Përplasjet...

0:27 / 25.03.2013

(Një analizë ndryshe dhe e veçantë për shfaqjen “Përplasjet”, të dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me tekst dhe regji të Ekrem Kryeziut)

Prolog

Vendosa të shkruaj për “Përplasjet” e Ekrem Kryeziut, pasi e pashë shfaqjen së bashku me gruan time Kimeten, në qetësinë e sallës pothuaj të zbrazët. Bile, nga ata pakë shikues, ishin edhe dy cuca të reja, që ishin ulur menjëherë pas neve. Ato vazhdimisht luanin me telefonat e tyre, që herë cingëronin, e herë bënin “light show”. Kjo më detyroi t’ju jap një sugjerim, në mënyrë të kulturuar - që të shkonin në disko!

Duke pritur fillimin e shfaqjes, më kujtohej vetja kur si student në Zagreb shkoja në teatër dhe ulesha në rreshtin e parë, zakonisht të rezervuar për mysafirë të spikatur: për kritikë, politikanë etj. Ata rëndom nuk vinin fare në shfaqje. Rreshti i parë ishte gati gjithmonë i lirë. Të ulurit aty, edhe pse pak veprim arrogant (zakonisht ndihesha në siklet deri sa fillonte shfaqja), të mundësonte një komunikim më të drejtpërdrejtë me shfaqjen, me aktorët, e ndonjëherë kishe mundësi edhe të këmbesh ndonjë shikim blic me ta. Kjo të jep një emocion të jashtëzakonshëm...

Ishte kjo... “punë” studentësh të dikurshëm, por këtë e bëja me dëshirën më të mirë që të hyja në shfaqje, i tëri, pa rezerva dhe kështu të bëhesha - së paku në imagjinatë - pjesëmarrës i saj. Këtë përpiqem ta bëjë edhe tash, sigurisht me më pak sukses.

Ka një kohë të gjatë që nuk kam pasur rastin të rri e të bisedoj me Ekremin, që e kam shok të zemrës. Dikur rrinim gjatë e gjatë, duke biseduar dhe duke pirë verë të kuqe. Dhe, atë, gjithmonë në shoqëri me Resmijen (gruan e Ekremit) dhe Kimeten. Bisedat në këtë konstelacion ishin të mrekullueshme. Ndaj, më merr malli për to dhe natyrisht se do t’i bëjmë përsëri.

Kjo shfaqje pra na bëri të jemi sërish së bashku. E tash, po e marr fjalën pa protokoll dhe ceremoni. Duke e ditur se kjo është shfaqje e Ekremit dhe Çunit, isha i parapërgatitur për një ngjarje të bukur teatrore (nuk kam më as nerva e as dëshirë për të shpenzuar kohë pa lidhje duke shikuar shfaqje ku kulminacioni i shprehjes artistike është “visual gag” apo një shkallë më rafinuar se kaq - së bashku me kiçin që na rrethon gjithandej dhe pamëshirshëm).

Skena

Që në skenën e parë të shfaqjes, pas fjalëve me patos epik të Ekremit, që mendoj se ishin të panevojshme (e vetmja gjë që nuk është dashur të ndodhte), fillova të përjetojë një konflikt emocionesh. Pamja e qelisë së burgut në fillim nuk mu duk e qëlluar. Ishte pakëz më e stilizuar se që mendoja se duhet të jetë! Sepse, parmakët e pjerrtë, jo ortogonalë, e zbusnin disi ndjenjën e ftohtë dhe të mykët të qelisë burgut. Mirëpo, shumë shpejt u pajtova me këtë, sepse shfaqja filloi të më rrëmbejë dhe skenografia funksiononte shumë mirë (ah që nuk kemi një teatër me pajisje teknike më të avancuara!).

Spektri i nuancave gri, prej të zezës në të bardhë të pastër, filloi të luante së bashku me lojën e shfaqjes, me një koherencë të shkëlqyer me zhvillimin e saj. Piramida e mbrapshtë e mjegullës së bardhë, që pas “kthimit në realitet”, mbetej e izoluar nga pjesa tjetër e imazhit të skenës: e mbante kontinuitetin e abstraktes dhe iluzionit, duke i shërbyer shfaqjes si një instalacion virtual. Edhe efekti i kalimit prej ëndrrës në realitet, ishte bërë bukur. E vetmja pengesë ishte ngjyra - pakëz e kuqërremtë e ndriçimit - që disononte me konceptin bardh/zi. Por, mendoj se kjo nuk ishte e qëllimshme dhe shkaktohej nga një pengesë teknike (d.m.th. nuk janë gjetur llamba adekuate për ndriçim të bardhë të pastër). Sidoqoftë, në përgjithësi ishte bukur!

Muzika

E përcillte shfaqjen në mënyrë besnike. Aty ku shkëlqen është pjesa e valles, që është realizuar mirë. Është një stilizim që mban aromë tirqish, djerse, vuajtjeje shpirtërore dhe fizike. Kolonat tjera janë monotone dhe sikur nuk dëshirojnë të interferojnë shumë me shfaqjen, por e plotësojnë atë me respekt.

Autori i muzikës ia lë shikuesit lirinë e zgjedhjes, pa sforcim dhe pa imponim. Dhe, vërtetë ka të drejtë, sepse, po të deklarohej më konkretisht do ta hutonte shikuesin. Pra, në vend që ta orientojë, do ta çorientonte duke i servirur vizion të simplifikuar. Dhe, kjo nuk ka guxuar të ndodhë. Zgjidhje solomonike, por adekuate padyshim. Po e them këtë, sepse mendoj se vlera më sublime, dominuese e kësaj drame, qëndron në shumëkuptueshmërinë dhe multidimensionalitetin e saj. Është dramë tragjike, tejet komplekse, por njëkohësisht njerëzore e universale.

Eva

Pastaj shfaqet Eva... eterike dhe e bukur. Ajo fluturon, nëpër terr, si Margarita në romanin e magjishëm të Bulgakovit - “Maestro dhe Margarita”. Saktësisht, ashtu e kisha paramenduar!

Fantazitë e të burgosurve duhet të jenë shumë realiste dhe të bukura, sepse janë ushqim i mendjes së shkallmuar me torturë psikike dhe fizike, që dëshiron pakëz pushim, pakëz ngushëllim dhe mundësi për ripërtëritje të energjive.

Jam i bindur që kjo është pjesa më realiste që ka shkruar Ekremi në këtë dramë, meqë ai vet e ka përjetuar një torturë të llojit të tillë, tejet të rëndë për natyrën e tij delikate: pa pikë të fajit, i ndrydhur në burg, sepse ka dhënë shumë për ta emancipuar ndjenjën e lirisë së njerëzve që i do dhe të kombit të cilit i takon.

Çuni

Dhe pastaj, vallëzimi i Çunit... Krejt loja e tij që vjen më pas, më përpinë të tërin. Çka është duke ndodhur? Nuk e di, por nuk po mundem ta përmbajë veten edhe tash. Duke i shkruar këta rreshta, po e shoh para syve Çunin: është vetvetja, nuk e sheh as publikun, as dritat, as muzikën, as Ekremin. Ai luan... Luan me pasion të stilit të Jack Nicholson në “Fluturimin mbi folenë e qyqes”?

Loja e tij është origjinale, serioze dhe e rëndë, ashtu siç janë vallet tona, tregimet dhe këngët e vuajtjes së pafund që përjetuan gjeneratat e baballarëve dhe nënave tona, që patën faj vetëm e vetëm se i takonin një kombi tjetër... Çfarë loje brilante, çfarë pasioni të paepur ka ky njeri! E jashtëzakonshme. Bravo!

Ekremi

Shfaqja vazhdon me spontanitet, pa asnjë sforcim. Kjo vepër e Ekremit nuk është shpërthyese, nuk imponohet. Ajo thjeshtë shtjellohet me një ritëm të natyrshëm. Athua pse?

Tash, duke i shkruar këta rreshta, po mendoj... Po përpiqem t’i rifreskoj simbolet e fshehura dhe të vërtetat - të thëna dhe të pathëna të kësaj vepre.

Natyrisht, çdokush e shikon veprën ashtu si ka dëshirë dhe i nxjerrë përfundimet aq sa ka vullnet dhe mundësi. Unë, që jam profesionist në lëmin e inxhinierisë elektrike, nuk mund t’i shmangem (edhe po të doja) metodës, krahasimeve dhe imagjinatës, që janë pasojë e edukimit tim profesional. Mirëpo, e vërteta ishte universale, ishte e pamëshirshme dhe depërton në mendjen dhe veprën e njeriut. Mjafton që ai të jetë i hapur dhe i sinqertë.

Për të mësuar shkencat ekzakte, na nevojitet imagjinata për të kuptuar konceptet dhe simbolet abstrakte të matematikës apo fizikës. Mirëpo, edhe ne inxhinierët, motivimin dhe inspirimin për të krijuar, duke projektuar sisteme komplekse teknike, e gjejmë në jetën tonë si njerëz me ëndrra, e vuajtje dhe dëshirë për të arritur një qëllim human dhe fisnik në jetën tonë (sa bukur është shtjelluar kjo temë në filmin Hugo të Martin Scorceses)!

Tash, t’i kthehemi Cenit të “çmendur”! A është vërtetë i çmendur apo vetëm po shtirret? Atë nuk ka kush ta vizitojë. Athua pse? Ai frikohet prej spiunëve dhe natyrisht edhe prej Tonit. Ai sigurisht preferon të qëndrojë në burg, sepse nuk ka askënd jashtë burgut, as familje, asnjë shok, ndërsa dashnoret e “shumta” i ka vetëm në valixhen e tij. Ai është i shkolluar, i rëndësishëm. Edhe qelia e tij është e rëndësishme! Mirëpo, ai e ngulfat Tonin me një lehtësi të pabesueshme, si një xhelat profesionist.

Pra, sipas të gjitha gjasave, Ceni i “çmendur” në të vërtetë është një antipod i të çmendurit, është një Cen monstrum, skajshmërisht egoist dhe grykës, krejtësisht i vetëdijshëm që vuan nga brejtja e llahtarshme e ndërgjegjes së tij të mjerë. Ai nuk mund ta zhbëjë jetën e vet para burgut. Prapësinat dhe krimet që ka bërë e çmendin, sepse ai nuk mund t’i fshijë prej ndërgjegjes së vet. Ku të dihet, ndoshta edhe pendohet herë pas here për atë çka ka bërë, por vështirë e ka t’i harrojë klithmat e viktimave të veta. Ato i shfaqen si vegime torturuese që nuk e lënë rehat.

Por, si është e mundur që një njeri i tillë të përfundojë në burg?

Kjo ka ndodhur, bile edhe masovikisht, në burgjet e Rusisë staliniane (që ishin mësuesit e admiruar të sistemeve diktatoriale, dikur dhe tash). Këtë e kam lexuar në “Conspiracy of Sillence” (Konspiracioni i heshtjes) të Alexander Weissberg-Cybulskit (një shkencëtar i fizikës atomike, i përzërë nga Gjermania në Rusinë e Stalinit, vetëm për shkak se ishte hebre). Aty, në të njëjtën qeli të burgut, shpesh takoheshin ish hetuesit me viktimat e tyre që i kanë torturuar me zellin e një shërbëtori besnik të regjimit!

Të thuash se këta hetues të mjerë që përfundonin në birucën e merituar, ishin të çmendur, do të ishte një peshqesh për ta? Edhe Cenin shpesh e gëzon fakti që gardianët e burgut e konsiderojnë vërtetë të çmendur. Por, ai e di se nuk është i tillë dhe kjo vetëm e bën të vuaj edhe më shumë. Pra, Ceni nuk është i çmendur.

Ne nuk e dimë saktësisht se çka është, por nuk është i çmendur. Shumë më e saktë është e vërteta se Ceni është një personifikim i aparatçikut të paskrupullt, llakej i pushtetmbajtësve të kohës së vet, të cilëve u ka shërbyer me devotshmëri dhe servilitet të paepur dhe, rrjedhimisht, ka përfunduar në burg për shkak të thjeshtë: se ka ditë shumë për punët e fëlliqura të padronëve e gazdallarëve të vet. Për fundërrinat njerëzore të sojit të këtillë, ky është fat i pashmangshëm dhe epilog i merituar. Ky fat ka përcjellë njerëz të tillë gjatë tërë historisë dhe nëpër të gjitha koordinatat e kësaj bote, me një saktësi të konstantes universale të Ajnshtajnit.

(Kah nuk na shkonte diskutimi me gruan time pas shfaqjes: A mund të aktrohet çmenduria në jetën e vërtetë? A ka çmim që nuk duhet paguar për ta bërë një jetë dinjitoze, pa asnjë kompromis edhe më të vogël? A mund të fshihen krimet në kohën e Googlet dhe Wikileaksit? A është afër koha kur secili individ do ta ketë biografinë super të hollësishme në internet, të dokumentuar me fakte, të klasifikuar për bukuri me të gjitha shënimet për bëmat dhe të pabërat e tij, përfshirë të gjithë paraardhësit e tij, deri në sekondën e fundit të rifreskimit të ueb-faqes përkatëse? A nuk është duke ndodhur një gjë e tillë tashmë? Kur jemi dëshmitarë të rrjedhjes së shënimeve më sekrete të departamenteve të shteteve më të fuqishme të botës, ku jemi atëherë ne?

Kriminelët tanë të “vegjël”, të mjerë, pushtetmbajtësit e tashëm e të përparshëm, janë ende të lumtur, ngase krimet, hajnitë dhe maskarallëqet e tyre ende nuk janë bërë të përbotshme! Askush nuk i ka zbuluar! Çfarë naiviteti: të besosh në “lumturinë e injorantit” në kohën kur ky planet tashmë ka hyrë në epokën e informacionit)

Epilog

Me këtë rast, faleminderit të gjithëve që kanë punuar në realizimin e kësaj shfaqjeje të jashtëzakonshme: Ekrem, Çun, Afrim, Genta, Valton, Njomza, Zeni dhe Asllan. Ndonjë kritikë që e thashë më parë, ju lutem mos e merrni si dashakeqe. Përkundrazi, merreni si një mendim të sinqertë të një njeriu që nuk është profesionist, por vetëm një inxhinier - një njeri teknik që ka shumë dashuri për artistët dhe artin. Nëse nuk kam qenë i saktë në mendimet e shprehura, hidheni në bërllok këtë ese timin për të cilin paraprakisht kërkoj falje.

Puna dhe rezultati i punës suaj të shkëlqyer është ajo që ia vlen. Ju më inspiruat që të shkruaj këtë çka shkrova, por edhe mungesa e kritikës profesionale është paradoksale për mua, veçanërisht në këtë rast.

Të dashur Ekrem dhe Çun, nëse kjo ka qenë porosia e artit tuaj, ju faleminderit. Edhe nëse nuk ia kam qëlluar, mos ma merrni për të madhe.

Thërras publikun e gjerë, rininë tonë, të gjithë studentët tanë (edhe ata të inxhinierisë) që ta shohin këtë shfaqje. Është në Prishtinë dhe kushton vetëm 1 euro për studentë. Ma merr mendja se shfaqje të këtilla shihen rrallë edhe në Broadway.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.