Viti 2013 për Luginën e Preshevës, si 1913-ta për Kosovën?

0:49 / 1.04.2013

Koha po kalon me ritmin e vet të pandalshëm. Edhe dy prilli po afrohet. Thonë se “shpresa vdes e fundit”. Por, megjithatë, sa duket, shpresat tona se në dialogun e Brukselit do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës, në mënyrë të barabartë me atë të serbëve të Kosovës, pothuajse janë shuar definitivisht. Ndoshta historia e skandalit të Lapidarit të UÇPMB-së na jep edhe një pjesë të përgjigjes se pse Lugina e Preshevës mbeti jashtë agjendës së dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Ka edhe mendime dhe bindje se çështja e Lapidarit u imponua me qëllim të shmangies së vëmendjes nga dialogu i Brukselit.

Ftesa e (pa)sinqertë

Ftesa e z. Kuçi në media, që Lugina e Preshevës të paraqesë “propozimin e masave për zgjidhjen e çështjes së Luginës”, e jo në biseda, apo me ndonjë nga format tjera të komunikimit normal, që zakonisht praktikohen për qëllime konsultimi apo për harmonizim të pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike lidhur me problemet e caktuara, me lidershipin e Luginës nuk u bënë.

Veprimi i tillë lë përshtypjen e hidhur dhe dyshimet se mund të ishte e pasinqertë dhe se ajo u bë vetëm për efekte mediatike, si dhe për arsyetim para opinionit shqiptar, se ja “ne i ftuam, por ata nuk ishin gati”.

Dy prilli 2013

Ishte kjo një formë komunikimi, pra, e pazakontë. Si edhe shumë gjëra të tjera që po ndodhin në skenën politike në mbarë shqiptarinë.

Sidomos kur bëhet fjalë për vëllezërit e një gjuhe dhe të një gjaku, që padrejtësisht kanë mbetur jashtë territorit të Republikës së Kosovës, ashtu si mbetën trojet shqiptare jashtë Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, duke iu ekspozuar eksodit të përmasave biblike për shkak të pasigurisë, terrorit shtetëror serb dhe paperspektivës. Të gjitha subjektet politike të Luginës së Preshevës, me kohë janë deklaruar për reciprocitet të plotë me serbët e Kosovës duke kërkuar që edhe çështja e tyre të trajtohet në mënyrë të njëjtë me atë të serbëve të Kosovës, sipas parimit: “as më shumë e as më pak se ata”. Mirëpo, deklarata e befasishme të këtyre ditëve, gjakftohtë dhe cinike e z. Ragmi Mustafa për media se mospërfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun e Brukselit “nuk paraqet fundin e botës”, paraqet kulmin e papërgjegjësisë dhe arrogancës politike që mund ta shprehë një akter i skenës politike të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare.

Nënçmimi i kësaj situate tragjike jo vetëm për shqiptarët e Luginës, por edhe për mbarë shqiptarinë, si dhe për paqen dhe mirëqenien në rajon, paraqet vetëm njërin nga vargu i papërgjegjësive të tilla politike.

(Keq)përdorimi i Lapidarit

Ashtu ndodhi edhe me Lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, që ishte vendosur para ndërtesës së Kuvendit komunal të Preshevë, pa ndjekjen e procedurave ligjore, në mënyrë të “egër” dhe joligjore. Me të drejtë ai u “qortua” nga liderë të caktuar se ia ka futur vetes dhe faktorit politik të shqiptarëve të Luginës “të dy këmbët me një këpucë”.

Kështu u komprometua dhe u diskreditua lidershipi i Luginës së Preshevës para faktorit ndërkombëtar, nga të cilët as miqtë tanë më të mëdhenj nuk na mbështetën. Sepse kuvendi komunal ka për detyrë ruajtjen dhe kultivimin e ligjshmërisë, duke zbatuar masa ligjore e sanksione kundër atyre që ndërtojnë pa leje përkatëse, si dhe ndaj atyre që nuk i përmbahen me saktësi lejeve ndërtimore të lëshuara nga organet përkatëse komunale.

Pra, në vend që të ishte shembull për realizim të ligjshmërisë, z. Ragmi Mustafa si kryetar komune, bëri pikërisht të kundërtën, duke dhënë shembull të keq dhe joedukativ për qytetarët. Sinjalet e tilla ishin, pa diskutim të gabuara dhe të dëmshme, duke rrënuar kështu autoritetin e organeve komunale dhe të Kuvendit komunal, si celulë themelore e shtetësisë, rregullit dhe ligjit.

Zanatçiu serb para skulptorëve shqiptarë!

Pastaj, pse të mos e përmendim, Lapidari i ishte dhënë për ta realizuar një mjeshtri serb nga Vllasotinca, i cili nuk kishte as prirje e as kualifikimin e duhur artistik, por vetëm ishte një zanatli i thjeshtë.

Pra, monumentet me vlerë të madhe, siç është Lapidari i dëshmorëve të kombit është dashtë t'i jepet për ideim dhe realizim ndonjë skulptori. Siç e dimë, busti i Skënderbeut është realizuar, varianti i parë që mbeti në gips, pa u derdhur në bronz, nga profesori me renome, nga Peja, Malë Myrtaj, që asokohe punonte në Qendrën Arsimore te ne si profesor i artit.

Kurse, variantin e dytë, i cili është derdhur në bronz dhe u vendos para Gjimnazit "Skënderbeu", është realizuar nga vendasi ynë Ismet Jonuzu, i cili është skulptor i kalibrit evropian. Pastaj, kemi edhe skulptorë të tjerë akademikë të këtij niveli, që janë ligjërues në Fakultetin e arteve në Prishtinë, si p.sh. Sabedin Hetemi dhe Eshref Qahili.

Të gjithë këta kanë bërë emër në Kosovë, por edhe në Evropë dhe botë, si p.sh. në ekspozitat e ndryshme në Zvicër, Gjermani, Francë, Itali, Norvegji e deri në Japoninë dhe Australinë dhe Amerikë dhe në Argjentinën e largët. Kurse, të gjithë këta skulptorë tanë, vendas, preshevarë, e mbi të gjitha shqiptarë,me renome gjithëkombëtare, evropiane e botërore, u anashkaluan padrejtësisht dhe pabesisht dhe Lapidari iu la në dorë për ta punuar një mjeshtri apo zanatçiu serb!

“Dhurata” për dëshmorët

A e merituan skulptorët tanë, shqiptarët e Luginës dhe dëshmorët e UÇPMB-së këtë "dhuratë" që iu servua nga kryetari i komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa? A thua e merituan dëshmorët e UÇPMB-së një lapidar të tillë, pa kurrfarë vlerash artistike dhe plotësisht inkompatibil me ambientin arkitektonik që e rrethon? Sigurisht se jo. Ata meritojnë shumë, shumë më tepër se kaq! Kjo ishte sa i përket çështjes "teknike" të lapidarit. Kurse, nga tensionimi i vrullshëm politik i sulmeve që vinin nga qeveria e Serbisë dhe nga presidenti Nikolic, menjëherë pas përfundimit të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që u bë “simultanisht” (paralelisht) me paketën e ndihmave financiare të përgatitura nga Trupi Koordinues, të cilin zyrtarisht nuk e njeh partia e z. Mustafa.

Ai “peshqesh” prej disa qindra mijë eurosh iu nda me kujdes pesë (5) firmave sponsoruese të koalicionit qeverisës aktualë të komunës së Preshevës. Pra, kjo u bë në pjesën e pare të dhjetorit 2012, pikërisht atëherë kur filluan edhe sulmet e Qeverisë serbe kundër Lapidarit.

Korruptimi

Ekziston dyshimi se me këtë edhe u korruptua performanca dhe sinqeriteti i tyre për mbrojtje të Lapidarit, duke vepruar në dy binarë: në dhënien e deklaratave ekstreme se do të mbrohet Lapidari me të gjitha forcat, duke mos përjashtuar edhe opsioni ushtarak, të mbrojtjes me forcë po qe se paraqitet nevoja, kurse në anën tjetër deklaronin se “vandalizmit nuk do t’i përgjigjemi me vandalizëm”, duke lënë të kuptohet se nuk do të rezistojmë fare në mbrojtje të tij.

Gara politike

Garat lidhur me Lapidarin zhvilloheshin edhe nga pala serbe. Kryeministri Dacic në këtë garë, që kishte karakter të fushatë së tërbuar antishqiptare, sfidohej nga presidenti Nikolic si dhe nga zëvendëskryeministri Vucic, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Mbrojtjes. Kështu, Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqej nga kryeministri Dacic nuk dëshironte ta lëshonte shansin e grabitjes së poenave politikë që kishte mundësi për ta bërë me forcat e policore që i kontrollonte ai. Kurse, Nikolici dhe Dacici, meqë kontrollojnë ushtrinë, paraqiteshin në skena hollivudiane duke kontrolluar gatishmërinë luftarake të njësiteve kufitare të tyre dhe duke deklaruar me pompozitet se “gjithçka është gati për t’iu përgjigjur sulmeve të terroristëve shqiptarë”.

Pra, atmosfera luftënxitëse i karakterizonte të dy palët: edhe atë shqiptare, ku dolën në skenë shumë ish komandantë dhe garonin me njëri-tjetrin duke “premtuar” ushtri dhe qëndresë.

Por, edhe skena politike shqiptare nuk ngecte mbrapa tyre. U premtuan veprime ekstreme politike në rast se hiqet me dhunë Lapidari, duke premtuar publikisht se “do të japin dorëheqje të parevokueshme” nga të gjitha funksionet e pushtetit lokal të Komunës së Preshevës, pastaj “dalje nga sistemi”, “padëgjueshmëri politike” etj.

Derisa pala serbe me përpikëri iu përmbajt premtimeve dhe kërcënimeve të veta, duke realizuar heqjen dhe grabitjen e Lapidarit në mënyrë spektakolare në mëngjesin e së dielës, më 20 janar 2013, duke mos hasur në asnjë formë rezistence ushtarake dhe as qytetare. Ky aksion u realizua vetëm me praninë e fotoreporterëve dhe gazetarëve dhe të ndryshëm, të cilët ishin të vetmit “kujdestarë” apo “roje” të Lapidarit, e që kishin kujdestaruar 24 orë në ditë për të mos e lëshuar rastin e regjistrimit të aktit të heqjes së tij, që pritej në çdo moment.

Po faktori politik i Luginës së Preshevës, e sidomos ata “sokola” që bënë kërcënime dhe dhanë premtime e betime se nuk do të lejojnë kurrsesi heqjen e tij pa dëshirën dhe vullnetin tonë?

Ata ishin duke fjetur të qetë dhe të bindur se me dhënien e premtimeve dhe kërcënimeve të tilla e kishin kryer obligimin e tyre, sepse deklaronin se Serbia “nuk guxon me e heqë Lapidarin”. Bile, bile, kishte nga ata që ftonin me kërcënim, “nëse guxon Dacici, le të vijë ta heqë”, etj.

(Keq)menaxhimi i situatës

Kështu, edhe pse ishte arritur një sensibilizim i opinionit të gjerë, që nuk ishte parë që nga koha e përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001, megjithatë nuk u menaxhua si duhet politikisht për të sjellë frytet e pritura, të merituara dhe të dëshiruara: që çështja e shqiptarëve të Luginës të sillej në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës.

Pa diskutim se sjelljet dhe performanca e liderëve politikë të Luginës së Preshevës nuk ishte në nivelin e duhur, konform kërkesave të kohës. Andaj, ata u cilësuan nga kreu politik i Kosovës me epitete dhe vlerësime më denigruese e poshtëruese, duke i quajtur “matrapazë politikë”, “pa ndjenja kombëtare”, etj.

Pse mbeti Lugina jashtë dialogut të Brukselit?

Ndoshta historia e skandalit të Lapidarit të UÇPMB-së na jep edhe një pjesë të përgjigjes se pse Lugina e Preshevës mbeti jashtë agjendës së dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Ka edhe mendime dhe bindje se çështja e Lapidarit u imponua me qëllim të shmangies së vëmendjes nga dialogu i Brukselit midis Dacicit dhe Thaçit, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton. Gjithashtu, ekzistojnë bindje se Lapidari u (keq)përdor edhe për marketing politik.

Deklaratat e pamatura të z. Mustafa se ne dëshirojmë “bashkim me Kosovën” dhe se mospërfshirja e Luginës së Preshevës në tavolinën e bisedimeve të Brukselit nuk paraqet “fundin e botës” është edhe një dëshmi e papërgjegjësisë së skajshme politike, duke favorizuar në këto moment vendimtare, opsionin e Dacicit për ndarjen e Kosovës dhe për “shkëmbim territoresh”, duke pretenduar se, edhe pse Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si dhe faktori ndërkombëtarë janë kundër, megjithatë atyre do t’u imponohet opsioni ynë.

Por, nuk tregon se si? Madje ai është tejet i painformuar dhe konfuz kur deklaron se në shekulli XXI gjërat nuk zgjidhen me dhunë dhe “harron” apo “nuk e di” se barrikadat e serbëve të veriut të Kosovës akoma nuk janë hequr!

Pra, sipas tij, ne nuk qenkemi për luftë. Kurse, me “mjete paqësore” nuk përfillim as marrëveshje, as konsultime e koordinime politike me faktorin shqiptarë dhe me atë ndërkombëtarë, bile as respektimin e ligjeve dhe procedurave ligjore nuk i përfillim, kurse thirremi në “rrugë paqësore”.

Mua më duket se ne e kemi “humbur” fare rrugën: për luftë nuk jemi, kurse veprimi rregullat dhe parimet e “veprimit paqësor” nuk i përfillim, duke menduar me kokën tonë naive dhe të pa ditur se ne mund të imponojmë tema politike, duke mos ditur dhe duke mos pasur fare idenë se si shtrohen ato.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.