Barkmadhi dhe kokëtuli kërkojnë të kundërtën

13:25 / 21.02.2013

Barkmadh dhe mendjehollë, gërshetim jo aq frytdhënës. Mendjetrashë me bark të shfryrë, pleksje kjo jo aq e duhur. Mendjehollë, trupin me muskuj dhe me bark të shfryrë, ky është sendërtimi që edhe më të shëmtuarin e zbukuron dhe mjekun me dekada nuk e viziton!

Kodra i kishte shtrirë këmbët deri në kërthizë të fshatit. Parku prekte me gishtin e madh të këmbës shtatin e lartë të qytetit. Ndërsa, njeriu i sodit këto bukuri natyrore kënaqet teksa i kundron prej ekranit të kompjuterit. Në vend se të harliset duke luajtur futboll me shokë, njeriu i sotëm përjeton një kënaqësi të zemrës gjersa i shtrirë në dysheme shikon me afsh lojën e futbollin në ekranin e televizorit. Në vend të një shëtitjeje me shokë nëpër malin e dendur prej pyjeve dhe prej oksigjenit të pastër, i riu i sodit parapëlqen që bisedën ndërmjet veti ta zhvillojë në mes të tymit të dendur të kafenesë së ngjeshur prej të pranishmeve.

Rruga që sot e ka zgjedh një i ri dhe një i ditur është rrugë e ndotur me një pamje jo të këndshme për bebëzën e syrit. Një i ditur, i cili është harbuar pas leximit dhe bisedave të ndryshme nëpër kafene, sot gjendet ndërmjet një zgjedhje dhe zgjidhje të patjetërsueshme. Ajo është të ndajë kohë për ndonjë veprimtari të sportit, apo të vazhdojë të investojë vetëm në kokë, duke qenë gjysmë i sëmurë dhe gjysmë me diagnozë ende të pazbuluar mirë dhe njëkohësisht jo aq i dobishëm në kthimin e asaj që më parë me përpjekje të mëdha e kishte futur në mendje.

Jeta kërkon gjallëri! Nuk i dihet hapave të nesërm. Mund që në konferencë teksa debaton thellë, të paraqitet nevoja të ikësh duke vrapuar gjithandej. Mund të sulmojë me duar e me këmbë dikush dhe ti si një sfungjer i blerë lirë, qysh në goditjen e parë do të alivanosesh. Të duhet një përqendrim i thukët në ligjëratën tuaj, por yndyrat e tepërta gëlojnë si të çmendura brenda trupit tuaj dhe të pengojnë goxha shumë në ligjërimin e mëtejmë. Ashtu siç ti dëshiron ta kesh një grua me trup qiparisi, ngjashëm edhe ajo kërkon një burrë më të vyeshëm edhe në aspektin trupor.

Kësisoj, njeriu si banorë i përkohshëm i këtij stacioni, për sendërtimin e personalitetit të shumanshëm dhe begatimin e intelektit të tij, ka qenë dhe është i prirë dhe i detyruar t’i përdorë të gjitha rrugët, duke pasur një qëllim tejet të çiltër. Ky synim mjaft fisnik ka të bëj me përmbarimin e tërë asaj çka quhet shëndet dhe sukses. Shpeshherë për këto dy dukuri është studiuar dhe folur, si dy koncepte dhe profesione në vete, duke harruar apo dashur të harrohet qëllimisht që të trajtohen në një vijë të përbashkët.

Për ta shpjeguar dhe qartësuar më mirë njësimin e kësaj mendësie, fillimisht shtrojmë një pyetje. A është i mundur fluturimi i shpezëve vetëm me njërin krahë? Padyshim se jo. Po mirë, është e mundur që njeriu të jetë i ditur, apo zotërues i mirëfilltë i një fushe të caktuar fare pa u marrë edhe me veprimtari të sportit? Sërish jo. Është e mundur që njeriu të jetë sportist i mirëfilltë fare pa lexuar libra? Po, është e mundur, si shumë të mundura tjera në vendin tonë, porse shtrohet pyetja tjetër? sa është e frytshme kjo e mundur dhe në cilën greminë të dështimit do të kërcejë?

Dituria dhe sporti janë plotësuese njëra ndaj tjetrës dhe assesi zëvendësuese. Më sillet vërdallë kokës një intelektual i trashë, që mezi merr frymë dhe për habi të kësaj panorame anakronike, ai në shpjegimin e gjërave të ndryshme është i mrekullueshëm. Po ashtu në mendjen time më sillet rreth kokës, edhe një sportistë, i cili ka një trupë të mrekullueshëm e shumë të gjallë, por shpjegimi i tij në çdo fushë i përket shpurës mjaftë të ulët. Kësi lloj kundërthëniesh qesharake ndodhin kur mençuria dhe veprimtaria e sportit nuk bashkëveprojnë njëri me tjetrin

Formësimi i natyrshëm i njeriut, në vete ngërthen bashkimin e këtyre dy mekjeve, në një ecuri dhe në një trung të vetëm. Shpeshherë shohim dhe dëgjojmë të ditur me një bagazh të madh të diturisë, por shumë shpejtë e vërejmë, kuptohet fare pa qenë mjekë se mendjeholli dhe barkmadhi në fjalë vuan nga sëmundja e diabetit, ka yndyrë në gjak, në masë të madhe është nervoz, barku i tij i ngjanë grave shtatzëna, intonacioni i zërit tingëllon i neveritshëm, lëvizjet shpjeguese të gjymtyrëve i punojnë mjaftë ngadalë, pamja e tij e jashtme të neverit, si dhe përgjithësisht njeriut në fjalë i mungon një tërheqje që po deshi mund ta mbërrinte.

Nuk është thënë kotë se “koka e shëndoshë në trupë të shëndoshë”! Më falni, si mund të jetë koka e shëndoshë në trupë të “delfinit”? Ndoshta te delfini ky lloj ndërtimi përshtatet, sepse është në natyrshmërinë e tyre, por neve besoni që ky ndërtim nuk na shkon fare për shtati. Sigurisht që shumica e këtyre të diturve që vuajnë nga lloji i këtillë i përtacisë (të mos keqkuptohemi, kemi edhe intelektual që në mënyrë të rregullt merren me sport) për mos marrjen të paktën në mënyrë të herëpashershme me sport, arsyetohen me kohën e tyre mjaft të zënë. Këtë arsyetim, disa shkencëtarë me nam botëror ia hedhin poshtë këtyre mendimtarëve përtac për trupit e tyre. Kemi lexuar se ata të paktën tri herë në jave merren me sport, kuptohet secili shkencëtarë e mendimtar merret me llojin e sportit të cilin e dëshiron!

Kështu që, veprimtaritë e sportit, apo ndonjëherë të punës trupore (fizike), janë domosdoshmëri e përgjithshme e njerëzve, posaçërisht e dijetarëve, sepse e tashmja dhe e ardhmja gjallëruese dukshëm varet prej tyre. Efikasiteti dhe rezultatet e kënaqshme përpos trurit të shëndoshë, kërkojnë që edhe trupi të jetë i shëndoshë, sepse nga kjo mospërfillje pjesore shumë lehtë mundë të cenohet gjallëria i trurit.

Ky shkrim ka për qëllim piketimin e kokave të ndritura, por të cilët fatkeqësisht kanë një trup të shkujdesur, arteriet e të cilëve në vazhdimësi dhe me ngulm protestojnë prej brenda. Këtë shkrim si këshillë mundë ta marrin edhe politikanët, edhe pse jo të gjitha janë të mençur, por para se gjithash bëjnë pjesë në grupin e qenieve njerëzore, prej të cilëve pritet trajtësimi i kushteve të vështira në kushte të kënaqshme.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.