Aderime partiake me para?!

0:25 / 3.04.2013

Gjithsesi se edhe sipas rregullave të afatit të përcaktuar kushtetues dhe ligjor, pritet që kah fundi i këtij viti të mbahen zgjedhjet komunale në Kosovë. Sipas gjendjes së përgjithshme politike në vend, fare nuk do të ishte e çuditshme nëse, paralelisht këtyre komunale, do të kishim edhe ato të jashtëzakonshme nacionale. Sido që të jetë edhe pse datën e saktë zyrtare të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve e përcakton dhe e shpall kryetarja e shtetit, bazuar në disa aktivitete të shprehura të subjekteve tona politike, tashmë, lirisht mund të konstatojmë se fushata e kamufluar parazgjedhore veç ka nisur në Kosovë.

Vizitat e shpeshta nëpër komuna të liderëve partiakw, prerja e shiritave dhe promovimi i shtuar i disa objekteve infrastrukturore nëpër komuna, qëllimisht të parashikuar për këtë periodë, shkrirjet e montuara (artificiale) të degëve nga një parti në tjetrën, sulmet e shpeshtuara deklarative joparimore pozitë-opozitë në opinion, shpërndarja pompoze e librezave për anëtarë të rijnë partiak, si dhe dhënia e publicitetit të madh nga disa medie këtyre ngjarjeve... e shumë e shumë veprime tw tjera, dukshëm po na reflektojnë ndjenjën e kësaj klime të parakohshme parazgjedhore te ne.

Por, edhe pse këto forma, thuaja qëllimisht të tolerueshme të aktiviteteve të parakohshme parazgjedhore partiake, në fakt, janë jokorrekte, të pamoralshme dhe si të tilla konsiderohen veprime të palejueshme për një demokraci të mirëfilltë, sigurisht se, e keçja më e madhe e shprehjes së tyre në hapësirën tonë kosovare, nuk do të jetë e kufizuara vetëm në sferat jashtë/institucionale të jetës sonë shoqërore-politike në përgjithësi, por, sigurisht do t’i kemi të bartura edhe brendapërbrenda institucioneve tona shtetërore: Qeveri, administratë, Kuvend, etj.

Pa dyshim se, të gjitha këto veprime dhe ndërmarrje të parakohshme parazgjedhore të cekura si më lartë, për ne qytetarët si votues, tanimë veç dihen dhe nuk janë të panjohura, atë që me këtë rast unë desha ta vejë në spikamë, është një dukuri tjetër specifike e cila, në kuadrin e këtij fenomeni të përgjithshëm po ashtu është mjaftë i shprehur por jo edhe aq i dukshëm si veprim dhe zhvillohet në prapaskenën e këtyre ngjarjeve.

Konkretisht, fjala është tek rastet e caktuara të pranimit (aderimit) me PARA të disa individëve në një subjekt politik, të cilët paraprakisht cilësohen si emra dhe figurave të njohura publike nga jeta kulturore - akademike dhe shoqërore-politike e vendit.

Këto pranime si prurje të reja, zakonisht disa muaj para zgjedhjeve, gjithsesi bëhen me pompozitet të madh dhe publicitet të theksuar medial. Si emra të njohur publikw, aderuesit e rinj dhe të përzgjedhur në këto promovime, zakonisht deklarojnë para kamerave dhe në intervista të ndryshme gazetareske se motivi i tyre kryesor i aderimit, apo kalimit nga partia tjetër në këtë subjekt politik, na qenka kinse: në atë rreth të ri ai na paskan gjet veten, gjoja se aty po ju ofrohet hapësira e duhur për veprim të lirë në jetësimin e programeve dhe ideve të tyre profesionale... e turli-turli broçkulla tjera qesharake dhe naive si arsyetime.

Në të vërtetw, prapa gjithë këtij transferimi, në dukje të vullnetshme dhe parimor politike, gjithsesi qëndron oferta e një shume të majme PARASH për blerjen e tij. Këtë formë të aderimit, apo të kalimit me para nga një parti tek tjetra (transfere), si ofertë, shpesh përcillen edhe me premtime për ndonjë post të caktuar publik, kur ai subjekt politik do të vijw në pusht.

Edhe pse në opinionin tonë, qarkullojnë shumë thashetheme edhe për çmimin (shumën në para) të këtij pazari, ato janë relative dhe ndryshojnë varësisht prej personalitetit të caktuar, aftësive profesionale dhe nivelit të popullaritetit të tij në opinionin.

Andaj, pse jo? Ndoshta mu këtu edhe qëndron përgjigja adekuate për disa dyshimet tona të shpeshta karakteristike, ta zëmë, se si është e mundshme që një personalitet i shquar me aq nam dhe vlera profesionale, të aderoj në strukturat e një partie të vogël dhe pa perspektivë, ose, të kaloj tek një subjekt tjetër politik tanimë veç të komprometuar nga dallaveret, korrupsioni dhe matrapazllëqet tjera kriminale?!

Në fund, më duhet të pranoj se jam plotësisht i vetëdijshëm se për një trajtim me serioz akademik të një pretendimi të caktuar si fenomen shoqëror, gjithsesi na duhen argumente të fuqishme bindëse. Por, meqë, trajtimi tematik i kësaj dukurie këtu, është kryekëput i karakterit eseistik, argumentet e mia si dëshmi, tërësisht janë të mbështetura në kallëzimet e njerëzve relevant në mirëbesim, kështu që, gjatë tërë tekstit në vijim, qëllimisht askund nuk janë përmendur emra konkrete partish dhe individësh (edhe pse ato dihen).

Krejt në fund, pa marr parasysh se kush dhe sa do të besoj, apo kush dhe si do ta vlerësoj për vete këtë mënyrë specifike të sigurimit të kuadrove të reja tek disa subjekte tona politike në Kosovë, unë gjithsesi ju sugjeroj që, para formimit të bindjes së caktuar, së pari t’ia parashtroni vetes këto dy pyetje të thjeshta dhe tejet logjike:

1. Nga i marrin këto shuma të mëdha parash, subjektet tona politike, për këtë lloj tregtimi kuadrosh?!

2. Çfarë peshe apo morali politik dhe njerëzor do të ketë në të ardhmen ai kuadër konkret, i cili atë autoritet të vetin të arritur me aq punë dhe sakrifica në jetë, tashti për disa lek ia shet një subjekti politik?!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.