Të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë

1:35 / 27.02.2013

Para 21 vitesh (më 1 e 2 mars 1992) është mbajtur referendumi i shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë për autonomi politiko-territoriale dhe bashkëngjitje me Kosovën amë. Këto tri komuna janë territor i banuar me popullatë shumicë shqiptare i shkëputur padrejtësisht nga trungu i Kosovës historike, u nda dhe u aneksua nga Serbia. Pra, para 21 vitesh kur për dy ditë rresht të vitit 1992, ne populli shqiptar i tri komunave shpallëm këtë krahinë si Autonome, duke themeluar edhe Kuvendin për Autonomi territorialo-politike të shqiptarëve me të drejtë bashkimi me Kosovën. Ky referendum ishte një akt sublim, vullnet i shprehur, ku u zgjodh edhe kryetari dhe njeriu që ishte shumë i meritueshëm për mbarëvajtjen e këtij Referendumi, profesori i nderuar z. Ibrahim Kadriu. Referendumi u mbajt nën kushte tejet të rënda, lirisht mund të shprehemi nën një gjendje të jashtëzakonshme, ku pati shumë qytetarë shqiptarë që u morën në biseda informative. Pati edhe të maltretuar psikikisht dhe fizikisht, por edhe disa dhjetëra persona të arrestuar nga ai pushtet i atëhershëm, ndërsa nga ajo kohë vetëm bartësit e pushtetit u ndërruan e assesi në kuptimin pozitiv në të mirë të neve shqiptarëve.

Përveç në tri komunat që u votua u mundësua që edhe mërgata e këtyre tri komunave që ishin me punë të përkohshme jashtë, të shprehin vullnetin dhe në mënyrën më plebishitare edhe në shumë shtete në Evropë, ku me një pjesëmarrje masovike prej 98.43% votuan që kjo Krahinë të përbëjë edhe Kuvendin për Autonomi territorialo–politike me të drejtë bashkimi më Kosovën. Të përkujtojmë që Referendumi i mbajtur më 1 e 2 mars 1992 është një akt shumë domethënës me vlera dhe nota më të larta edhe me aktet juridike ndërkombëtare, edhe pse jo i pranuar por ishte i monitoruar nga të gjitha anët, me ç’rast u shkrua dhe u komentua mjaft në këto anë të Ballkanit të trazuar. Deri në atë kohë edhe popujt konstituivë të ngrehinës artificiale të quajtur Jugosllavi ende ishin me qëndrimin jo të prerë, kurse ne shqiptarët në hapësirat tona etnike mbajtëm Referendumin. Pra në këtë rast ne nuk mund të krahasohemi as me hungarezët në Vojvodinë e as me boshnjakët në Sanxhak, sepse kemi elemente që njihen dhe pranohen edhe me akte ndërkombëtare. Ne shqiptarët etnikë e kuptuan me kohë edhe pse ende ngrehina artificiale e quajtur RSFJ-ja ishte jo ende e shpërbërë që të bëjnë çmos për ndryshime në aspektin e statutit të tyre të përcaktuar jo drejtësisht që pastaj edhe për konsolidimin e përgjithshëm.

Çfarë u arrit që nga ajo kohë e deri më sot

Ende mungon liria e plotë e lëvizjes, mungon rregullimi me ligj për përdorimin e simbolit tonë kombëtar shqiptar, flamurit. Ende mbetet për t’u dëshiruar rritja e të punësuarve në administratën komunale të tri komunave si në gjykata, shëndetësi. Liria e lëvizjes mungon, ka shumë drojë, frikë e psikozë për shkak se në këtë krahinë kemi mbi 30 baza ushtarake me një arsenal të madh armatimi të përqendruar krejt afër kufirit me Kosovën. Policia multietnike ende në numër të vogël në krahasim me numrin e popullatës. Nuk kontrollon rajonin në bazë të marrëveshjes së Konçulit.

Mungon një universitet publik në gjuhën shqipe. Kërkesat gati se nuk kanë ndërruar që nga ajo kohë për ndërtimin e një spitali të përgjithshëm rajonal me seli në Preshevë apo Bujanoc. Mungon finalizimi dhe konkretizimi, vënia në jetë e rezultateve të Referendumit për një Autonomi Territorialo – Politike dhe me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën amë. Nuk duhet harruar për asnjë çast që pas referendumit u bënë përpjekje të shumta që ne shqiptarët e kësaj Krahine mos të pajtohemi me gjendjen e tonë në shumë sfera, kur edhe organizuan dhe u bë lufta e armatosur nga përfaqësuesit më të mirë të popullit, pra UÇPMB-ja. Pas shumë betejave dhe luftërave heroike u arrit që ne shqiptarët të faktorizohemi në nivelin më të lartë dhe të ulemi të tryezën e bisedimeve.

- Faktorit politik dhe ushtarak të shqiptarëve të tri komunave, qeveria së Serbisë dhe faktori ndërkombëtar për marrjen fund të luftës së armatosur, demilitarizimin e këtij rajoni me disa pika, kushte konkrete lidhur me ndërprerjen e luftimeve. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Konçulit dolën në shesh shumë çështje si shkatërrime që bëri shteti serb për përzënien, dëbimin dhe zhvendosjen e shumë lokaliteteve shqiptare, si të infrastrukturës dhe të qindra shtëpive, të mijëra banorëve të dëbuar që lëshuan trojet e veta, si pasojë e luftës. Ku vetëm pas qershorit të vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2002 vetëm në Komunën e Gjilanit të ardhur prej tri komunave janë 11.783 banorë. Kategoria e të zhvendosurve nga në veçanti nga Komuna e Medvegjës , Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës, janë problemi shumë i mprehtë që asnjëherë qeveria serbe nuk deshi as të dëgjojë se le të interesohet dhe investojë për rikthimin e tyre në shtëpitë dhe pronat e veta. Më 14 janar 2006 Këshilltarët shqiptarë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, në një seancë të përbashkët të mbajtur në Preshevë miratuan një Platformë Politike në tri pika themelore: Parimet, Kërkesat e veçanta dhe dispozitat përfundimtare, ku nga 61 këshilltarë komunalë sa ishin prezentë në miratimin e kësaj platforme nga 66 që janë shqiptarë në tri komuna, vetëm një ishte i përmbajtur. Deri më tash janë tri elemente, veprime që kanë peshë edhe me aktet më të larta ndërkombëtare që kjo Krahinë po bën përpjekje të vazhdueshme që të dallohet, të formojë një identitet të vetin si me :

- Referendumin e mbajtur më 1 e 2 mars 1992
- Me organizimin dhe formimin e UÇPMB-së
- Marrëveshjen e Konçulit
- Seancat e përbashkëta të gjithë këshilltarëve komunalë, të zgjedhurit e popullit miratuan një platformë të përbashkët politike dhe disa konkluzione.

Si të vazhdohet në realizimin e aspiratave dhe synimeve të popullatës shumicë

Duhet edhe më tej të vazhdohet por gjithmonë duke pasur parasysh që tashmë Republika e Kosovës është ndihmesa më e madhe për gjetjen e zgjidhjes për krahun e vetë lindor. Duke llogaritur në politikën e jashtme ku tani kemi edhe përfaqësi diplomatike nëpër botë. Kërkohet që edhe njëherë të rikonfirmohet vullneti i popullit pra të parashihet shqyrtimi serioz edhe për mbajtjen edhe të një Referendumi për autonomi Territoriale – Politike me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën amë. Çka është më e rëndësishmja popullata duhet të jetë prezente, pra fitorja më e madhe është nëse arrijmë ta ruajmë prezencën e faktorit njeri që është edhe përcaktues vendimtar i territorit sipas ligjeve pozitive ndërkombëtare. Subjektet politike dhe njerëzit me ndikim, intelektualët, të marrin pjesë më shumë në jetën politike e publike, ku së bashku me grupet e interesit për të pasur një qëndrim, unitet, harmonizim dhe koordinim në realizimin e kërkesa para qeverisë serbe dhe faktorit ndërkombëtarë e jo si deri më tash të ndarë e jo unikë p.sh. lidhur me pjesëmarrjen për parlament të Serbisë disa ishin pro e disa kundër, kështu nuk mund të ndërtojmë ndonjë strategji veprimi që do japë rezultate të pritshme.

1 – Tirana dhe Prishtina se bashku me ne vendasit të ndërtohet konsensusi për gjëra fondamentale.
2 – Rikonfirmim i Referendumit së bashku me kërkesën që në këtë rajon të ketë.
3 – Mbikëqyrje të përhershme të forcave të sigurisë ndërkombëtare.

Këto duhet të jenë tri shtyllat e të ardhmes për këtë krahinë shqiptare të mbetur padrejtësisht nënë administrimin e Serbisë. Shumë pak bëhet në shënimin e kësaj date historike, në evakuimin e kësaj ngjarjeje në forma të ndryshme si përkujtimin përmes mbajtjes të ndonjë akademie, por edhe manifestime të ndryshme. Nga ne varet e tëra sa ne jemi të përkushtuar në objektivat tona, në realizimin e plebishitit të popullit. Edhe më tej të plotësohet me elemente të kohës që po jetojmë, për t’u bërë realitet Referendumi i kësaj krahine për Autonomi Territorialo–Politike dhe me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën amë.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.