Nën maskë...

19:11 / 24.02.2013

Ata që dikur hoqën maskat para Serbisë, për ironi tani kanë vënë maskat para qytetarëve të Kosovës.

Si parantezë do theksuar se rruga për liri ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme për qytetarët e Kosovës. Mbase është e tepërt të shkruaj për vuajtjet dhe gjakun e derdhur për liri, jo pse është a panevojshme, por se liria po na vret më shumë se lufta. Është ky realitet i hidhur, i cili po na lëndon dhe po na vret ëndrrat tona për një jetë të dinjitetshme. As pesimistët me të mëdhenj nuk do ta besonin se ata që thirreshin në emër të UÇK-së, me të marr pushtetin do ta “pushtonin “ vendin e çliruar nga të vetashtuquajturit “çlirimtarë”.

Duke u përball çdo ditë me këtë realitet të hidhur, ku më e rënd se vdekja është jeta, më bën të dyshoj se këta që sot thirrën në emër të UÇK-së së lavdishme, kanë të bëjnë sado pak me idealet e saj. Kësaj ia shtojmë edhe faktin se “dikur të mëdhenjtë e UÇK-së, ndërsa sot të paprekshmit e Qeverisë” nuk u dëshmuan të kenë marr pjesë qoftë në një betejë të vetme në kohën e luftës. Në mungesë të fakteve, këta njerëz kanë zgjedhur propagandën e përvetësimit të dëshmorëve dhe luftës së tyre çlirimtare, për të pasuruar egot e tyre maniakiste për pushtet dhe pasuri.

Edhe pas 13 vjetësh në liri, asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht. Dita-ditës gjërat vetëm sa po keqësohen, e kjo po ndikon në rritjen e numrit të qytetarëve që çdo ditë largohen nga vendi përmes formave dhe mënyrave të ndryshme, në të shumtën e rasteve edhe bizare. Më mungesë të perspektivës, po na ikë edhe truri i shoqërisë. Segmentet me të rëndësishme në shoqëri, ekonomia, arsimimi, shëndetësia, janë në nivelin më të ulët të mundshëm.

Niveli i varfërisë është në shifra alarmante, me rreth 37 për qind të popullatës që llogaritet se jetojnë në varfëri sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare .

Deri më tani, trendi i ngritjes në Kosovë nuk është udhëhequr nga ringjallja e sektorit privat zyrtar që do të krijonte vende më të qëndrueshme zyrtare pune. Ende ekziston një mungesë e përputhjes në të dhënat për tregun e punës, por të dhënat nga AFP tregojnë vazhdimisht shkallë të lartë të papunësisë sipas ONP-së në periudhën e pasluftës: 41.2 për qind më 2001, 47.2 për qind më 2002, dhe 44.4 për qind më 2003. Duke iu referuar statistikave të organizatave vendor në vend, në raportin e fundit që e kanë dhënë në vitit 2009, 34 për qind e popullsisë konsiderohen të jenë të varfër me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë. Ndërsa, raporti i Bankës Botërore jep shifra alarmante, me mbi 40 për të varfërisë, që dëshmon për dështimin e Qeverisë në këtë drejtim.

Shëndetësia është në gjendje të mjerueshme. Qytetarët në vend se të shërohen, më tepër mund të marrin sëmundje. Kjo shpjegohet tek rastet e lindjeve të fëmijëve. Është një problem madhor me foshnjat e porsalindura, që shpjegohet me shkallën e lartë të vdekjes, e cila sillet prej 18 deri në 44 në 1,000 (4 deri 10 herë më e lartë se mesatarja e BE-së). Të ushqyerit jo adekuat është problem i veçantë me ndikim te një numër i madh fëmijësh. Arsimi po ashtu është në gjendje të tmerrshme. Kjo dëshmohet edhe me raportet të cilat theksojnë se Kosova është e para për nga numri i analfabetizmit në Evropë. Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë tregojnë se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë. Cilësia në universitete të shumta private (por dhe në atë publik) është në pikën më të ulët të sa. Kemi prodhim të të diplomuarve analfabetë. Lëre më tani që s’kemi ngritje në këtë segment, por edhe për të ardhmen s’po krijojmë baza të shëndosha.

E ardhmja shoqërisë sonë duket të jetë mjaft e zymtë. Si rezultat i luftës së gjatë psikologjike, dhe vuajtjeve të qytetarëve të Kosovës, është krijuar apatia. Dhe këtë “gjumë të ujkut” po e shfrytëzojnë ata të cilëve maska e çlirimtarëve iu ka rënë moti. Fytyrat e tyre dolën në pah. Dielli nuk mbulohet me shoshë...!

 

 


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.