Kur populli nuk i beson qeverisë

19:13 / 24.02.2013

Asnjë qeveri pas çlirimit te Kosovës nuk ka mundur t’i rezistojë lakmisë, nepotizmit, korrupsionit, bajraktarizmit, hajnisë. Duket që shqiptarët i lakmojnë majat e pushtetit për t’u korruptuar dhe për të punësuar familjarët ne punë.

Dalja dhe hyrja nga partia në tjetrën parti gati gjithnjë është bërë jo për shkak bindjeve politike, por për shkak të kërkesave, duke dëshiruar pozicione më të larta politike. Aq më të lartë e ke pozitën në hierarkinë qeveritare në Kosovë, aq më shumë mundesh të korruptosh, të zhvatësh të punësosh familjaret dhe ilaket, dhe të jesh i lirë nga ligji. Ligjet duhen të jenë të përgjithshme për të gjithë, në mënyrë që ato të aplikohen për gjithë qytetarët. E jo siç është tani, ku pushteti ekzekutiv (Qeveria) nuk jep llogari as ndaj pushtetit legjislativ e as gjyqësorit.

Në një rast studenti Zigong e kishte pyetur filozofin e urtë kinez Konfuçin, çka është e domosdoshme për një shtet që të qeveris në paqe. Përgjigja e tij ishte shumë e thjeshtë: kjo kërkon tri kushte: Armatim të mjaftueshëm, ushqim të mjaftueshëm dhe besimin e popullit të rendomë. Që shteti të jetë i strukturuar duhet të ketë fuqi ushtarake që ta mbrojë veten. Se dyti, populli duhet të ketë ushqim të mjaftueshëm që të ha dhe të vishet mirë. Dhe, së treti, populli duhet t’u besojë qeveritarëve. Zigong ishte shume kureshtar! "Nëse një nga këto tri kushte detyrimisht duhet të lihet, cilën e hekë të parën”. Konfuçi përgjigjet: "Armët. Populli mundet edhe pa armatim". Zigong e pyeti prapë: "Nëse obligohemi me hekë të dytën nga këto tri kushtet, cila dot të ishte ajo”? Konfuçi përgjigjet: “Ushqimin. Njeriu është ne gjendje edhe të mos ha. Vdekja ekziston që nga lindja. Po nuk pati populli besim në qeveri, nuk ka kah t`ia mbajë. Pa ushqim njeriu vdes, mirëpo, a ka njeri që i ka shpëtuar vdekjes”.

Vdekja nuk është e keqja më e madhe që mund të na ndodhë. Më e keqja është tmerri dhe rrënimi që vjen kur populli nuk i beson pushtetit. Pra, mund të themi se nëse një shtet do funksionojë si duhet në paqe, pushtetarët duhet ta kenë parim drejtësinë. Drejtësia dhe barazia më pas do të nguliten te masat si vlerë e një besimi reciprok.

Populli në Kosovë është i vetëdijshëm që jemi shteti më i varfër në Evropë . Sikundër që jemi të vetëdijshëm që i kemi qeveritarët ndër më të pasurit në Evropë. Këtu qëndron e liga se shteti është i korruptuar në krye.

Si mund të kuptohen qeveritarët pse ende nuk janë të ngopur me pagat e tyre të majme, dhe ende kanë kërkesa të bëhen edhe më të pasur se sa janë. Nuk mund t’i kuptoj një numër të madh të qeveritarëve, që dikur ishin në gjendje të vdisnin për çlirimin e Kosovës, e sot po të njëjtët e kanë ngulfatur jetën e qytetarit me padrejtësi sa që nuk e lënë as ta shijojmë paqen. Drejtësi do të thotë barazi, barazi ne punësim, barazi në shëndetësi, barazi në ushqim, barazi ne veshmbathje, madje barazi edhe në ndëshkim.

Sokrati i pafajshëm piu helmin që qytetaret t’i binden drejtësisë. Ndërsa, te ne deputetët e fajshëm e nënçmojnë drejtësinë duke i ikur burgut.

Pagat e profesorëve universitarë në Kosovë janë njëmijë euro. Hiq më shumë nuk paguhen as kolegët e tyre në Perëndim. Profesorët që në kohërat më të vështira historike ishin zëri i atdheut, tash nuk ndihen! Mos vallë janë duke menduar se kjo Qeveri e ka bërë të pamundshmen për ta dhe tani ata janë të obliguar që për këtë "privilegj" ta mbyllin gojën! Disa intelektualëve kjo qeveri iu ka siguruar të ardhura të mira, mbështetje të botimeve të librave të tyre apo edhe vozitës personal . Dakord, edhe i kanë merituar. Po a duhet të jetë kjo arsye që ata të jenë të vetëkënaqur?

Njëri prej këtyre intelektualëve para një jave foli për të metat dhe aferat korruptimet të kësaj qeverie. Ama, kjo ishte vetëm një grithje e vogël pa shenja. Kjo minikritikë më tepër i bie si tentim "kinse unë jam në takt me popullin". Heshtja e pa kuptuar intelektualëve dhe mimikria e disa ish gazetarëve të zotë që janë kyçur në parti politike, më tepër po e zgjasin jetëndërtimin e një qeverie pa besim dhe vlera, dhe ne tjetrën anë duke mos pasë guxim që të sjellin risi në politik, dhe duke mos e pasë mundësinë për të qenë (opinionist) vështrues kreativ, po ndikojnë në atrofi kolektive.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, posa u lirua nga Haga u ekspozua me një dëshirë të madhe, që mund të quhet si "përndezje qeveritare". Haradinaj me çdo kusht i synonte majat e qeveris duke mos respektuar rregullat demokratike. Dihet mirëfilli se familja Haradinaj sakrifikoi shumë për çlirimin Kosovës, mirëpo, as ky virtyt dhe sakrificë Ramushit nuk i jep të drejtë që të shkelë rregullat e lojës dhe vullnetin e votës qytetare. Ai u kritikua me të drejtë edhe nga disa intelektualë të Kosovës për synimet që kishte, që me çdo kusht ta merë postin e kryeministrit. Kritikë konstruktive e me vend. Po çka nëse kjo pari e intelektualëve ende vazhdon të heshtë ndaj problemeve që manifestohen në qeverinë aktuale, si korrupsioni, nepotizmi, bajraktarizmi, zhvatja, mos përfillja apo mosrespektimi i ligjit. A do të jenë valide dhe bindëse fjalët e tyre ne të ardhmen. Dyshoj!

Filozofi Norvegjez, Arne Nes (1912-2009), themelues i “ekofilozofisë", njëzet vjet para se të vdiste kishte blerë një kukull gjatë vizitës në Japoni. Kukullën Are Nes e pagëzojë me emrin Timotei. Në pleqërinë e shtyrë ai zakonisht luante me kukullën. Plaku është si fëmija, pohonte Arne Nes: "Fëmijët luajnë me lodra. Nuk e kam kohën tash të merrem me sende serioze, sepse tek e fundit në këtë moshë aq më serioz që bëhem, aq më shumë çmenduri do të prodhoj”. Arne Nes vdiq si njeriu me kontribut dhe personalitet me të madh ne Norvegji. Ai u varros me ceremoni shtetërore me kukullën e vet Timotei, ashtu siç e kishte lënë amanet.

Intelektualët që janë në moshën e shtyrë, nëse nuk munden të jenë kreativ për shkaqe të proceseve normale jetësore, nuk kanë nevojë të bëhen zëdhënës të asnjë ekipi, sepse çdo ekip do të jetë më i fort pa të. Çdo ekip do ishte më i fort me ta si kritikë konstruktivë të lojnave e jo të animeve sezonale. Heshtja e tyre apo mos kritika ndaj qeverisë aktuale do të kuptohet si anim.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.