Zona (k)operative e veriut!

0:37 / 3.04.2013

Derisa presidenti i përkohshëm i Venezuelës, Nicolas Maduro ka deklaruar se ithtarët e rivalit të tij nga radha e opozitës demokratikë, me të cilin do të përballet në zgjedhjet e ardhshme të 14 prillit, janë trashëgimtarë të Hitlerit, këta tanët ende nuk po dihet trashëgimtarë të kujt janë. Po ashtu ka dilema edhe për pozitën. Trashëgimtarë të kujt janë qeveritarët? Këtu natyrisht nuk po aludojmë në trungun familjarë të askujt, por në degët dhe pipthat e tyre ideologjik, konjuktural dhe të interesit.

Derisa për opozitën po dihet se si armike e brendshme që është, nuk po pranon të bashkëpunoj me “armikun” e jashtëm rreth bisedimeve me Serbinë, e mbase as rreth interesave të korporatave globale, e rajonale, qeveria po mbështillet e çmbështillet me petka të ndryshme ideologjike apo konjukturale nën të cilat po (zh)duket herë pas here edhe cepi i tepsisë së fshehur. E pitja?

Për piten që e hëngrën po flasin herë pas herë, me seriozitetin e duhur dhe fakte rrënqethëse vetëm mediat ndërkombëtare, ndërkaq kur të njëjtat gjera i thotë opozita atëherë dihet se ata e kanë veç për inati dhe nga etja për pushtet. Edhe janë tradhtarë “by default”!

Kur jemi te ideologjia, te konjukturat, apo interesat, e rritur prej mendjes përtej interesave lokale, oligarkia jonë tashmë ka “lëshuar teposhtë” vijën e luftës me të cilën u bë milionere dhe e ka ndal përkohësisht edhe riprodhimin e legjendave të gjalla nëpër lagjet tona parapolitike. Se legjendat që ranë në altarin e lirisë nuk po i gërvishtin më. Boll kanë përfituar prej tyre.

Derisa diktatori i ri, i majtë, Maduro e din kur i ka zgjedhjet, dhe ngutet të shajë opozitën me ekstremin e djathtë prej pozitave të ekstremizmit të majtë, te ne as zgjedhjet nuk po dihen tamam kur do të jenë. Këto ditë janë pezulluar edhe spekulimet për riformatizimin e qeverisë, apo për ngritjen e rënien e ministrave, sepse është në proces “ sjellja e pështjellja” rreth PTK-së dhe ende nuk po dinë si me ia bë, si me ia lidhë kryet kafshatës më të madhe të cilën grupi nuk e kapërdiu dot as deri më tani, e as përkundër presioneve të FMN-së. E FMN bën “pritisak” edhe përkundër bastisjes së shtëpive të ish-zyrtarëve të tyre. Këto ditë mediat sllovene po shkruajnë lidhur me pështjellimet e mëhershme rreth operatorit tjetër mobil, ku sipas hetuesve të rastit paska dyshime të jenë involvuar e të kenë përfituar edhe personalitete nga Kosova dhe nga ...!

Nejse, në konkurrencë për PTK-në u tërhoqën të gjithë përpos operatorit turk, nëse natyrisht nuk është arritur që ndërkohë të “sillet e mbështillet” najsen, dhe të ndalen në garë edhe të tjerët!

Qeveritarët kësaj radhe në huti e sipër nuk e shfrytëzuan madje as ditën e tyre, 1 prillin për të deklaruar diçka lidhur me këtë proces. Sipas zakonit për gjitha lëshimet e veta po e akuzojnë opozitën e cila nuk po pajtohet me qeverinë në asgjë, e sidomos lidhur me mënyrën e sajë pak a shumë konspirative të qeverisjes e cila për çështjet strategjike të vendit nuk e ndanë me askënd vendimin/fitimin, e më së paku me opozitën.

Trashëgimtarë të kujt janë (o)pozita e jonë? Pozita në fakt ngjanë me të gjithë nga pak, e me askënd tamam! Janë disi as mish as peshk, por po fërgohen në vajin e vet. Shkrryhen në dhjamin e vet. Se, nuk e kanë trashëguar këtë dhjam, por e kanë vënë në politikë, e kjo do të thotë se kanë bërë shumë para në fukarallëkun e qytetarëve të këtij vendi. Derisa, sipas fjalës së moqme se fukaraja i mban dy shtëpi, këta tonët i mbajnë katra, apo katërdhjetë e katra. Veç një zot e din kush krejt merr këndej, nga një rriskë.

Mbi një miliardë euro që pretendohej të jenë futur veç në energjetikë, ka rezultuar që askush nuk e di se ku kanë shkuar. As vendorët e as ndërkombëtarët. I kanë mshelë letrat të gjithë, me përjashtim të Trushllerit të pashkathtë i cili u zu me letra qelë. Pra me letra të gjithë janë “OK”, megjithëse sot nuk ka as kapacitete të reja prodhuese, as ka përmirësim të situatës energjetike, përpos që rryma e shtrenjtë blihet me pare të buxhetit.

Në ndërkohë distribucioni, tashmë privat është bërë mollë sherri në marrëdhëniet mes grupeve të biznesit dhe politikës sa që qysh tash mund të parashihet një dështim i ngjashëm me ato në Shqipëri dhe Bullgari, dhe ndonjë aferë gjyqësore e përmasave (ndër)kombëtare.

Kështu, edhe teknologjia ka ecë përpara dhe ka mbërri edhe këndej pari. Përpos Ajfonave dhe Samsungave kanë mbërri edhe fërteret virtuale. Fërteret moderne e mundësojnë që politikanët tonë me u fërgue me vaj të vet e mos me u djeg. Për t’ u djegur po digjet populli i shkretë, qytetari i zakonshëm, i cili me pagë të lodhtë nuk arrin as me shtue në peshë sipas standardeve, e le më me mbledhë yndyrë. Të mos flasim për pensionistët. Ata, po i fërgojnë nëpër ca fërtere koti, teneqe prej importit aziatik. Së paku të varfërit dhe pensionistët po fërgohen në ëndrrat e tyre të yndyrshme.

Ndërkohë në realitet, edhe pse pitja është hangër, tepsia ka nisë të përmendet. Në këtë fazë këta bëhen të rrezikshëm. Në luftën për pushtet, tepsia është instrument i fuqishëm.
E Evropa, po na shikon e po bënë seri me ne se si me gojën plot Europë ia kemi mësy me të katra drejtë Azisë. Trendet në shoqërinë tonë dëshmojnë për një forcim të frymës orientale dhe të një angazhimi militant që po i gërvishtë seriozisht normat e shtetit laik, të rrezikuar seriozisht me arsyetimin se kjo është formulë e suksesit. Se formula e suksesit te ne është të jesh në mes të Turqisë dhe Serbisë, të jesh diçka si njëlloj ure, kah mundet me kalue gjithçka, e sidomos paraja dhe infrastruktura!

Derisa pozita e krahasonte dike nga opozita me Çavezin, në ndërkohë argumenti kryesor i agitpropit qeveritar, vdiq. Derisa Maduro ankohet se opozitarët demokrat të vendit të tij janë nazistë dhe se po udhëheqin fushatë jo tolerante, opozita e këtushme mund të shahet dhe dyshohet për gjithçka. Jo toleranca është politikë qeveritare. Qeveria të zë pritën kudo me një armatë të burokratëve të varfër, kryesisht akraba përjetësisht mirënjohës që u sollën në zyra, që janë të gatshëm të të hanë për së gjalli e të ta bëjnë jetën ferr. Për një letër koti!

Në fakt, koncepti i pozitës dhe opozitës ndër ne është paksa konfuz dhe e ndjek linjën e interesave të dakorduara për ndarje territoresh dhe profitit dhe ka aprovimin edhe prej Olimpi! Derisa të mos ndryshojë vullneti i zotrave!

Ka pozitë në nivel lokal dhe në atë qendror. Diku - diku ka hapësirë të mendohet edhe për asociacion të komunave sipas interesave grupore, lagjesh, regjionale etj si për shembull të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit, Nerodimes, Karadaku, Shalës ... e të Zonave të tjera operative civile, përfshi edhe atë të Zvicrës (ZOZ). Tash po krijohet edhe zona e re operative me shkurtesën ZOV, Zona Operative e Veriut, duke e krijuar kështu edhe një shtetth tjetër të brendshëm, i cili do të mundësojë që të gjithë të qeverisin sipas qejfit të vet dhe askush të mos jap llogari për asgjë. Sidomos para qytetarit!

Kështu në mënyrë paradoksale, opozita e pozita, shumica dhe pakica, qoftë politike, etnike, religjioze etj, po bashkëqeverisin në emër të qytetarëve dhe me paratë e taksapaguesve. E kemi arritur idealin e demokracisë! S’ka pakicë! Krejt janë shumicë! Ndërkohë, opozita formale grindet pandërprerë rreth parimeve teorike të qytetarisë europiane, e karvani ynë po vrapon drejtë Azisë!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.