nga një monitorim ndërkombëtar dhe e njohur nga më pak se gjysma e shteteve të botës, megjithatë shteti ynë bëri shumë përpjekje për funksionalizimin sa më efikas të institucioneve si komponentja kryesore shtetndërtuese.

Në fakt, këto dy punë e kanë kushtëzuar njëra-tjetrën në kuptimin që kanë ndikuar në efikasitetin, përkatësisht në degradimin e procesit përkatës. Megjithatë, më i theksuar ka qenë ndikimi i pozitës së saj ndërkombëtare mbi atë shtetndërtuese. Këtu mendohet për pengesat që ka sjell fakti i mos njohjes nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së dhe disa vendeve anëtare të BE-së, duke e zbehur në disa drejtime fuqinë e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Mirëpo, sidoqoftë Kosova funksionoi si shtet, duke i dhënë një argument shtesë shkollës natyraliste të së drejtës ndërkombëtare se ekzistenca e shtetit është më tepër çështje faktike se sa juridike.

Është kështu sepse, pavarësisht që Kosova edhe pse nuk siguroi njohjet e mjaftueshme për anëtarësim në OKB, prapëseprapë ajo u bë anëtare e disa mekanizmave global të fuqishëm falë mbështetjes nga shtetet më të fuqishme në planet.

Kjo çështje riafirmoi edhe një herë faktin se në trajtimin e problemit të Kosovës nga bashkësia nërkombëtare dominuese ka qenë gjuha e marrëdhënieve ndërkombëtare ndaj asaj të së drejtës ndërkombëtare. Kjo gjë u vërejt edhe në planin integrues të Kosovës në mekanizmat rajonal dhe global. Për pesë vite Kosova u bë anëtare e forumeve kryesore globale si: Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, e po ashtu edhe e disa mekanizmave rajonal si CEFTA dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo praktikë argumetoi se pavarësisht që Kosova po e konsolidonte identitetin e saj prej sovrani, ajo kohë pas kohe, duke u bërë pjesë e këtyre strukturave integruese e barti një pjesë të këtij sovraniteti saj. Pra, ndodhi ashtu siç argumentoi ish ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, se “sovraniteti në kohën moderne forcohet duke e ushtruar e jo duke e ruajtur”.

Nëse i atribuohemi një suksesi të Kosovës në këto dy rrugë, duhet theksuar se këto rrugë filluan të ndërtohen që nga viti 1999, kur pavarësisht pse Kosova nuk e kërkonte bashkësinë ndërkombëtare, megjithatë kjo bashkësi ishte në Kosovë. Gjatë kësaj kohe u vunë bazat e para të shtendërtimit përmes konsolidimit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes si pararendëse të institucioneve të tanishme.

Së fundi, suksesi më i madh në këto dy rrugë është që Kosova arriti të dëshmojë se ky shtet paraqet një faktorë sigurie dhe stabiliteti si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Kosova, marrë në përgjithësi, paraqet një storie suksesi, apo për ta përmbyllur me një thënie diplomatike: “Në Kosovë është bërë shumë, por akoma ka mbetur shumë për tu bërë”.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.