Presidenti i popullit

12:26 / 17.04.2013

Për të bindur votuesin e Kosovës partitë politike, se janë në anën e tyre, duhet që reforma zgjedhore të merr kahun e duhur. Dhe, kjo është që të gjitha subjektet politike të vendit të sjellin amendamentimet kushtetuese, sidomos pas momentit kur në emër të reformës zgjedhore bënë marrëveshje për presidenten e zarfit.

Nëse ka diçka që mund të bëjnë subjektet politike në Kosovë - e sidomos ato tri subjektet që u morën vesh për ta sjell një presidente siç është kjo e zarfit, e kjo gjë të jetë e shkëlqyer - është që përmes reformës së premtuar zgjedhore t’ia bëjnë të mundshme popullit të Kosovës ta zgjedh vet presidentin apo presidenten e vendit.

Siç mësojmë, takimet e liderëve të spektrit politik në vendin tonë po përfundojnë pa marrëveshje rreth reformës zgjedhore, e të cilën disa po e quajnë se veç emri i ka mbet reformë, meqë po ngel pa përmbajtje. Çështjet e hapura. si zgjedhja e presidentit, përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe e vendeve të rezervuara, janë tema të cilat nuk po sjellin ujdi nga liderët politik.

Puna e Komisionit parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës, e cila e ka filluar punën e saj në përputhje me Rezolutën e Kuvendit dhe marrëveshjen në mes të liderëve të PDK-së, AKR-së dhe LDK-së, nuk duhet të dështojë. Ndryshimi i qëndrimit të partive politike, dukshëm është i lidhur me interesat e ngushta e aspak vizionare të partive politike, të cilat sikur mëtojnë ta përdorin çdo pozitë apo funksion shtetëror për pazare politike.

Me të drejtë njohësit e së drejtës kushtetuese gjykojnë se nëse nuk ndryshohet mënyra e zgjedhjes së shefit të shtetit, do të prodhohen kriza institucionale si në rastin e fundit, e të cilat nuk i nevojiten vendit. Modeli garantues i demokracisë është zgjedhja e presidentit nga populli. Jam ithtar i kësaj forme, nëse për asgjë tjetër, atëherë vetëm të mos përsëritet “rasti i zarfit”. Zgjedhja e shefit të shtetit të vendit tonë nuk e kthen këtë të fundit në një republikë presidenciale. Ajo ngelet parlamentare. Shembuj të këtillë i kemi të panumërt.

Republikës së Kosovës, por as subjekteve politike në përgjithësi nuk u kanë ndihmuar se si kanë rrjedhur proceset në presidencën e Kosovës. Vendit tonë nuk i shërben asnjë model tjetër i zgjedhjes së shefit të shtetit, pra as i ashtuemëruari konsensual, as partiak, e as i preferuari i shumicës politike i bërë përmes koalicioneve jonatyrale... Por, vetëm mënyra e zgjedhjes së shefit të shtetit nga populli.

Bash për këtë, presidenti apo presidentja e ardhshme si figurë e rëndësishme përfaqësuese e vendit dhe si garant kryesor i jetësimit të Kushtetutës, meriton të marrë vetëm bekimin e popullit.

Një personalitet i pranuar, i respektuar, i pandikuar nga politika ditore dhe autoritet politik i pakonsumuar do të ishte me të vërtet nevojë imediate e Kosovës, e sidomos nga fakti se Kushtetuta të cilën me mund e bëri Kosova dhe populli i saj, shkelet pa pikë nevoje. Deri më sot presidenca mban rekordin e shkeljeve kushtetuese dhe atë jo me fajin e presidentëve, por si pasojë e mos rregullimit të duhur kushtetues.

Pas të gjitha këtyre rasteve të përjetuara në lidhje me presidencën, ka ardhur koha që shefi i shtetit të Kosovës të jetë figurë me cilësi të forta, për të justifikuar pozitën e tillë, e të mos jetë thjesht kukull që fare nuk përfaqëson titullin që mban, e ndoshta as personalitetin e vet e lere më interesin shtetëror e kombëtar.

Presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës, për të dëshmuar seriozitetin politik të spektrit vendimmarrës aktual në vend, duhet të zgjidhet nga populli dhe kjo jo vetëm që sjell stabilitet institucional, sidomos të presidencës, por e bën të mundshme zgjedhjen e një personaliteti i cili ato funksione që i ka si shef shteti t’i ushtrojë me kompetencë e respekt nga verdikti i popullit.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.