Bëhu i lirë!

17:16 / 10.03.2013

Fitim Salihu
Fitim Salihu

Bëhu i lirë! Këto dy fjalë janë shembull i asaj që filozofi francez Zhak Derrida do ta quante “bllokim i dyfishtë”. Si një urdhërore, “bëhu u lirë” të udhëzon për t’u bërë çka nuk mund të bëhesh, përveç në rast se i përmbahesh këtij urdhri: t’i përmbahesh urdhrit për “t’u bërë i lirë”, nuk është të bëhesh i lirë. Ti je i lirë të mos bësh asgjë, për sa kohë që e pranon se nuk je i lirë të mos i bindesh asaj që unë po të urdhëroj ty. Hajde pra, bëhu i lirë.

Bëhu i lirë, sepse koha dhe rrethanat po e kërkojnë atë. Sepse, angazhimi për t’u bërë i lirë është një haraç që duhet ta paguajmë për jetën që e jetojmë dhe një kusht për të qenë homo faber. Apo për t’u shprehur hegelianisht, urdhri “bëhu i lirë” është një manifestim i vetë lirisë njerëzore. Secila gjeneratë duhet që prej errësirës të arrij ta nxjerr e ta zbuloj misionin e saj dhe: ta përmbush ose ta tradhtojë atë.

15 vjet më parë, familja Jashari u ndriçua nga nxjerrja e Idesë së misionit historik që mbartë në vetvete. 15 vjet më parë familja Jashari dhe heronjtë e UÇK-së nisën luftën heroike e të pabarabartë kundër pushtuesit shumë herë më të fuqishëm, me synim realizimin e ëndrrës shekullore për çlirimin e bashkimin e popullit shqiptar. Ata nuk luftuan e as nuk u sakrifikuan për një atdhe ku një e katërta e territorit e kontrollon sërish Serbia; për një atdhe ku gjysma e popullit janë të papunë e një në tre qytetarë jetojnë në varfëri; e as për një kuazirepublikë e për një flamur të çnderuar nga imponimet dhe koncensionimet e shumta të kësaj klase politike, e cila na ka sjellë prej pas luftës vetëm korrupsion dhe krim.

Adem Jashari me familjen e tij dhe gjithë dëshmorët e UÇK-së, nëpërmjet betimit dhe flijimit të tyre zgjodhën rrugën e parë, rrugën e përmbushjes së misionit të tyre historik. Hashim Thaçi dhe gjithë klasa politike e pasluftës ka zgjedhur rrugën e mohimit dhe tradhtimit të misionit historik. Ata kanë shkelur gjakun, amanetin e betimin e luftëtarit të UÇK-së, heronjve të kombit dhe kanë shkelur Idenë.

Balada “Besa e Konstandinit” është një pasuri e eposit tonë kombëtar që flet se si Konstandini i dha besën nënës se vet se në çfarëdo rrethane do t’ia sillte Doruntinën, motrën e tij të martuar, vetëm që nëna të mos mërzitej për bijën e saj të vetme. Konstandini vdes e nëna e nëm birin që vdiq në luftë e nuk mbajti besën e dhënë: “Konstandin, të ardhtë gjëma, ku ke besën që më dhe? Besa jote nën dhe...”!

Vdekja e Adem Jasharit, birit të madh të kombit dhe sakrifikimi i gjithë familjes së tij shënoi edhe vdekjen e besës e betimit të UÇK-së. Hashim Thaçi e shkeli atë. E shformësoi UÇK-në, e shkeli besën e betimit, e shiti Kosovën, e shiti Idenë e bashkimit të kombit, ka grabitur pasuritë e popullit dhe po vazhdon të veprojë ashtu. Nëna po e qanë vdekjen e birit të saj, i cili nuk po mundet të ngrihet për ta çuar në vend besën e dhënë.

Por, në përrallë, Konstandini ngrihet nga varri: guri i varrit i bëhet kalë e dheu shalë e niset e merr motrën dhe ia dërgon nënës së vet. Besa e tij nuk tretet. Thirrjet e nënës dëgjon dhe “bëhet i lirë”: nga varri për ta realizuar betimin e tij.

Adem Jasharin e ka vrarë biologjikisht Serbia okupatore. Politikisht, Adem Jasharin dhe Idenë e tij dhe të UÇK-së po e vranë Hashim Thaçi prej 1999-s e tutje. Por, edhe Adem Jashari dhe ideja do të ringjallen për ta çuar në vend besën që i kemi dhënë nënës, atdheut. Ideja do të ringjallet në formën e “rikthimit të të shtypurve”, nëse shprehemi në gjuhën frojdiane. Të shtypurit e dikurshëm akoma janë të shtypur, të uritur, të nënvlerësuar. Vetëm shtypësi ka ndërruar emër dhe formë. Atëherë kur urdhërorja “bëhu i lirë!” do të jehojë anekënd, do të kemi “rikthimin e të shtypurve”, të zgjidhur nga prangat dhe në kërkim të përmbushjes së misionit historik që e kemi si gjeneratë. Sepse, është mision që nuk do ta tradhtojmë e as nuk do t’ia lëmë për barrë brezave që do vijnë. Përndryshe do të na mallkojnë.

Gjenerata jonë ka për të përmbushur dimensionin e Alen Badiusë për besnikëri ndaj ngjarjes, duke rrënuar realitetin dhe duke imponuar një rend të ri dhe stabil ndaj realitetit shoqëror. Fundja, Hegeli thoshte se nëse konceptet tona nuk i përputhen realitetit, atëherë aq më keq për realitetin. Po nuk u përballëm me realitetin do detyrohemi t’i recitojmë vargjet e Azem Shkrelit: “Sikur të shiheshim me veten në sy më sy/ Kishim për t’u puthëa kishim për t’u pështy”?


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
0:31 / 19.05.2013
Foto: Reuters

Danimarka fiton Eurovisionin

Përfaqësuesja e Danimarkës, Emmelie de Forest, me këngën “Only Teardrops”, ka triumfuar në natën finale të edicioni...
Teknologji
19:59 / 18.05.2013
Google do ta “sulmojë” Microsoft-in

Google do ta “sulmojë” Microsoft-in

Alternativa e softuerit më të famshmë në botë - Microsoft Office, Google dhe aplikacionet e saj gjithmonë kanë vuajtur ...
Ekonomi
20:56 / 18.05.2013

Qeveria do të kërkojë sqarim nga amerikanët për Trepçën

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet konsorciumit amerikan “New Generation Power”, dhe Ministrisë për Miniera dhe...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.