Mungesë e metafizikës...

14:51 / 23.02.2013

“Studioni me ne, ofrojmë klasat më të mira, laboratorët më të mirë, bibliotekat më të mira, banka më të mira, librat më të mirë, amfiteatrot më të mira, ndërtesat më të mira, llaptopë.... dhe çmimet më të mira...”!

Ky fragment është një reklamë e një institucioni (biznesi) privat arsimi. Skemë e njëjtë reklamuese është edhe për spitale (biznese) private, sikurse edhe biznese tjera që tentojnë të imponohen në treg. Prani materialiteti (i arsyeshëm nga aspekti praktik), por mungesë parimësie krejtësisht e pa arsyeshme nga aspekti parimorë.

Pa gjykuar realitetin dhe pragmatizmin, them se ia vlen të reflektohet për hipermaterialitetin social si mungesë e metafizikës.

Metafizika si term lindi pak edhe rastësisht, sepse fillimisht iu referua një vëllimi të pa titulluar të Aristotelit, renditur pas fizikës (meta ta physica d.m.th diçka pas fizikës). Për koincidencë, topika e trajtuar ishte jo për çështje konkrete dhe materiale, por të përgjithshme dhe abstrakte.

Si disiplinë filozofike, metafizika synon njohjen shkaqeve të para. Si qasje gnoseologjike spekulativo-deduktive, synim ka njohjen e parimeve të para të qenies, të kuptuarit e botës, bazuar në struktura jashtë kohore dhe jashtë hapësinore, të cilat sipas saj, janë baza më e sigurt e vërtetësisë.

Shkencat e veçanta synojnë njohjen e aspekteve konkrete, metafizika synon njohjen tërësore. Jo rastësisht ndikimi i mendimit të Aristotelit ishte me një periudhë dymijë vjeçare. Në fakt, terreni i metafizikës është ngushtuar së tepërmi, por megjithatë nuk është shuar. Kërkimi i një reference të sigurt i të bazuarit të njohjes, parimeve dhe vlerave, edhe atyre shoqërore, është synim inherent i njeriut.

Qenia, si diçka e jo asgjë, është synim permanent i njohjes metafizike. Njeriu ka identitetin personal, shoqërorë, por edhe politik. Qenia shoqërore (si diçka) manifestohet përmes strukturës (aspektit konstant), por edhe proceseve (aspekti dinamik), dhe interferohet nga metafizika, por ajo, nuk sqaron aspektet praktike të saj. Pretendimi i saj për njohjen e permanentes, kur aplikohet në dimension social, theksin e vë te struktura shoqërore por edhe ajo politike. Prania e metafizikës nuk është tejkalim i problemeve shoqërore, por, mos prania e saj ka efekt disfunksional, sikurse te shoqëria jonë.

Prania e metafizikës, si në shoqëri, strukturat e mendimit, posaçërisht të veprimeve sociale, manifestohet me parimësi dhe konsistencë. Nuk themi se ndryshimi shoqërorë është diçka e keqe, përkundrazi ai është i pashmangshëm, por theksojmë rolin strukturës. P.sh Besa si institucion shoqërorë paraqet një aspekt metafizik social te shqiptarët, e cila e konservon shoqërinë tonë.
Konsiderojmë se shoqëria jonë, por edhe politika ka mospranim të metafizikës. Politika si dimension social, edhe ajo shqiptare natyrisht, ndikohet nga prania apo mos prania e Metafizikës. Akomodimi i interesave të çastit, fenomen ky shumë i pranishëm ndër ne, edhe pse krejt njerëzorë shikuar nga aspekti individual dhe senzualo-hedonist, është mungesë e metafizikës, sepse parimet morale degjenerohen në zanafillë. Kjo sepse, pa bindjen se edhe pas mos ekzistencës sonë materiale, por edhe mos përfitimit material (financiarë), qoftë në nivel individual apo kolektiv, arsyeshmëria e veprimeve tona, nuk do të kishte justifikim konsistent, por fragmentaritet dhe konfuzion, si sinonim i jo qenies.

Mungesa e materiales nuk është edhe mungesë e qenies. Diçka që sot nuk është (p.sh liria e munguar si potencialitet i para luftës) bëhet realitet si projekt i qenësimit (megjithëse fatkeqësisht ende i pa realizuar te ne). Mungesa e metafizikës jo vetëm vonon, por edhe e huq fare qenësimin, pra shpie drejt hiçit. Në terma konkret, kjo manifestohet si korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, reketim, rivalitet personal, mungesë parimesh të qëndrueshme, anomi shoqërore, fragmetaritet politik.

Konceptimi i vërtetësisë si racionalizim dhe abstraksion është pani e metafizikës, e kundërta d.m.th konkretizimi dhe interpretimi i drejtpërdrejtë është mungesë e saj. Prandaj, raporti ynë ndaj vlerave, atyre vlerave që qenësuan nga paradigma metafizike, duke anihiluar jetën e tyre, konceptohet drejtë vetëm nga prania e metafizikës.

Prandaj, tundimi nga torta në Tiranë është mungesë e madhe e metafizikës.

Liderët perceptohen sikurse torta e Tiranës, konkret dhe material, ndërsa pa ta, parimet, posaçërisht ato partiake, vdirren. Prandaj, ajo çka duhet të shohim si zhvillim drejt normalitetit të balancuar social, është krijimi i kapaciteteve, së paku optimale për metafizikë. Nuk them se këto mungojnë tërësisht, por them se ato duhet rritur, fatkeqësishtë shumë. Hapat në këtë drejtim, sidomos sferën politike, aktualizojnë qenësimin politik. Zgjidhja, pra është te struktura stabile shoqërore e jo në super heroin tekanjoz dhe mendjemadh. Tejkalimi i kësaj gjendje do të thotë hap i duhur në rritjen e përgjegjësisë dhe ndershmërisë, posaçërisht ndershmërisë në politikë.

Së paku dy emra kanë treguar se kjo është e mundur, dhe se politika dhe politikani, edhe në politikën shqiptare, mund të jenë të ndershëm dhe parimorë. Janë këta Ukshin Hoti dhe Adem Demaçi. Koha kërkon edhe të tjerë, ndërsa metafizika pretendon se përherë duhet qenë si ta. Prandaj shqiptarë, më shumë metafizikë ju lutem.
.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.