Republika që kushtoi shumë

13:26 / 21.02.2013

“Kosova Republikë, Kosova Republikë”, ishin brohoritjet që dëgjoheshin më shumë se katër dekada më parë nëpër rrugët e Prishtinës, nga masa të gjëra demonstruesish me kërkesën që një territor jo edhe aq i vogël në jug të shtetit të madh jugosllav dhe me një përqindje shumë të madhe të popullsisë etnike shqiptare, kërkonte avancimin e statusit të vendit nga një “pakicë” kombëtare siç pretendonin autoritetet e atëhershme, në njësi të barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Një kërkesë të tillë atëbotë shumë intelektualë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit e konsideronin ëndërr që vështirë mund të realizohej, natyrisht duke kuptuar fuqinë e madhe politike që kishte Jugosllavia titiste në arenën ndërkombëtare, po ashtu edhe frikën që ky shtet kishte ndaj Serbisë në të cilën Republikë bënte pjese zyrtarisht edhe Kosova.

Praktikisht, Kosova në atë kohë ishte e mbuluar nga një qeverisje e dhunshme dhe diktatoriale, vetëm me qëllimin që jeta për shqiptarët etnikë që jetonin në këtë vend të bëhej sa më e padurueshme. Dhe, me këto veprime autoritetet serbo-jugosllave synonin të realizonin planet për shfarosje dhe dëbim. Kosova ishte e okupuar nga një qeverisje klasike centraliste e Beogradit ku dominonte çdo element jodemokratik në shoqërinë shumicë shqiptare. Në anën tjetër, pakica serbo-malazeze ishte e privilegjuar nga organet pushtuese dhe sundonte me dorë të hekurt kundër vullnetit të shumicës shqiptare.

Një rol të madh luanin edhe shërbimet sekrete serbo-jugosllave që ishin edhe mekanizma kryesor në persekutimin dhe likuidimin e intelektualëve të shquar shqiptarë. Këto veprime armiqësore kishin një ekzekutor të përbashkët të quajtur UDB. Veprimtaria armiqësore ndaj shqiptarëve të cilët kërkonin në atë kohë vetëm liri dhe barazi me popujt e tjerë ishte sistematike dhe e patolerueshme; fjala “republikë” kushtonte shumë, madje ishte një nocion i censuruar nga instrumentet e pushtetit.

Kërkesa e vendosur e shqiptarëve etnik për barazi nëpërmjet demonstratave dukej se kishte dhënë frytet ka mesi i viteve të ‘70-ta, kur udhëheqja komuniste jugosllave u tregua më tolerante duke i dhënë kështu vendit një vetëqeverisje të gjerë politiko-territoriale më shumë të drejta dhe detyrime ndaj federatës, por jo edhe Republikën që e ndjenin dhe e ëndërronin shqiptarët në Kosovë. Të drejtat politike ishin të barabarta realisht me njësitë tjera përbërëse të shtetit jugosllav, por në fakt mungonte vullneti i përgjithshëm e sidomos i Serbisë për dhënie të statusit të Republikës.

Kështu vazhdoi bashkëjetesa me moton falso të “Bashkim-Vëllazërimit” dhe me politikën tinëzare të Serbisë kundër të drejtave që shqiptarët kishin marrë në emër të federatës. Dridhja më e madhe politike që i dha një jehonë të madhe çështjes kosovare në Jugosllavi shpërtheu si dukej në befasi më 1981 me të njëjtën kërkesë për barazi të plote juridike brenda shtetit, e që nuk ishte marrë parasysh nga autoritetet e kohës. Kjo amulli politike i përcolli kosovarët deri në fund të viteve ‘80-ta kur edhe shteti i cili edhe vet ishte ndërtuar artificialisht u shpërbë.

Dyzet vite më vonë, në rrethana krejtësisht ndryshme shoqërore-politike, nga një brez dhe mentalitet i ri politik, ish-krahina autonome arriti në fund të rrugës së mundimshme dhe realizoi ëndrrën për barazi politike me shtetet tjera, por jo brenda një tutori që e kishte në atëbotë. Në të njëjtin vend ku kishte filluar gjithçka në atë kohë, para pesë viteve përfundoj gjithçka: Kosova e shpalli vetën Republikë, nga përfaqësuesit e popullit, me përkrahje dhe njohje ndërkombëtare, nga aleatët që dikur nuk e njihnin këtë vend në hartën e popujve të robëruar.

Pas pesë viteve, Republika, edhe pse e njohur nga më shumë se nëntëdhjetë shtete të botës, nga më të fuqishmet, ajo vazhdon të konsolidohet si shtet me sfida të mëdha. Por, liria, pavarësia, mirëqenia deri diku ekonomike, pluralizmi politik janë disa nga atributet që sot qytetarët e shtetit të ri i gezojnë në krahasim me të kaluarën e hidhur.

Republika e përfytyruar dikur ishte sinonim i të gjitha të këqijave nga mohimi i të drejtave elementare, si ajo e shprehjes së mendimit, liria politike, përndjekja në baza etnike e politike etj. Megjithatë, sot Republika në kuptimin institucional ka kapacitete të plota qeverisëse; në aspektin formal ajo ka konsoliduar organet e pavarura dhe të mirëfillta që dikur i mungonin, si ato legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, por me defekte të shumta funksionale.

Republika tash përfaqësohet edhe në institucionet ndërkombëtare më shume të karakterit kulturor dhe ekonomik, kuptohet me eksperience të mangët. Republika vazhdon rrugën e saj sfiduese duke kërkuar njohje ndërkombëtare, eksperience në konsolidimin e shtetit, ndihmë për integrime evropiane. Ajo duhet të këtë një qeverisje llogaridhënëse me përgjegjësi politike që shtynë përpara agjendat e shtetit drejt progresit të shumanshëm. Në këtë kohë uniteti politik, bashkëpunimi ndër-njerëzor dhe institucional, luftimi i dukurive devijante shoqërore, investimi në edukim, drejtësi, siguri mund të shpijnë drejt rezultateve pozitive për të mirën e vendit. Natyrisht, barra më e rëndë për të arrit këto suksese u bie institucioneve shtetërore, të cilat kanë mandatin e qytetarëve të Republikës.

Në fund, me rastin e pesë vjetorit të shpalljes së Kosovës, Republikë, të gjithë atyre patriotëve të gjallë e të vdekur që kishin dhe kanë si ideal dhe nostalgji për Republikën, duhet tu bëhet një nder për sakrificën që bënë në jetësimin e Kosovës si Republikë sovrane dhe demokratike në Ballkan.






 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.