Kosova “Made in Albania”!

13:27 / 21.02.2013

Në pesëvjeçarin e pavarësisë së Kosovës, shqiptarët kanë përse të festojnë. Ata nuk po e kremtojnë 100 vjetorin e pavarësisë si Shqipëria, por vetëm pesë vjet shtet, aq sa je lejon Kushtetuta e saj prej shteti më të ri në Ballkan dhe Evropë.

Kosova, në këtë rrugëtim shtetëror, ka arritur me të vërtetë të shënoj hapa pozitiv në njohjet ndërkombëtare. Ajo është njohur nga rreth 100 shtete të botës, e pritet që në pesëvjeçarin e ardhshëm të njihet edhe nga shtete të tjera.

Pavarësisht, nga pengesat dhe bllokadat, që i dalin përpara nga disa faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, Kosovën e pret një e ardhme euro-atlantike.

Institucionet kosovare, pas përmbylljes së kaptinës luftarake, flakadanët e luftës i kthyen në flakadanë të lirisë, duke e ndërtuar Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Duke i falënderuar popullit liridashës, forcave çlirimtare të UÇK-së, ndihmës vëllazërore të Shqipërisë dhe viseve të tjera etnike - Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi e diasporë - pa përjashtuar ndihmën ndërkombëtare të NATO-s, Këshillit të Evropës etj., Kosova u lirua nga robëria 125 vjeçare.

Dialogu si proces midis Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit, paraqet një nga etapat me të rëndësishme të konsolidimit të paqes në këtë rajon.

Shqiptarët dhe serbët, si dy popuj fqinj, jo rrallë gjatë historisë janë përleshur për pushtet e dinjitet. Ata duhet të merren vesh njëherë e përgjithmonë, se nuk mund të jetojnë njëri pranë tjetrit përmes grykës së pushkës.

Afera e rrugëve, strukturat paralele, reciprocitetet e kushtëzimet e tjera vendore e ndërkombëtare, nuk i kontribuojnë shtetësisë së Kosovës, bashkëpunimit ndërkufitar, marrëdhënieve fqinjësore etj.

Integrimet evropiane janë procese, të cilat i ndihmojnë edhe Prishtinës edhe Beogradit, për tu kyçur në këto trendë pa probleme të moçme e mentalitete të mbrapshta.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe serbët e veriut të Kosovës, në kudër të këtyre proceseve, nuk kanë nevojën të shqetësohen, të vuajnë dhe të derdhin gjak.

Çështja e kufijve dhe statusi i pakicave kombëtare nuk do të jenë më si dikur “mollë sherri”, apo “tabu temë” për shtetet e pavarura dhe sovrane siç janë Kosova dhe Serbia.

Avancimi i të drejtave të pakicave në Kosovë, sot është shembulli më i mirë, i cili duhet të shërbej si model edhe për vendet e tjera fqinje.

Rruga e Kosovës drejt Brukselit, i ndihmon asaj për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimit e vizave. I të njëjtës rëndësie është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Këto dy rrugë qenësore për Kosovën, do ta bëjnë atë një republikë me tamam sovrane dhe të mëvetësishme.

Me zhvillimin e Kosovës në aspektin ekonomik e politik, me luftën zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit si dhe njohjet ndërkombëtare në rritje, rruga e shqiptarëve të bashkuar si komb në Evropë do të jetë më e lehtë, më e kapshme dhe më e qëndrueshme.

17 shkurtin e 2008-ës, do ta mbajmë në mend, do ta kujtomë dhe do ta kremtojmë, si datë me rëndësi historike, në të cilën u vunë themelet e shtetit shqiptar në Kosovë.

Urojmë, që vitet në vijim të shënimit të pavarësisë së Kosovës, të jenë edhe më të begata, më të forta dhe më të konsoliduara si shtet dhe si komb!

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.