Faji nuk është jetim!

17:32 / 20.02.2013

Më në fund u gjet edhe fajtori! Faji nuk paska qenë jetim. Paska pasë babë, nanë dhe familjen e gjerë, rrush me vëllezër e kushërinj!

Ndërkaq, ne të gjithë paskemi qenë në lajthitje! Kishim një ide krejt tjetër për fajtorët, për gjendjen tonë.

Nuk paska qenë fajtore Serbia e cila për 100 vjet pushtim bëri të gjitha të zezat që një pushtues zakonisht i bën, e bile bëri edhe inovacione në fushën e terrorizmit shtetëror dhe praktikave të apartejdit e të gjenocidit! Serbia zyrtare ende nuk ndihet fajtore!

Nuk paska qenë fajtore as Perandoria Osmane dhe sulltanët e saj të famshëm të cilët serbëve u lejonin kishat edhe shkollat në gjuhën serbe, ndërsa neve që na donin aq shumë nuk na lejonin të flisnim e as të shkruanim shqip në jetën publike. Prandaj, po i rishkruajmë librat e historisë! Ata na donin!

Nuk paska qenë as greku, “junani” me priftërinjtë e vet fanatikë, të cilët e ndalën në gjysmë të rrugës “udhën e shkronjave” duke e “vrarë” me këtë rast edhe aktorin e famshëm Ndrekë Luca. Po të mos ishte “Tunxhi”, edhe sot nuk do të kishin mbërri shkronjat shqip ndër ne! Ishte vetëm një film!

Nuk paska qenë fajtore as Rusia cariste e as ajo komuniste e cila duke u mërdhirë afër Polit të Veriut gjithnjë ëndërronte që me çdo kusht të dalë në detëra të nxehta. E sidomos në Adriatik! Jo, nuk paskan qenë! Kështu na mësonte historia deri më sot, por jo edhe historiani ynë, Kryeministri i vendit.

Fajin e ka Brukseli, po thotë ai! Duke iu referuar mediave, mësuam se kryeministri ynë “i shkathtë” e paska gjetur fajtorin e krejt fatkeqësive tona! Kryeministri,duket se foli prej zemrës së plastë, prej pafuqisë! Me këtë rast nuk përmendi dhjetëra arsyet të "imta" si korrupsioni, krimi i organizuar etj., të cilat Brukseli i ka parashtruar me rastin e refuzimit...! Natyrisht, Kryeministri e fajësoi Brukselin vetëm për mosdhënien e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, por... po kuptohet që faji është më i gjerë. Shumë më i gjerë! Mjafton të çelet “Kutia e Pandorës”!

Shyqyr që tash, në këto rrethana të reja, faji nuk është më jetim, se nuk do të mjaftonte as një rrjet global jetimoresh për me e strehua! Por, edhe Kryeministri ynë llafazan, fatmirësisht e përmendi vetëm nënën e fajit, nënën plakë, e cila dikur nga dashuria dhe zemra e plastë nëpër disa këngë tona popullore quhej edhe “Evropa plakë”! Por, edhe kaq mjafton! Kryeministri ynë i rritur me sharkia, e i vetëquajtur edhe “Gjarpër”, ndërroi të gjitha lëkurat dhe të gjitha ngjyrat e mundshme, por kot. Nëna s’po na do! Nëna ka faj, po thotë ai!

E ne? Ne, e sidomos Qeveria, jemi krejt të pafajshëm. Jemi porsi fëmijë! Si fëmijë pesëvjeçarë, të cilët nëna Evropë ende ka nevojë t'i mbajë përdore derisa ta kalojnë rrugën! Natyrisht nëpër zebër. Të na ushqejë me lugët e saj të florinjta. Se ne jemi ende fëmijë! Por, jemi fëmijë të përparuar, natyrisht. Nuk lagemi më në pelena. Edhe në parashkollorë kemi mësuar shkronjat e para. Kemi arritur deri te shkronja BE!

Por, s’po na donë, po thotë kryeministri, edhe pse jemi kaq të mirë. Brukseli ka faj, po thotë! Hallall! Shkuan kot krejt servilosjet, tenderët, të “asishnet” qeveritare! S’po na donë!

Por, pikërisht në këtë kohë edhe serbët ekstremë e gjetën fajtorin për krejt problemet e tyre. Në këtë trend ata e rrahën për shtat palë qejfe një patrullë të KFOR-it. Edhe Kryeministri serb po bën BE, por serbët lokalë kjo nuk po i bënë të ndihen si dele. Ende po ndihen si ujq, se ashtu janë mësuar të ndihen në Kosovë. Historikisht, delet ishim ne. Ata na rrihnin, e ne bënim BE!

A është fajtorë KFOR-i? Për këtë ka mendime të ndara! Disa mendojnë se KFOR-i, në vend se të realizojë mandatin e vet, u mor më shumë me politikë! Mandati i KFOR-it ka qenë të pushtojë tërë territorin e Kosovës dhe të çarmatosë të gjitha strukturat e tjera të sigurisë. Por, KFOR-i lejoi të vetorganizohen struktura të cilat nuk janë të parapara me asnjë dokument. Këndej dhe andej lumit Ibër! Këtë po e bën edhe EULEX-i!

Kështu, këto struktura “civile”, nën përkrahjen e errësirës, i rrahën edhe ushtarët e armatosur të KFOR-it. Por, KFOR-i nuk e bëri të madhe.

Për disa serbë lokalë, KFOR-i është fajtor! Sepse po të mos ishte KFOR-i, ata do të vazhdonin të na rrihnin neve. Si janë mësuar gjatë tërë shekullit të kaluar. Si është edhe rendi, sipas tyre! Sepse, në tregimin e moçme të shkruara nga akademikët serbë, ne ishim të këqijtë dhe ata ishin të mirët. Akademikët serbë, natyrisht ende heshtin. Heshtin edhe priftërinjtë, të cilët, sot po i kërkojnë me ligj pronat e tyre mesjetare! Ende nuk doli dikush të thotë se librat serbe ishin shkruar për një epoke tjetër! Se nostalgjia për perandoritë mesjetare s’ka të bëjë me ligjin! Ende nuk doli dikush të ndihet fajtor, për të kaluarën! Ata ende nuk blegërijnë! Ende ulërijnë si ujq! Është e paqartë se çfarë duan: Evropë apo mesjetë? Apo të dyja bashkë?

Ndërkohë, derisa Kryeministri dhe ekstremistët serbë tashmë i kanë gjetur fajtorët, qytetarët e këtij vendi janë në një konfuzion të plotë. Njerëzit e qeverisë i kanë ndërruar fjalët. Kanë ndërruar edhe taktikë! Më nuk po e luftojnë opozitën! E kanë kopjuar krejt retorikën e saj dhe po e përsërisin me zhurmë! Po e sulmojnë vetveten! Janë bërë më radikalë se opozita. Po angazhohen kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit! Gjysma e partisë më të madhe në botë, po e akuzon tjetrën! Po përmenden krime të rënda. Por, ata, natyrisht se nuk kanë faj! Kanë veç merita! Sa më të akuzuar, aq më afër kryeministrit!

Dihet tashmë se faj ka vetëm populli! Edhe Brukseli! E për disa edhe KFOR-i!

E ne? Ne po rritemi! Ditën kur po e shkruaj këtë shkrim, sapo kemi mbushur pesë vjet! Po na trajtojnë si fëmijë edhe ne po luajmë lojëra fëmijësh! Po vizatojmë! Fisi, si “arushë mali”, e vizatoi flamurin e kombit mu në krye të shkronjës “N”! “Newborn” u stolis me flamujt e të gjitha vendeve të cilat na kanë njohur, madje u lanë edhe pesë vende të zbrazëta për vendet e BE-së, të cilat ende nuk na kanë njohur! Por, nuk e la edhe një vend të zbrazët për flamurin e Serbisë për të cilën Kryeministri po thotë se do të na njoh në fund të procesit. Nuk u la vend për atë flamur i cili sot valon i lirë dhe krenarë në Graçanicë dhe në Leposaviq dhe në shumë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës! Qeveria deri më tani i ka hequr vetëm flamujt e shtetit fqinjë, Shqipërisë!

E sot, Kosova, e përulur, e paqtuar, festoi me një flamur me të cilin ende nuk identifikohet askush, dhe me një himn memec i cili nuk thotë asgjë! E çka ka me thanë, o njerëz të mirë?! Më mirë që nuk flet!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.